Kryedemokrati, Sali Berisha në fjalën e tij në protestën kombëtare, duke akuzuar Edi Ramën si tradhëtari numër një i kombit shqiptar. Berisha iu drejtua protestuesve duke thënë se dita e sotme, është sipas tij një nga momentet më të shënuara të historisë kombëtare, teksa rikujtoi ngjarjet e 20 shkurtit 1991, kur dhjetëra mijëra qytetarë, të mbledhur fillimisht në Qytetin Studenti në mbështetje të grevës së studentëve, marshuan drejt Sheshit Skënderbej. Berisha bëri më tej një paralelizëm mes regjimit komunist dhe situatës aktuale politike, teksa u shpreh se Edi Rama i ka ditët e numëruara.
Pas përfundimit të fjalimit të liderit të opozitës, Sali Berisha, protesta para Kryeministrisë kaloi në tensione, në një skenar të ngjashëm me tre tubimet e mëparshme. Fillimisht, një pjesë e protestuesve hodhën fishekzjarrë dhe molotovë në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Policia reagoi duke përdorur autobotin me ujë për të shpërndarë turmën.
Gjatë përplasjes, një prej molotovëve preku edhe mjetin e policisë, por situata u vu nën kontroll brenda pak minutash. Më pas, protestuesit u zhvendosën drejt godinës së Kuvendit, ku pritet të vijojë tubimi. Në zonë janë vendosur forca të shumta policie për të garantuar sigurinë dhe për të parandaluar incidente të tjera.

Në mbrëmjen e 20 shkurtit, janë shoqëruar gjithsej 52 persona në ambientet e Policisë së Tiranës. Nga këta, 17 persona janë arrestuar, ndërsa 35 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Kujtojmë se pas përfundimit të fjalimeve protesta u shoqërua me incidente. Disa protestues hodhën koktej molotov në drejtim të godinës së Kryeministrisë, ndërsa policia reagoi duke përdorur dhunë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës. Më pas protesta u zhvendos drejt Kuvendit të Shqipërisë. Edhe në këtë zonë u raportuan sërish incidente, ndërsa policia ndërhyri përsëri me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Si pasojë pati edhe disa të lënduar që u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, nga Komisariati Nr. 1, tha për mediat se një prej protestuesve të shoqëruar është dhunuar nga policia dhe, sipas tij, është mbajtur në komisariat në kundërshtim me ligjin, edhe pse kishte nevojë për ndihmë mjekësore. Ai tha se pas ndërhyrjes së deputetëve të opozitës, personi në fjalë është transportuar me ambulancë drejt Spitali Universitar i Traumës për trajtim.

