3.5 C
Tirana
Thursday, January 8, 2026

Mori para për të shpëtuar nga burgu një biznesmen, SPAK i komunikon akuzon për korrupsion ish-drejtuesit të Prokurorisë Sarandë, Kledian Llaho

Prokuroria e Posaçme (SPAK) i komunikoi akuzat dy ish-prokurorëve të Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, konkretisht ish drejtuesit Kledian Llahon, i cili akuzohet për ‘korrupsion’ dhe ish-prokurori Çlirim Shahini, që ushtron profesionin e avokatit, i akuzuar për ‘ushtrim të ndikimit të paligjshëm’.

Ish-prokurorët e Sarandës dyshohen se u përfshinë në një aferë korrupsioni për zbutjen e masës së sigurisë ndaj Pando Papuçi, i cili ishte shpallur në kërkim për ‘ndërtim pa leje’.

Ky i fundit, pasi arriti t’i shmangej drejtësisë për dy vite, u arrestua dhe doli para gjykatës për vlerësimin e masës, e cila u gjykua dhe u ndryshua brenda 1 ore nga gjyqtarja me kërkesë të prokurorisë.

SPAK thotë se ish-prokurorët i kanë kërkuar para Pando Papuçit në këmbim të ndërhyrjes në procedurat gjyqësore, me qëllim zbutjen e masës së sigurimit ndaj tij.

Këto veprime, të dokumentuara nga organi i akuzës, provojnë ekzistencën e një skeme korrupsioni të organizuar, ku funksionarë të drejtësisë kërkonin përfitime monetare për favorizim në trajtimin e çështjeve penale.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit, e përbërë nga gjyqtarët Edlira Petri, Fatri Islamaj dhe Marsela Pepi, ka konkluduar se Pando Papuçi nuk kishte konsumuar asnjë vepër penale lidhur me ndërtimin pa leje, duke rrëzuar në thelb pretendimet mbi të cilat ishte ngritur çështja ndaj tij. Ky përfundim lë të nënkuptohet se procedimi penal i nisur nga Prokuroria e Sarandës ka qenë i pajustifikuar dhe i mbështetur në baza të dobëta ligjore, duke ngritur dyshime mbi mënyrën se si është iniciuar dhe ndjekur hetimi ndaj tij.

Llaho, sipas prokurores Manjola Kajana, dyshohet se ka marrë 30 mijë euro nga miku i tij, biznesmen. Ky i fundit provohet se vlerat monetare i ka marrë në shtetin grek. Ndërsa prokurori i Papuçit, ish-prokurori Çlirim Shahini, provohet se ka marrë 25 mijë euro në këmbim që t’i kërkonte gjykatës masën “detyrim paraqitje”, ndërsa në total dyshohet se janë paguar 55 mijë euro për një masë sigurimi.

Llaho e kërkoi këtë masë në gjykatë dhe ajo u miratua nga gjyqtarja Edona Vajushi, por për këtë të fundit nuk u provua akuza. Nën akuzë është edhe biznesmeni Vasil Bakalli për korrupsion, i cili dyshohet se ka luajtur rolin e sekserit me prokurorin Llaho.

Kujtojmë se më 8 gusht të këtij viti, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vlerësoi se prokurori i Sarandës, Kledian Llaho, kishte kryer deklarime kontradiktore, të pasakta dhe të pamjaftueshme për pasurinë, si dhe kishte mangësi profesionale, duke vendosur shkarkimin e tij nga detyra.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat