Pas kundërpërgjigjes së kryeministrit Rama, ka reaguar edhe Shoqata e Prokurorëve. Ata shprehen se presioni nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës. “Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të zhvillimeve të fundit dhe debatit publik rreth gjykimit kushtetues mbi pagat e magjistratëve, në përmbushje të misionit dhe veprimtarisë së saj, e konsideron të domosdoshme të shprehë një qëndrim zyrtar në funksion të mbrojtjes së parimeve të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson se debatet publike për çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme, të balancuar dhe me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve. Çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës” thuhet në deklaratë.
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë thekson se i bashkohet qëndrimeve publike dhe kërkimeve të argumentuara tashmë në mënyrë shteruese nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese. “Theksojmë se çdo ndryshim ligjor që passjell regres në standardet e njohura më parë dhe ulje të pagave të magjistratëve, përbën cenim të garancive kushtetuese. Në një shtet demokratik dhe të së drejtës, pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë në tërësi përbën një parim themelor, i cili duhet të respektohet nga të gjithë aktorët institucionalë dhe publikë, veçanërisht në faza të ndjeshme përpara vendimmarrjes. Në këtë kontekst, gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik” thuhet në deklaratë.
Në përfundim Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë u shpreh duhet pritur Gjykata Kushtetuese si autoriteti i vetëm legjitim të thotë fjalën përfundimtare në këtë proces.

