15.5 C
Tirana
Wednesday, December 17, 2025

Gjermania “tregon dhëmbët” lë të hapur mundësinë e dërgimit të trupave paqeruajtëse në Ukrainë

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka lënë të hapur mundësinë e pjesëmarrjes së Bundeswehr-it në një forcë të mundshme shumëkombëshe paqeruajtëse në Ukrainë, duke sinjalizuar një ndryshim të kujdesshëm në tonin e Berlinit për angazhimin pas përfundimit të luftës.

Të njëjtën qasje ka shprehur edhe zëvendëskancelari dhe ministri i Financave, Lars Klingbeil.

I pyetur drejtpërdrejt në një intervistë për kanalin e dytë të televizionit publik gjerman ZDF, Merz shmangu një përgjigje të prerë, por theksoi se e ashtuquajtura “Aleanca e të Gatshmëve” përfshin edhe vende jashtë Evropës, si Kanadaja dhe Australia.

Duke komentuar kundërshtimin e Rusisë ndaj vendosjes së trupave të huaja në Ukrainë, ai u shpreh se “Vladimir Putin ka thënë jo për shumë gjëra, por në fund do të duhet të thotë po kur bëhet fjalë për përfundimin e kësaj lufte”.

“Diskutimi aktual lidhet me periudhën pas përfundimit të luftës. Ukraina do të ketë nevojë për mbrojtje”, theksoi kancelari, duke sqaruar se forcat paqeruajtëse janë vetëm një nga disa angazhime që shtetet e ndryshme po shqyrtojnë në rast të një armëpushimi.

Qëndrimi i Berlinit u reflektua edhe në deklaratën e përbashkët të nënshkruar pas samitit të Berlinit nga udhëheqësit e Francës, Britanisë së Madhe, Polonisë, Italisë, Danimarkës, Finlandës, Holandës, Norvegjisë dhe Suedisë, si dhe nga Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Nga ana e tij, zëvendëskancelari Klingbeil bëri thirrje për kujdes, duke theksuar se nuk duhet “të vendoset qerrja para kalit”. Në një intervistë për Neue Osnabrücker Zeitung, ai nënvizoi se Gjermania, si një nga mbështetëset më të mëdha të Ukrainës, do t’i përmbushë gjithmonë përgjegjësitë e saj. Sipas Klingbeil-it, pyetja kyçe mbetet se si do të reagojë presidenti rus Vladimir Putin.

“Topi është tani në fushën e tij, por kam ende dyshime nëse dhe në çfarë mase ai dëshiron vërtet paqe”, shtoi ai, duke theksuar përgjegjësinë e Kremlinit për viktimat e përditshme të luftës.

Edhe ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, u shpreh me tone të përmbajtura, duke e cilësuar ofertën evropiane si një “njohje të përgjegjësisë së përbashkët”, por duke shtuar se përmbajtja konkrete e saj do të bëhet e qartë vetëm pasi të shihet se si do të reagojë Moska. Deklaratat e fundit tregojnë se Gjermania po përgatitet për skenarë të ndryshëm pas një armëpushimi të mundshëm, por pa marrë ende një vendim përfundimtar për dërgimin e trupave në Ukrainë.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat