Në përfundim të mbledhjes maratonë të Grupit të PS, kryeministri Edi Rama bërë ndryshime ditën e sotme në Qeveri, ku ka shkarkuar Belinda Ballukun si zv.kryeministre dhe ministre të Infrastrukturës dhe Energjitikës. Në vend të saj si numri 2 i Qeverisë është emëruar Albana Koçiu, e cila ka lënë detyrën e ministres së Brendshme. Po ashtu, në Qeveri ka pasur edhe ndryshime të tjera.
Kryeminstrit Rama nuk i mbeti tjetër zgjidhje veçse ta largonte Belinda Ballukun nga posti i zv/kryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, pasi edhe Gjykata Kushtetuese la në fuqi pezullimin e saj.
Zëvendësuesit ia gjeti brenda rrethit të ngushtë, pa shkuar shumë larg. Në krahun e tij të djathtë, mori Albana Koçiun që deri më tani drejtoi Ministrinë e Brendshme.
Portofolin e Eenergjisë dhe Infrastrukturës, një nga ministritë më të rëndësishme, ia besoi Enea Karakaçit, dikur vartësi i Ballukut.
Karakaçi, së fundmi drejtor i OSHEE-së ka mbajtur disa pozicione në Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës.
Pasi Koçiun e mori një karrige më pranë vetes, Ministrinë e Brendshme që ajo e drejtoi për vetëm 5 muaj ia besoj Besfort Lamallarit, ish-zëvendës ministër i Brendshëm para se Rama në shator ta emëronte ministër Drejtësie.
Drejtësinë ia besoi Toni Gogut, të cilin e shpërblen me një nga pozicionet kryesore kabinetin e tij. Gogu dikur ka qenë ish-zv/ministër i Drejtësisë.
Ai vjen vetëm me rritje në qeverinë “Rama 3”. Pasi nuk arriti të fitonte mandatin e deputetit, Rama emëroi si ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, post që tashmë do ta mbajë deputetja më e re e Vlorës, Eriona Ismaili.
Surprizë ishte largimi i Elisa Spiropalit. Rama vendosi të kthejë në Tiranë një nga figurat më të spikatura të diplomacisë në krye të Ministrisë së Jashtme, Ferit Hoxhën, ish-ambasador i Shqipërisë në BE dhe OBK.
Me këtë lëvizje, Rama largon Spiropalin nga qeveria dhe jo vetëm, i ndëshkuar duket të jetë edhe Pirro Vengu i cili shkarkohet si ministër i Mbrojtjes për t’ia lënë vendin Ermal Nufit, deri sot zëvendës sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë.
‘Furtuna’ Balluku nuk kaloi pa pasoja. Ramës iu desh të riformatonte qeverinë pa bërë ende 6 muaj nga nisja e mandatit të ri, me 4 hyrje të reja jashtë kabinetit qeverisës.
Çka mbetet ende e paqartë është nëse kryeministri Rama do të mjaftohet vetëm me shkarkimin e saj, apo do t’i dorëzohet presionit të drejtësisë së re duke i hequr edhe imunitetin si deputete.
Ndryshimet në qeveri Rama i njoftoi pas mbledhjes maratonë me deputetët dhe ministrat në Pallatin e Brigadave, duke i dedikuar këtyre lëvizjeve të rëndësishme vetëm disa sekonda në fund të takimit.
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pa vonesë në rrjetet sociale për shkarkimin e Belinda Ballukut nga kryeministri Rama dhe ndryshimet e reja në kabinetin qeveritar. Berisha e quan lëvizje të Ramës për të shpëtuar lëkurën dhe thotë se kjo do të shtyjë opozitën për të vijuar protestat. Këtu nuk hezion t’i cilësojë “kryengritje paqësore” protestat e tij me molotovë e dhunë.
Berisha i bën thirrje Ramës të dorëhiqet ose do të përballet me opozitën, një apel i përhershëm i tij.
Lëvizja e fundit e Edi Ramës është një lëvizje me të cilën kërkon të shpëtojë lëkurën e tij. Por është një lëvizje, e cila fton qytetarët shqiptarë, opozitën shqiptare të vazhdojë fuqishëm protestat, pasi kryengritja paqësore e shqiptarëve synon, ka si qëllim kryesor madhor shpëtimim e Shqipërisë nga Rama dhe jo-kukullat e tij.
“Me lëvizjen e tij, ai përpiqet të mashtrojë njerëzit, në një kohë kur ai vet është kreu i organizatës kriminale që drejton. Ndaj dhe, i kërkoj dorëheqjen e tij të menjëhershme, përndryshe do përballet me opozitën dhe mbarë popullin shqiptar. Edi Rama, nuk ka më pranverë për qeverinë tënde dhe për ty. Je shkaku i të gjitha problemeve të mëdha me të cilat përballet sot shqiptarët. Je mater matrix e kësaj të keqe të madhe që ka kapluar qënien, shpirtin, trupin e Shqipërisë”, tha Berisha.

