Një sasi betoni po derdhet në “Maldivet e vendit tonë” sikurse njihet Ksamili që administrohet nga Bashkia Sarandë. Ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe është Fondi Shqiptar i Zhvillimit po ndërmerr punime për një vepër publike, me kryefjalë betonin, pavarësht problematikave me pronarin e tokës. Punimet që kanë afat 24 muaj, nuk dihet a e kanë kaluar filtrin e lejes mjedisore, pasi në kantierin e punimeve nuk janë ekspozuar të dhënat e investimit përmes një tabele, sikurse është detyrimi ligjor.
Mësohet se Fondi Shqiptar i Zhvillimit është investitori i kësaj vepre dhe nuk dihet kush e ka garantuar që trualli është publik.
Voicenews, ka sjell edhe më parë video të dërguar nga banor apo pushues që përshkruajnë mësëmiri katandisjen e bregdetit të Sarandës. Dikur një perlë e bregdetit shqiptar, qyteti i 40 shenjtorëve, vendi i 300 ditëve diell në vit, Saranda sot është kthyer në një oaz të shpërfytyruar dhe dergjet e betonizuar në mënyrë të pakthyeshme. Ndërtesat që i ngjajnë “përbindëshave në të gjithë vijën bregdetare bllokojnë edhe rrezet e diellit të cilat bien vetëm gjatë mesditës për shkak të “gllabërimit” që i ka bërë betoni gjelbërimit.
Që në hyrje Saranda paraqet një fytyrë të shpërfytyruar, pishat dhe ullishtat e dikurshme janë zëvendësuar nga ndërtimet pa kriter, me lartësi e ngjyra të ndryshme, vila e pallate, një rrëmujë e plotë që orientimin ta bën sfidues në kuptimin pezhorativ të fjalës. Problematika del në pah më së miri gjatë sezonit të verës, ku Saranda e betonizuar pa asnjë plan të mirëfilltë urbanistik ku mungon infrastruktura rrugore dhe ju “nxin jetën” pushuesve që presin me orë të tëra në trafik të rënduar.

