Sikurse e kishte paralajmëruar kohë më parë, Partia Demokratike mblodhi pasditen e sotme, 24 janar, protestën e dytë kombëtare përpara Kryeministrisë e cila zgjati për rreth 3 orë mes fjalimeve dhe përplasjeve.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se ky është kilometri i fundit për të goditur qeverinë e Edi Ramës. Ai u shpreh se opozita që kanë bërë vitet e fundit, ka qenë maratonë jo e lehtë dhe e mbushur me dhunën e narko-shtetit. Berisha akuzoi qeverinë për korrupsion dhe bllokim të drejtësisë, ndërsa theksoi se zemërimi i qytetarëve është i drejtë dhe i ligjshëm.
“Në këtë rrugëtim, ne u ngritëm si feniksi nga hiri dhe arritëm në kilometrin e fundit si partia më e mbështetur nga shqiptarët. Arritëm në kilometrin e fundit pasi plagosëm për vdekje bishën narko-diktaruë. Zoti ju bekoftë. Në rrugëtimin tonë epik, i provuam shqiptarëve dhe botës që jemi të pamposhtur dhe sot, në kilometrin e fundit, jemi më të vendosur se kurrë në objektivin tonë. Sot jemi mbledhur masivisht në këtë protestë madhështore. Secili nga ne duhet të rikujtojë ato që ne realizuam së bashku”, tha Berisha.
Pas fjalimit (pa ndonjë mesazh konkret) të kreut të opozitës Sali Berishës, protestuesit filluan të qëllonin me bomba molotovë dhe fishekzjarrë godinën e Kryeministrisë, ndërsa forcat e rendit iu kundërpërgjigjen me sasi të madhe gazi lotsjellës dhe ujë me piper.
Pas kësaj, protestuesit u zhvendosën drejt godinës së Kuvendit ku u përsërit i njëjti skenar. Ndërsa nga policia u raportua se disa efektivë mbetën të lënduar. Po ashtu, dhjetëra protestues kanë mbetur të lënduar nga përplasja me policinë, mes tyre edhe të mitur.
Të lënduar nga përdorimi i gazit lotsjellës dhe uji me piper mbetën gjithashtu edhe grupet e xhirimit të medieve dhe gazetarët në terren që po ndiqnin protestën kombëtare.
Si para kryeministrisë edhe para Parlamentit zona u rrethua si skenë krimi, ku ekspertët e kriminalistikës mblodhën provat.


