5.5 C
Tirana
Tuesday, December 16, 2025

Në ditën e fundit si kryetar, Dumani i kërkon Kuvendit të autorizojë arrestimin e Belinda Ballukut! Rama i kujton SPAK se ka 83 mandate në Kuvend

Pak dita pasi Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë efektet e vendimit të GJKKO-së, duke i hapur rrugë rikthimit në detyrë të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, SPAK ka kërkuar ditën e sotme (16 dhjetor) dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin e saj.

SPAK njofton Kuvendin se Belinda Balluku është marrë në cilësinë e të pandehurit pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.

Gjithashtu, Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:

  1. Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT;
  2. Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2;
  3. Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
  4. Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
  5. Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
  6. Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
  7. Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
Rama reagon pas kërkesës së SPAK:

Që nga dita kur SPAK njoftoi pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra, kryeministri Edi Rama është shndërruar në avokat dhe e ka cilësuar vendimin e SPAK “antikushtetues”, “absurd” dhe “politikisht i motivuar”.

Rama ka refuzuar ta shkarkojë Ballukun, duke deklaruar se “nuk mund të pranojë që një vendim i një gjykate t’i diktojë qeverisë se kush duhet të jetë ministër”.

Menjëherë pas kërkesës së sotme të SPAK, Edi Rama, përmes një postimi në X, shkruan se ende pa u tharë boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori i çështjes ka kërkuar autorizim për arrestimin e zëvendëskryeministres me burg apo në shtëpi.

Rama thotë se arrestet pa gjyq janë kthyer në një “modë të vrazhdë” në Shqipëri, dhe se Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur sesa të burgosur.

Siç duket, Rama kujtohet për mbingarkesën e burgjeve vetëm kur i arrestohen të vetët. Me shumë gjasa, siç bëri edhe më parë, Rama do e mbrojë me “mish e gjak” edhe në Kuvend vartësen e tij të besuar e cila dyshohet se ka hedhur firma të shumta edhe me bekimin e tij.

“Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren – me burg ose në shtëpi.

Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standardet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht.

Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”, tha Rama në një postim në “X”.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat