Kreu i Lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” ka folur për bashkëpunimin me partitë e tjera opozitare. Qori tha se nuk ka si të bashkëpunojë me Metën dhe Berishën, kur mendon që ata duhet të ishin në burg. Sa i përket Berishës, Qori u shpreh se me kryedemokratin ka mospajtueshmri dhe për oligarkët. Më tej, Qori tha se Rama dhe PD nuk janë kundërshtarë me njëri-tjetrin, por praktikisht janë bashkë që të rikonstruktojnë ligjet themelore të vendit.
“Qëndrimi im është që duhet të jenë të gjithë në burg, e në qoftë se unë mendoj që Ilir Meta është mirë aty ku është, unë nuk kam si të bashkëpunoj me partinë e Ilir Metës, në qoftë se unë mendoj që Sali Berisha e ka vendin në burg, një lloj siç mendon edhe SPAK-u në akuzat që ka nxjerrë, unë nuk mund të ndaj të njëjtën platformë, të njëjtin aksion politik. Me Sali Berishën, një papajtueshmëri e dytë ka të bëjë me pjesën e dytë dhe shumë pak të folur të atyre që janë përgjegjës për korrupsionin, pra për korruptuesit, për oligarkët. Partitë e tjera politike në Shqipëri ose mendojnë që nuk ka fare oligark, ose mendojnë që i vetmi oligark është Edi Rama. PD-ja me Edi Ramën nuk është kundërshti e plotë, nuk është kundërshti strategjike. Ata janë praktikisht bashkë, duke u përpjekur nën rrogozë që të ristrukturojnë institucionet për keq dhe ligjet themelore të vendit, sepse kanë interesat përbashkët”, tha Qori.

