Në mbledhjen e grupit të PS, kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat se sa më shumë qëndron socialistët qëndrojnë në qeveri, aq më shumë korrupsion ka. Ndalur në shifra, Rama tha se SPAK ka vetëm 10 akuza për korrupsion, 16 për shpërdorim detyre, 15 për pabarazi në tenderë. Kryeministri shtoi se 85% e këtyre rasteve i përkasin 2 mandateve të para, shenjë që sipas tij tregon qartë që korrupsioni po luftohet. Por, kreu i qeverisë i kujtoi SPAK hetimet për krimin shtetëror të 21 janarit, duke ngritur pyetjen pse nuk ka ngut për të ngritur akuzë në një kohë kur 4 varre të vrarësh po presin ende drejtësi.
“Mua më duket sikur nuk shkon që sa më shumë u luftonka korrupsioni, aq më shumë korrupsion paska. Për më tepër për të dhënë për ata që na kanë zgjedhur, një pasqyrë për të parë realitetin, në historinë e SPAK ka vetëm 10 akuza për korrupsion. 16 për shpërdorim detyre, 15 për pabarazi në tenderë. Flas akuza, nuk flas dënime, tani çfarë është e rëndësishme në këto të dhëna. 85% e rasteve i përkasin mandatit të parë dhe të dytë. Një logjikë e thjeshtë të thotë se nuk është se sa më shumë ne rrimë në qeveri ka korrupsion, po sa më shumë që ne jemi në qeveri, aq më shumë luftohet me korrupsionin. Aq më shumë janë edhe rastet të cilat dalin nga varret e të shkuarës, përtej paradoksit dhe nuk rri pa e thënë jashtë tekstit, që 4 varre të vrarësh, janë ende në kërkim të drejtësisë, por nuk ka ngut për të bërë kontrolle banesash, që s’ka nevojë të bëhen në këtë rast, as për të ngritur akuzë për arsye që gjithkush mund ti marrë me mend, por ne nuk i dimë faktikisht se cilat janë. Fakt tjetër është që Shqipëria renditet nga KE, në endin e parë në rajon për integritetin e prokurimeve publike”, tha Rama.
Duke e cilësuar veten dhe qeverinë e tij si mbështetësi më i madh i drejtësisë së pavarur, Rama tha se pushteti gjyqësor reagon me shkrime nervoze ndaj deklaratave të tij kritikuese. Ndërkohë thotë Rama, Sali Berishës, referuar si paraardhësi i tij, nuk i artikulohet asnjë deklaratë kur përpara SPAK del dhe nuk kursen aspak prokurorin e posaçëm Altin Dumanin.
“Kur dëgjoj që një gjykatës i thotë prokurorit: rëndoje dorën, se e ke të lehtë akuzën, apo një tjetër gjykatës në apel i jep një dënim edhe më të rëndë se ai që kishte në shkallën e parë. Halli më i madh është se nuk ka asnjë reflektim të dukshëm në pushtetin gjyqësor. Këtë perceptim shqetësues ma forcon një fakt: që kur unë ngre shqetësime, këshillat e gjyqësorit dhe prokurorive më ngjeshin si pullë poste mbi fjalët e mia ca deklarata nervoze, si ca njerëz që një daulle dasme i prish gjumin e drekës, me ca thirrje për ca aktorë politikë për të mos i bërë presion drejtësisë, bla bla bla. Tani, në këto kohë, atij që nuk u bë dot pasardhësi im, pasi ishte paraardhësi im, nuk ia artikulojnë dot një deklaratë, por gjysmë llafi, dhe pasi del dhe lexon librin e shtëpisë, prokurorit më kurajoz mu te dera e SPAK. Të merren me mesazhin, jo me mesazherin, se paguhen i frëngu pulën, bashkë me sekretarë e këshilltarë, nga unë që ua kam dorëzuar shpatën e drejtësisë së pavarur, që rrinte në zyrën time që nga viti 1992. Kurrë nuk do të ndërhyjmë në çështjet e drejtësisë, sigurinë juridike të qytetarëve, garancitë e procesit”, tha Rama.
Shefi i qeverisë nuk zbuloi ende se çfarë qëndrimi do të mbajnë për kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, për të cilën tha se do të flasë pasi të njihet me raportin e Këshillit të Mandateve. Vetë zv.kryeministrja Balluku nuk i është bashkuar mbledhjes, ndërsa pas fjalës së Ramës ministrat do të raportojnë për punën e tyre.
Kryeministri Edi Rama thotë se ia ka refuzuar 3 herë dorëheqjen Belinda Ballukut, për të cilën SPAK kërkon arrestimin. Rama tha se për këtë çështje do të presë raportin e Këshillit të Mandateve, ndërsa shtoi se qeveria nuk mund të futet në vallen e dorëheqjeve kur ngrihet një akuzë.
“Nuk do merrem me procesin që ka nisur në Kuvend se do pres raportin e Këshillit të Mandateve. Por dua të ndaj me ju, diçka që e kam thënë pa praninë e publikut. Balluku ma ka dorëzuar dorëheqjen 3 herë, që kur iu ngrit akuza, jo për korrupsion. Ndërkohë që tenxheret bëjnë llogaritë duke marrë shumat për të ndërtuar veprat, akuza nuk është për korrupsion, por për pabarazi në tenderë, pastaj ma ka sjëllë me shkrim kur u bë pezullimi dhe pastaj edhe njëherë kur u ripezullua nga mosvendimi i GJK. Kam bindjen që në këtë fazë revolucionare, kur ndryshe nga vendet me drejtësi, në Shqipëri drejtësia sapo ka nisur ta shijojë pavarësinë, nuk mund të futemi në vallen e dorëheqjeve kur ngrihet një akuzë. Ne bëjmë punën tonë, drejtësia të vetën. E di praktikën europianë të dorëheqjes morale, por sot në Shqipëri kur përmes SPAK, drejtësia ka nisur të bëjë një shërbim të pamohueshëm për vendin dhe po bën dëm serioz kolateral për administratën, duke e përmbysur parimin e prezumimit të pafajësisë, mekanizmi i qeverisë së vendit nuk mund të ç’kurdiset kur prokuroria ngre një akuzë”, tha Rama.

