6.5 C
Tirana
Wednesday, February 4, 2026

Deklaratat e Ramës për pagat e gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve: Nuk mund të heshtim përballë përbaltjes kryeministrore, tërësisht histerike

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka reaguar lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama rreth kërkesës së tyre në Gjykatën Kushtetuese për rritjen e pagave.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, gjyqtarët i cilësojnë “përbaltje publike, mediatike, tërësisht histerike” deklaratat e kreut të qeverisë “për një vendimmarrje dhe proces kushtetues që duhet të zhvillohet në sallën e gjykimit”.

“Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve e Republikës së Shqipërisë e ka ndjekur me keqardhje dhe shqetësim fushatën e spekulimeve publike të ndërmarrë nga kreu i Këshillit të Ministrave dhe gjithashtu edhe zhvillimin mediatik të saj, që kulmoi mbrëmjen e kaluar. E gjithë kjo tymnajë populiste është krijuar dhe shpërndarë me qëllim linçimin e gjyqtarëve dhe shoqatave të tyre lidhur me një proces gjyqësor kushtetues, i cili ndodhet në fazën e vendimmarrjes përfundimtare në Gjykatën Kushtetuese. Ndaj e vlerësojmë të nevojshme, jo të argumentojmë drejtësinë kushtetuese të pretendimeve të parashtruara në dy kërkesat e paraqitura, pasi artikulimi juridik dhe parashtrimi i tyre në gjykatën e ligjeve tashmë është një fazë e mbyllur procesi, por të mos lejojmë keqinformimin e publikut mbi qëllimet e këtyre iniciativave gjyqësore. Në respekt të parimeve të shtetit të së drejtës dhe standardeve të përbotshme demokratike dhe qytetare që Republika jonë aspiron, ne nuk mund t’i lejojmë vetes që të ushtrojmë presion mbi Gjykatën Kushtetuese, t’i intimidojmë gjyqtarët, t’i kërcënojmë apo t’u prishim atyre qetësinë e meshës, që duhet të ketë faza e mbrame e procesit, ajo vendimmarrëse. Tashmë ka vetëm një zë legjitim që duhet të dëgjohet dhe se ai zë i takon vetëm artikulimit të vendimit nga Gjykatës Kushtetuese.

Por ne nuk mund të heshtim përballë përbaltjes kryeministrore, publike, mediatike, tërësisht histerike, që synon të ndezë kundërshtitë në opinionin publik për një vendimmarrje dhe proces kushtetues që duhet të zhvillohet në sallën e gjykimit. Në gjithë këtë fushatë qeveritare dhe të shumëzuar mediatikisht, të nxitur dita-ditës për të krijuar furinë populiste kundër një procesi gjyqësor kushtetues, duhet që të përmenden disa fakte historike, të cilat neglizhohen për t’u cituar, qëllimisht nga disa dhe nga padijenia e mirëkuptueshme e të tjerëve”, thuhet mes të tjerash në deklaratën e gjyqtarëve…

“Përmes këtij reagimi kërkojmë që të përcjellim publikisht se të gjitha iniciativat civile dhe kushtetuese të shoqatave të gjyqtarëve nuk kanë si qëllim “rritjen e pagës”, një term ky i zgjedhur qëllimisht, i gënjeshtërt dhe spekulant, vetëm e vetëm për t’i kundërvënë procesit gjyqësor kushtetues populizmin, si armë e pafuqisë juridike dhe e fuqisë së përbaltjes. Gjithë këto iniciativa kushtetuese dhe civile të shoqatave të gjyqtarëve nuk janë ndërmarrë ndër vite për të përcjellë në publik debatin e gënjeshtët se cili profesion është më i rëndësishëm dhe se cili duhet të paguhet më shumë. Në këtë histori kundërshtimesh kushtetuese, tashmë prej 10 vitesh, nuk është pushteti gjyqësor që po kërkon t’i imponohet pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Ky është spekulim. E vërteta është se janë këto të fundit që kërkojnë të çbëjnë nenin 138 të Kushtetutës dhe bashkë me të edhe qëllimet kushtetuese se pse një normë e tillë është sanksionuar nga viti 1998. Ky është një qëllim keqdashës i fushatës publike të nisur për ta shndërruar procesin gjyqësor kushtetues në gjyq popullor.

Vlerësojmë se sjellja e shoqatave të gjyqtarëve, ndër vite, në këtë drejtim nuk duhet të perceptohen si destabilizuese për vendin, as nga pikëpamja sociale, ligjore dhe as nga pikëpamja financiare. Përkundrazi, përpjekjet për t’i paraqitur ato në këtë mënyrë përbëjnë një tjetër qasje spekulative. E gjithë kjo sipërmarrje civile e shoqatave të gjyqtarëve përballë këtyre iniciativave qeveritare dhe legjislative, haptazi apo fshehtazi antikushtetuese, duhet të vlerësohet se vetëm kontribuon në forcimin e parimeve të shtetit të së drejtës, demokracisë, pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe gjithashtu edhe emancipimit të magjistratëve. Kjo sjellje duhet të reflektojë në publik vetëm ndjenjën e vendosmërisë qytetare për të mos lejuar nëpërkëmbjen nga asnjë pushtet”, përfundon deklarata e shoqatës së gjyqtarëve.

Përmes deklaratave të herëpashershme Rama e ka konsideruar kërkesën e gjyqtarëve në Kushtetuese për rritje të pagave “një praktikë të paprecedentë dhe të dëmshme për ekzekutivin dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri”.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat