
Sot rruga që lidh disa lagje në zonën pas Kalasë së Gjirokastrës është bllokuar si pasojë e një rrëshqitjeje të madhe dheu, duke vështirësuar lëvizjen për qindra familje.
Sipas raportimeve të mediave masivi i dherave ka zënë plotësisht segmentin që shtrihet midis lagjeve Manalat i Parë dhe Manalat i Dytë, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve. Rreth 12 mijë banorë rezultojnë të prekur nga kjo situatë.
Bllokimi i rrugës ka detyruar qytetarët të lëvizin në këmbë përmes shtigjeve të improvizuara, në kushte të pasigurta.
Banorët shprehen për mediat se problematika është e njohur prej kohësh dhe lidhet edhe me mungesën e mirëmbajtjes së kanaleve dhe përroit nën urën e Nanxës, i cili sipas tyre nuk është pastruar prej vitesh, duke kontribuar në përmbytje dhe rrëshqitje të mëdha dheu.

