Për herë të parë në vendin tonë është zhvilluar ceremonia e hapjes së vitit të ri gjyqësor. Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së vitit të ri gjyqësore, Presidenti Begaj tha se kjo shënon edhe hapjen e një kapitulli të ri, përgjegjësie të përbashkët, duke shtuar se drejtësia është garancia që i jep kuptim shtetit.
“Drejtësia është garancia që i jep kuptim shtetit. Ky vit gjyqësor përkon me 10 vjetorin e Reformës në drejtësi e ndërtuar me mbështetjen e partnerëve. Reforma ishte përgjigje e domosdoshme ndaj një krize të thellë besimi dhe krijoi pritshmëri për drejtësi të larta. 10 vite më pas rezultatet janë të dukshme”, tha ai.
Mdërsa Sokol Sadushi kryetari i Gjykatës së Lartë theksoi se drejtësia duhet të jetë e pavarur në vendimmarrje dhe e denjë në raport me qytetarin. “Drejtësia nuk është vetëm vendimmarrje. Kjo ditë shënon edhe themelimin e një tradite institucionale. Kjo ceremoni ka rëndësi të veçantë dhe sistemi i drejtësisë shpreh rolin e tij në shërbim të qytetarit dhe shtetit të së drejtës”, shtoi ai.
Sadushi shtoi se drejtësia duhet të jetë e arritshme për qytetarin, brenda një kohe të arsyeshme dhe me dinjitet, pasi kur sistemi mbingarkohet dhe qytetari nuk arrin dot në kohë te drejtësia, pavarësia zbehet në efektin e saj më thelbësor, mbrojtjen reale të të drejtave.

