9.5 C
Tirana
Wednesday, February 4, 2026

Si nëpër filma, Altin Ndoci i bën “spektakël” shtetit, duke u arratisur në prani të 5 policëve nga Spitali Rajonal Durrës (E plotë)

I arrestuar me urdhër të SPAK dhe po përgatitej të mbrohej ligjërisht në Gjykatë, Altin Ndoci u arratis si nëpër filma nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit këtë të martë. Ngjarja që do të duhej të ishte e pamundur,  ndodhi në prani të pesë efektivëve të Policisë së Burgjeve, të cilët pavarësisht detyrës, mbetën spektatorë të një arratisjeje të organizuar deri në detaj.

Ndoci ishte shoqëruar në repartin e infektivit për një vizitë mjekësore. Pesë efektivë u angazhuan për ta sjellë deri në spital, por vetëm dy prej tyre e ndoqën brenda. Në një moment që me sa duket nuk ka qenë aspak i befasishëm për të arratisurin, ai ka kërkuar të shkojë në tualet. Sipas raportimeve, Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet dhe është shoqëruar nga dy punonjës të Policisë së Burgjeve.

Sapo ka dalë nga ambientet e tualetit, Ndoci dyshohet se ka goditur të dy efektivët në pjesën e barkut dhe i ka shtyrë, duke përfituar nga situata për t’u larguar me shpejtësi. Në parkimin e spitalit atë e priste një Audi i bardhë.

Makina është larguar në drejtim të Spitallës. Ndoci doli me vrap nga spitali pasi grushtoi rojën, efektiv policie të burgut të Durrësit që e shoqëronte.

Policia u kap gafil

Pas arratisjes nën hundën e 5 efektivëve, një efektiv i Policisë së Burgjeve, i vetëm, me pistoletë në dorë dhe syze, është parë duke kërkuar për të paraburgosurin Altin Ndoci në rrugët pranë Spitalit Rajonal të Durrësit.

Një polic kundër një të arratisuri, pa përforcime, pa bllokim zone, me një të shtënë në ajër si shenjë shprese që i kërkuari ndoshta do të ndalojë nga mirësjellja.

Reagon Drejtoria e Burgjeve: Policët nuk arritën ta ndalonin

Drejtoria e Burgjeve, me anë të një deklarate për mediat, është munduar ta mbulojë skandalin duke u justifikuar se pavarësisht reagimit të forcave të Policisë së Burgjeve, nuk është bërë e mundur ndalimi i tij, ndërkohë që bëhet fjalë për një person të vetëm të paarmatosur në një institucion shtetëror.

Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu sipas raportimeve është pezulluar zinxhiri komandues i burgut të Durrësit.

Akuzat penale ndaj Altin Ndocit

I riu me origjinë nga Puka dhe banim në Tiranë, është arrestuar nga SPAK në Tiranë 6 vite më parë gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, i akuzuar për një sërë ngjarjesh kriminale, pas dëshmive të 3 të penduarve të drejtësisë.

Dëshmia e Klevis Allës, një të penduari të drejtësisë që e humbi këtë status pas disa deklarimeve të rreme, është e para që përfshiu në listën e të dyshuarve për ngjarje të rënda kriminale Altin Ndocin, të paraburgosurin e arratisur nga spitali i Durrësit.

Klevis Alla akuzoi se Ndoci ishte i përfshirë në vrasjen e 4 personave: të dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj në Durrës dhe ekzekutimin e Anxhelo Avdijës dhe Dorian Shkozës po në vitin 2020 në qytetin bregdetar.

Por në prill të 2024-ës, Gjykata e Posaçme pushoi akuzat duke e shpallur të pafajshëm atë. Ishin dëshmitë e Allës që e përfshinë Altin Ndocin në këto 4 vrasje. Për shkak të deklaratave të rreme, Klevis Alla e humbi statusin e të penduarit të drejtësisë dhe u dënua nga Gjykata e Posaçme me 25 vite burg si autor i vrasjes me pagesë të dy vëllezërve Haxhia për llogari të grupit të Talo Çelës, pas mosmarrëveshjeve mbi paratë e grabitura në aeroportin e Rinasit.

Megjithëse mori pafajësi për vrasjet, Altin Ndoci qëndron në paraburgim pasi SPAK ka ngritur akuza të tjera kundër tij, pas dëshmive të një tjetër të penduari të drejtësisë, Nuredin Dumanit, i cili e përfshin në disa ngjarje të rënda.

Ndoci dyshohet si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit në dhjetor 2018 në Peqin dhe plagosjen e Ardit Uruçit, kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” dhe armë pa leje. Kjo ngjarje kriminale dyshohet se është porositur nga organizata kriminale e dy vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat