Bashkimi Europian ka shprehur mbështetje të hapur për protestuesit në Iran, duke u rreshtuar në krah të atyre që “po kërkojnë liri”. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se “rrugët e Teheranit, ashtu si edhe qytetet në mbarë botën, po jehojnë nga hapat e grave dhe burrave iranianë që kërkojnë liri: lirinë për të folur, për t’u mbledhur, për të udhëtuar dhe mbi të gjitha për të jetuar të lirë”.
Von der Leyen dënoi ashpër shtypjen e dhunshme të protestave. Ajo theksoi se ata që po dhunojnë protestuesit “do të kujtohen në anën e gabuar të historisë”. Von der Leyen bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë protestuesve të arrestuar, rikthimin e plotë të aksesit në internet dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut, duke nënvizuar se Bashkimi Europian qëndron “plotësisht” në krah të popullit iranian.
Edhe tani, Ali Khamenei shfaqet si zakonisht para mbështetësve të tij, ndërsa në rrugë pritet interneti , protestuesit qëllohen dhe arrestohen. Ai i quan “vandalë që duan t’i bëjnë qejfin Trumpit”. Ndoshta një ditë historia do ta quajë këtë verbëri. Ose arrogancë. Irani, në fakt, ka vite që lëkunded Që nga viti 2009, kur miliona njerëz dolën në rrugë kundër manipulimit të zgjedhjeve, regjimi kishte një shans të reformohej. Zgjodhi shtypjen. Sot është edhe më i dobët: i goditur nga dekada sanksionesh, i izoluar dhe i ekspozuar pas goditjeve që Izraeli i ka dhënë boshtit iranian në rajon.
Këtë herë po ndodh diçka që më parë ndodhte rrallë: pakënaqësia politike dhe ajo ekonomike janë bashkuar. Në rrugë po dalin bashkë të varfërit, studentët dhe tregtarët, të cilët tradicionalisht kanë qenë pranë regjimit.
Dhe mbi të gjitha, është shfaqur një faktor i tretë vendimtar: pakicat etnike. Protestat më të përgjakshme kanë ndodhur në zonat kurde, azere dhe arabe. Nuk është rastësi që Mahsa Amini, simboli i revoltës “Grua, Jetë, Liri”, ishte kurde. Kur të papunët, klasa e mesme dhe pakicat lëvizin së bashku, regjimi e ka shumë më të vështirë të mbijetojë.
Por pushteti ende nuk ka rënë
Regjimi iranian mbetet i fortë. Ka aparate represive besnike dhe mban një kontroll ekonomik mbi familjet: “mbaje djalin në shtëpi ose humb punën”. Frika ende funksionon.
Por ka edhe një dimension tjetër, më të madh se vetë Irani.
Që nga viti 1979, Republika Islamike është armike e Shtetet e Bashkuara dhe Izraelit. Armiqësi e ndërsjellë. Projekti iranian për të eksportuar islamin shiit shihet si kërcënim ekzistencial nga Izraeli dhe strategjik nga Uashingtoni. Ajatollahët kërkojnë ndikim edhe mes sunitëve – pikërisht ajo që SHBA-të nuk e duan: unitetin e botës islame.
Kjo revoltë nuk ndodh në vakum. Ndodh në mes të një lufte të ftohtë rajonale. Dhe kjo e bën më të rrezikshme për regjimin.
Çfarë po bën Amerika?
Uashingtoni e di se nuk mund ta pushtojë Iranin. Iraku dhe Afganistani janë ende plagë të hapura. Megjithatë, Donald Trump ka vendosur një vijë të kuqe: nëse represioni kthehet në masakër, SHBA-të do të ndërhyjnë ushtarakisht, me bomba dhe jo me trupa në terren. Dikur, opozita iraniane e refuzonte hapur ndërhyrjen e huaj. Sot, kjo tabu po lëkundet.
Roli i Pahlavit dhe nostalgjia për monarkinë
Reza Pahlavi, djali i shahut të fundit të Iranit, është vënë në lëvizje. Nga mërgimi, mes Los Angelesit dhe Parisit, ai u bën thirrje iranianëve për revolucion. Pahlavi ka mbështetje të dukshme në diasporë. Madje edhe në rrugë dëgjohen thirrje për kthimin e tij.
Më 13 janar Pahlavi pritet të jetë në rezidencën e Trump në Mar-a-Lago, duke u ofruar si figurë tranzicioni. Nostalgjia për monarkinë po shtohet mbi zhgënjimin ekonomik dhe politik. Por a mjafton kjo për ta rrëzuar regjimin? Jo.

