14.5 C
Tirana
Wednesday, February 4, 2026

“Beteja sapo ka filluar”, Rama i kundërpërgjigjet gjyqtarëve: Kanë kaluar çdo kufi, sulmojnë publikisht qeverinë për paga

Pas reagimit të Shoqatës së Gjyqtarëve, Rama është kundërpërgjigjur ashpër nëpërmjet një bashkëbisedimi “live” në rrjetet sociale ku deklaroi se nuk ka as ligj e kushtetutë që ua jep atyre këtë të drejtë. Rama u shpreh se gjyqtarët kërkojnë 37 milionë euro plus nga buxheti i shtetit për t’i rritur pagat vetes. Rama thekson se me qëndrimet publike që ka mbajtur, nuk ka përmendur asnjë emër, por ka reaguar ndaj kësaj kërkese që sipas tij nuk është e drejtë. Kryeministri përmendi shembuj konkret, teksa tha se vetëm për një gjyqtar të Gjykatës së Shkallës së Parë kërkojnë një rritje mujore page nga 3360  euro në 5300 euro, ndërsa për të Apelit nga 3480 euro në 5500 euro.

Kryeministri tha se ajo që e bën edhe më serioze çështjen është fakti se gjyqtarët në Shqipëri marrin më shumë pagë sesa vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi dhe krahasohen me ato që ka Greqia.

“Unë e kam provuar linçimin, është diçka krejt tjetër nuk ka lidhje fare me një qëndrim publik ku nuk është as përmendur njeri me emër dhe as është fyer njeri, por është ngritur një problem i madh serioz. Ju kërkoni 37 mln euro plus nga buxheti i shtetit për t’i rritur vetes tuaj pagat. Shqiptarët duhet të dinë se ju kërkoni që për gjyqtarin e shkallës së parë paga të shkojë nga 3360 euro në 5300 euro, për të apelit nga 3480 euro që është sot, në 5500 euro. Ju kërkoni që paga në gjykatën e lartë të shkojë 5800 euro dhe të Prokurorëve të SPAK, të cilët i veçoj se nuk i është bashkuar kësaj përpjekje absurde dhe respekte, për ta çuar pagën e vet 9800 euro” tha Rama.

“3 mijë euro doni t’i rrisni vetes në muaj me një vendim gjykate. Çfarë kërkoni? Ajo që e bën edhe më serioze këtë situatë, është se pagat tuaja, janë pagat më të larta goxha më të larta se në rajon, se në RMV, Mal të Zi dhe janë të barabarta me një vend të BE si Greqia. Sot ju i keni pagat sa në Greqi, dhe doni ti rrisni me nga 3 mijë euro në muaj, në emër të çfarë në emër të ligjit e kushtetutës? E pavërtetë, nuk ka ligj e kushtetutë që iu jep juve këtë të drejtë.”, u shpreh Kryeministri Rama.

Sipas Ramës, “ju me këtë tentativë në GJK doni të jeni ligji.” Po ashtu, shtoi ai, Shoqata e Gjyqtarëve arriti në pikën që të sulmonte publikisht qeverinë dhe kryeministrin.

“Si arrini deri në pikën që të sulmoni publikisht qeverinë, kreun e këshillit të ministrave, mediave de t’i akuzoni të gjithë për histeri. Për çfarë histerie e keni fjalën? 37 mln euro plus që kërkoni nga buxheti janë para që duhet të hiqen nga diku tjetër”, shtoi kryeministri.

Mes të tjerash në reagimin e tij, kryeministri Rama është shprehur se në viti  2016 është bërë një rritje rroge e madhe për gjyqtarët, ndërkohë që i është drejtuar Shoqatës së Gjyqtarëve se qeveria e tij është garant i pavarësisë së tyre.

“Në 2016 u bë një rritje e jashtëzakonshme pagash për ju. Nga vendimi i 2016-ës te krijimi i mundësive për të pasur atë fond pagash duhej një kohë. Kur kemi kaluar këtë paketë, Shqipëria nuk ishte kjo. Kjo Shqipëri ka mundësi për gjëra që nuk i kishte në 2016-ën. Ajo hapësirë kohore për t’ju rritur pagat ju, ishte një hapësirë kohore e llogaritur me laps e letër. Si mund të jetë kjo me çelës magjik për t’i rritur pagat një grupi interesi dhe të bëhet qysh nesër. Kjo bëhet me hapa. Ju vazhdoni dhe me një gjë tjetër që habitem si e diskutoni akoma. ju keni shkuar në Gjykatën Kushtetuese për t’i rritur pagat atyre që i hoqi vetingu. Ju keni shkuar në GJK për t’i kërkuar taksapaguesve shqiptarë se dhe ata që ishin korruptuesit dhe gjakpirësit e sistemit të drejtësisë meritonin rritje pagash njësoj si ata që kaluan vetingun. Si mund ta fusni këtë në radhën e pretendimeve që keni nga kjo qeveri e poshtër, e cila ka bërë një reformë historike dhe e cila ka bërë atë që kolegët tuaj, nga viti 2012 dhe deri sa u bë kjo reformë do e kishin ëndërruar por nuk e kanë prekur dot” tha Rama.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat