Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian diskutoi sot draft-raportin për progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit.
Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian (AFET), David McAllister, tha se Tirana duhet të intensifikojë punën për t’iu përafruar standardeve të Bashkimit Europian. Theksin e vuri tek miratimi i legjislacionit, për të cilin tha se nuk është i mjaftueshëm vetëm përshtatja e ligjeve shqiptare me ato europiane, por edhe implementimi i tyre.
Ndërkohë, eurodeputeti Andrey Kovatchev përmendi “çështjen Balluku” duke thënë se hetimet nga SPAK duhet të vazhdojnë të pacenuara dhe se kërkesa për heqjen e imunitetit duhet të marrë një përgjigje pa vonesë nga Kuvendi. Kritika pati dhe për nismën ligjore të mazhorancën për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale.
“Lufta kundër korrupsionit duhet të japë rezultate edhe më konkrete. Institucione si SPAK duhet të veprojnë të pavarur dhe në mënyrë efeciente, të lira nga presioni politik. Hetimet që janë në vijim, përfshirë atë të Zv. Kryeministres duhet të vazhdojnë pa asnjë ndërhyrje. Zbatimi i ligjit nuk mund të jetë selektiv. Shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imuniteti pa asnjë vonesë është përgjegjësi e parlamentit. Jam i shqetësuar për amandamentet në Kodin e Procedurës Penale për të mbrojtur zyrtarët nga pezullimi kur janë nën hetim”,- tha Kovatchev.
Raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, tha se në Shqipëri korrupsioni mbetet një shqetësim i madh që kërkon adresim, sikurse edhe shqetësimi për blerjen e votave në zgjedhjet parlamentare.
“Klima politika nuk është më e mira e mundshme. Ka shqetësime në lidhje me zgjedhjet, për dyshime për blerje votash, por gjithashtu ka shqetësime në lidhje me miniminim e bashkëpunimit politik, radikalizimin e politikës. Sidomos javët e fundit ka pasur një radikalizim, të fortë për ta bërë politikën në rrugë dhe jo në sallën e Parlamentit. Korrupsioni mbetet shqetësim i madh që kërkon adresim. Prioritet tani duhet të jetë mbylla e kapitujve të negocimit me ndryshim konkret. Objektivi për 2027-ën është shumë më i arritshëm”- tha Schieder.
Eurodeputeti Michael Gahler u shpreh se vizita e fundit në Shqipëri dha një pasqyrë të qartë mbi situatën në terren, duke theksuar se progresi duhet të matet me rezultate konkrete dhe jo me deklarata politike. Ai nënvizoi se shqetësimet e shoqërisë civile tregojnë praninë e strukturave të rrënjosura korruptive dhe të lidhura me krimin e organizuar, që shtrihen deri në nivelet më të larta të pushtetit.
Gahler solli si shembull rastin e Belinda Ballukut, duke theksuar se pavarësisht vendimit të Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë që i jepte të drejtë veprimi SPAK, mazhoranca refuzoi heqjen e imunitetit. Sipas tij, BE duhet të insistojë që shteti i së drejtës të zbatohet pa përjashtim përpara çdo hapi drejt anëtarësimit.
“Edhe unë pata kënaqësinë të marr pjesë në këtë vizitë javën e kaluar. Falënderoj kolegun Shieder, si edhe raportuesin e EPP-së, dhe jam pothuajse plotësisht dakord me gjithçka që u tha. Mendoj se vizita në Shqipëri ofroi një pasqyrë të qartë dhe të vlefshme mbi situatën në terren.
Kryeministri, gjatë darkës ku na ftoi, ishte në formë shumë të mirë dhe takimi ishte mjaft i këndshëm. Megjithatë, kjo nuk duhet të na shpërqendrojë nga vlerësimi objektiv i realitetit, veçanërisht në lidhje me kapitujt e negociatave që janë hapur apo mbyllur. Siç u theksua me të drejtë, “prova e pudingut është në të ngrënë”, pra, ajo që ka rëndësi është zbatimi konkret në praktikë dhe rezultatet reale në terren.
Përshtypja ime, e cila shkon përtej takimeve që zhvilluam si me përfaqësuesit e mazhorancës, ashtu edhe me ata të opozitës është se informacionet dhe shqetësimet e ngritura nga organizatat e shoqërisë civile ishin veçanërisht domethënëse. Ato nxorën në pah ekzistencën e strukturave të rrënjosura që nuk mund të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian duke vazhduar të funksionojnë si më parë. Ekzistojnë struktura korruptive dhe aktivitete të krimit të organizuar që, sipas të dhënave të paraqitura, shtrihen deri në nivelet më të larta të pushtetit.
Mendoj se rasti Balluku është një ilustrim i qartë në këtë drejtim. Pavarësisht se Gjykata Kushtetuese u shpreh se SPAK kishte të drejtë të vepronte, mazhoranca refuzoi të heqë imunitetin. Kjo, në vlerësimin tim, tregon qartë qëndrimin e saj kur bëhet fjalë për përballjen me pretendime serioze dhe hetime në këtë fushë.
Kjo situatë duhet të ndikojë edhe në qëndrimin tonë. Duhet të insistojmë që parimi i shtetit të së drejtës të zbatohet pa përjashtim për të gjithë dhe që strukturat problematike të çmontohen përpara çdo anëtarësimi. Struktura të tilla nuk duhet të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.”– tha Gahler.
Eurodeputeti Thomas Waitz tha se duhet të vijojë avancimi i pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri.
“Pavarësia e gjyqësorit është pikë kyçe dhe avancimi duhet të vijojë. Jo vetëm legjislacioni por edhe implementim i mirë. Fakti që SPAK ka pasur kapacitetin që të arrestojë zyrtarë të nivelit të lartë tregon se kanë kapacitet dhe kjo është një shenjë shumë e mirë. Na duhet të shohim më shumë gjithë-përfshirje, sidomos të shoqërisë civile”,- tha Waitz gjatë prezantimit të draft-raportit për progresin e Shqipërisë .
Në fund të diskutimeve, Përfaqësuesja e Komisionit Evropian tha se reforma elektorale dhe polarizimi politik janë shqetësimë serioze, ndërsa pati kritika edhe për për situatën e mjedisit.
“Raporti i paraqitur këtu është shumë i balancuar. Reforma elektorale dhe polarizimi politik janë shqetësuese. Ne kemi punuar ngushtë me palën shqiptare për sundimin e ligjit dhe pavarësinë shqiptare. Hapat e Shqipërisë për transparencën e pronësisë mbi median është një hap i mirëpritur. Ne kemi shqetësime për situatën e mjedisit, të cilat i kemi përfshirë në qëndrimet e kapitullit 27”– tha përfaqësuesja e Komisionit Evropian.

