Ndryshe nga herët e tjera, protesta e opozitës ditën e sotme ishte në formë marshimi në “pikat më të korruptuara”, konkretisht te Kryeministria, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Drejtoria e Policisë Tiranë, selia e Kuvendit dhe për ta mbyllur tek vila e ish-diktatorit Enver Hoxha në Bllok të cilës iu vu flaka me bomba molotov dhe fishekzjarre.
Protesta ka nisur pa fjalime nga drejtuesit politikë, ndërsa pjesëmarrja është karakterizuar nga prania e grupeve të të rinjve, disa prej tyre të veshur me kapuçë të zinj dhe të pozicionuar në radhët e para të tubimit.
Protestuesit shfaqen duke mbajtur pankarta me mesazhe të drejtpërdrejta kundër Belinda Ballukut dhe brohorasin “Rama ik”.

Protestuesit nisen drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë
Protesta e Partisë Demokratike ka nisur ndryshe këtë herë. Qytetarët janë derdhur në rrugët e Tiranës, duke u grumbulluar fillimisht përpara Kryeministrisë.
Më pas, nga aty ka nisur një marshim në kryeqytet, i cili pritet të vijojë drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, me ndalesa të tjera në institucione shtetërore.
Ndërkohë, gjatë marshimit, pranë piramidës, protestuesit kanë hedhur edhe bomba molotov.
Opozita kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe ngritjen e një qeverie teknike për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Berisha: Asgjë nuk e mbron Edi Ramën nga kjo revoltë popullore

‘Asgjë nuk e mbron Edi Ramën nga kjo revoltë popullore’, deklaroi kryetari i PD-së Sali Berisha për gazetarët teska marshimi protestë vijon drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
Berisha tha se kryengritja paqësore e opozitës ka formën e një marshimi revoltë proteste në rrugët e Tiranës për të shprehur zemërimin popullor ndaj kreut të organizatës kriminale të qeverisë shqiptare dhe anëtarëve të saj.
“Pra, kryengritja paqësore e opozitës sot ka formën e një marshimi revoltë proteste në rrugët e Tiranës për të shprehur zemërimin popullor ndaj kreut të organizatës kriminale të qeverisë shqiptare dhe anëtarëve të saj. Pra, për t’i thënë Edi Ramës se jo një Lubi, po edhe 30 Lubi po të largohesh, do jesh ti dhe vetëm ti objekti kryesor i revoltës popullore. Do të jetë Edi Rama dhe vetëm Edi Rama kazus i betejës tonë gjer në largimin e tij” u shpreh Berisha.
Gjithashtu, Berisha shpjegoi dhe arsyen pse marshimi protestë po drejtohet drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
“Aty është një nga kryebanditët e narkoshtetit që quhet Ilir Proda. Ndaj dhe shkon revolta, kryengritja për t’i thënë që aq sa ka të ardhme Edi Rama, aq ke edhe ti. Je një shërbëtor, një mercenar i tij.Aty është natyrisht në zyrën e tij edhe Ergys Agasi. Janë bashkë ata. Ndaj dhe shkojmë aty për t’i shënjuar.Kjo nuk është ndaj policëve të thjeshtë, ju e keni parë qëndrimin tonë ndaj tyre, por ndaj këtij banditi që përbën dhe një nga njerëzit më të rrezikshëm të narkoshtetit. Ne shkojmë gjer atje.”, tha Berisha.
Rama ironizon protestën e opozitës
Edi Rama ka ironizuar protestën e radhës së opozitës, e pesta kombëtare, që po zhvillohet aktualisht para disa institucioneve në Tiranë.
Në një postim në rrjetin social X, kryeministri ka ndarë dy fotografi nga sulmet amerikano-izraelite në Teheran, si edhe një kosh që ka marrë flakë nga molotovët që hodhën protestuesit në Tiranë.
Ai shkruan se ndërsa është me botën e lirë kundër regjimit të Iranit, opozita shqiptare është me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës.
Por në fakt, molotovi tek pehrat ishte një revoltë ndaj Edi Ramës dhe inceneratorëve fantazmë që vetëm marrin lekët e shqiptarëve, ndërkohë që plehrat janë bërë pirg.

