Sikurse përflitej, mazhoranca ka marrë vendimin të mos e pranojë kërkesën e SPAK, për arrestimin e numrit 2 të qeverisë, duke theksuar se për rastin e Belinda Ballukut mjaftojnë masat e marra, pra mjafton pezullimi. Deputeti i PS-së, Ulsi Manja, (duke marrë atrbutet e gjykatës) deklaroi se masat e vendosura në fuqi janë të mjaftueshme për nevojat e hetimit.
Pritet ditët në vijim se çfarë do të ndodhë dhe gjithçka varet nga vendimi politik i PS-së, pasi ai juridik, duket se është rënduar edhe më shumë për Ballukun. Prokuroria informoi se ka prova se disa persona “të fortë” (duke nënkuptuar elementë të krimit të organizuar) kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të zonjës Balluku. Për këtë kanë paraqitur edhe provat në mbledhjen e Këshillit – transkripte të bisedave.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazmend Bardhi, pas përfundimit të mbledhjes, dha hollësi mbi gjithçka ishte diskutuar, duke u shprehur se mbledhja ishte regjistruar nga ana e opozitës dhe se ishte i lirë të tregonte gjithçka, pasi sipas tij, nuk kishte një vendim me votim nga Këshilli i Mandateve që mbledhja të ishte sekret me dyer të mbyllura.
Duke shfrytëzuar këtë hollësi, Bardhi dha detaje nga qëndrimi i Prokurorisë Speciale.
“Prokuroria tha se kur u kërkua ndaj Ballukut masa ndaluese, ajo rrezikonte dënim në maksimum deri në 10 vite burg. Sot që flasim, u shprehën prokurorët, nëse provohen të gjitha akuzat e ngritura ajo rrezikon në maksimum 35 vite burg”, tha Bardhi, duke iu referuar qëndrimeve në mbledhje.
“Prokurorët në një dëshmi tronditëse i kanë vendosur në dispozicion Këshillit të Mandateve provat konkrete se si Balluku përmes dy formave, të fortëve që kanë kërcënuar me jetë dëshmitarë në çështjen Balluku dhe forma e dytë përmes zyrtarëve, anëtarë të kabinetit të Ballukut, që kanë kërcënuar dëshmitarët se do hiqeshin nga puna familjarët atyre që dëshmonin ndaj Ballukut dhe më pas i kanë ofruar edhe para që të ndryshonin dëshmitë që kanë dhënë”, tha Bardhi.
Për shkak të forcës së kartonit, dhënia e autorizimit për arrestimin ose jo të Belinda Ballukut tashmë nuk është në duart e opozitës.
Kreu i Grupit Parlamentar Socialist. Taulant Balla, la të kuptohet se në fazën aktuale nuk do të aprovojnë kërkesën e SPAK.
“Në përfundim të këtij procesi, duke qenë se pala tjetër e kishte marrë vendimin para se të bëhej shqyrtimi, ndërkohë që në rastin tonë, në emër të 5 deputetëve, kam informuar Këshillin e Mandateve, ne nuk ishim dakord me atë mënyrë sesi është propozuar. Do të keni një informim nga ana ime dhe anëtarëve të tjerë në një nga mbledhjet e para të grupit. Pas atij komunikimi, grupi parlamentar i Partisë Socialiste, në përfundim të këtij procesi, sapo kolegu Ulsi Manja të ketë hartuar raportin në emër të pesëshes sonë. Masa e pezullimit besoj se është e mjaftueshme”, tha Balla.

