Pas një mbledhjeje maratonë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi me votim të hapur për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme për 3 vitet e ardhshme. Pas 6 orësh mbledhje, KLP votoi me 7 vota pro Klodian Brahon si drejtues të SPAK, ndërsa Adnan Xholi mori 3 vota dhe Elvin Gokaj 1. Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë.
Votimi:
Sokol Stojani- Adnan Xholi
Moisi Duda – Klodian Braho
Olger Eminaj- Klodian Braho
Erind Merkuri- Adnan Xholi
Mirela P. Bogdani – Klodian Braho
Vatë Staka- Adnan Xholi
Ledina Riza – Klodian Braho
Erind Gërmenji – Klodian Braho
Zeqir Hoda – Klodian Braho
Arta Mandro – Klodian Braho
Erion Fejzulla – Elvin Gokaj
Klodian Braho do të marrë detyrën nga Altin Dumani më 19 dhjetor për të nisur më pas zyrtarisht ushtrimin e funksionit si drejtues i Prokurorisë së Posaçme.
Procesin e ndoqën nga afër përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, mes tyre e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së, Nancy Van Horn, dhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Profili i Klodian Brahos
Klodian Braho u lind në Skrapar më 21 korrik 1982. Në vitet 2000-2004 kreu studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe në 2005-2008 studioi në Shkollën e Magjistraturës. Ai mori emërimin më 14 nëntor 2007.
14.11.2007-2012/ Prokuror pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.
2012-2015/ Prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2014-2015/ Zv.drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2015-19.12.2019/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.
Nga 19 dhjetori 2019 dhe aktualisht është prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Braho është prokurori, i cili ka hetuar inceneratorin e Elbasanit, duke nxjerrë urdhër arresti për shumë persona mes të cilëve, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe duke ndarë hetimin për ish zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.
Braho ka hetuar gjithashtu dosjen 5D duke dërguar në gjyq ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës.
Një tjetër dosje e hetuar dhe e dërguar në gjyq nga prokurori është edhe ajo e njohur si “Toyota Yaris” ku janë të përfshirë edhe shumë njerëz të drejtësisë. Kjo dosje është e ndarë në disa fraksione dhe janë duke u hetuar edhe pjesë të tjera të saj.
Gjithashtu Klodian Braho është pjesë edhe e grupit të prokurorëve që firmosën dosjen për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu, tashmë në proces gjyqësor, nën akuzën për “shpërdorim detyre” në lidhje me rolin e tij si ministër në masakrën e Gërdecit.
Platforma e kreut të ri të SPAK

Kreu i ri i SPAK e nisi prezantimin me profilin e tij dhe karrierën në sistemin e drejtësisë, ndërsa ka listuar edhe disa nga çështjet më të bujshme që ai ka hetuar ndër vite.
“Kam rreth 18 vite në sistemin e Prokurorisë. Kam ushtruar funksionin e Prokurorit në disa zyra të ndryshme të vendit. Në Prokurorinë Vlorë kam qenë pjesë e njësisë Task Forcë në këtë prokurori. Prej ditës së parë të Funksionimit të Prokurorisë së Posaçme jam pjesë e kësaj strukture. Së bashku me platformën time kam paraqitur çështje penale së bashku me zyrtarë të lartë. Në çështjet penale që kam prezantuar lidhur me zyrtarë të lartë kam kërkuar konfiskim e pasurive që shkojnë miliona euro.
Disa nga cështjet janë zhvilluar para se të krijohej SPAK. Ju kam paraqitur cështje penale me zyrtarë të lartë shtetërore dhe funksionarë të drejtësisë, për të cilët jo gjithmonë gjykata ka pranuar kërkesat për masë dënimi. Në këto raste kam paraqitur ankim dhe Apeli ka vendosur sipas kërkesës së prokurorit.
Lidhur me zyrtarë të lartë apo të krimit të organizuar kam kërkuar konfiskimin e pasurive. Dua të sjell në vëmendje vetë një rast në 2023 është konfiskuar një shumë prej 18.4 mln euro, ne origjine nga veprimtaria kriminale, të cilat i përkisnin një organizatë kriminale. Sjell në vëmendjen tuaj se kjo shumë është sa dyfishi i buxhetit të SPAK në atë vit që ka qenë 8.9 mln euro”,- tha Braho ndër të tjera.
Ai deklaroi se është ekspert i veprave që lidhen me korrupsionin dhe teksa foli për pikat e tij më të dobëta, ai tha se duhet të përmirësonte komunikimin në publik.
“S’mendoj se jam perfekt. Si pikë të fortë, do të thoja se jam marrë gjatë me vepra penale që lidhen me korrupsionin. Kam pasur maturinë dhe qetësinë për çështje të tilla. Sa i përket pikës time të dobët, do të tregohem i sinqertë, prokuroria nuk ka qenë siç është sot, as ne nuk kemi qenë të përgatitur për këtë komunikim publik. Kjo është një nga pikat e mia do të thoja të dobëta, që duhet ta përmirësojë. Ne si trupë prokurorësh ndoshta s’kemi qenë të mësuar. Drejtuesi është ai që përfaqëson, por prokurorët se kanë pasur këtë mundësi, ndaj këtu ka vend për përmirësim!”– tha ai.
I pyetur për punën e parardhësve, ai tregoi çfarë do merrte nga Dumani dhe kraja, teksa shtoi me kritikë se ky i fundit duket të kishte qenë më aktiv teksa mbante atë detyrë.
“Nga zoti Dumani do të merrja vendosmërinë dhe nga zoti Kraja qetësinë në kryerjen e detyrës. Kur të dy ushtronin detyrën, institucioni nuk ka qenë i njëjti. Në rastin e zotit Kraja, institucioni duhet të ishte më aktiv. Por ishte një periudhë as 3 vite. Në krahasim me zotin Dumani, do i merrja anën e mirë të produktivitetit. Se kam problem që të përballem me ankesa dhe akuza. Madje akuzat ia kam treguar vetë të pandehurve. Jo të gjithë duhet të shkojnë në burg, por qëllimi është që të fitojë drejtësia.”, tha Braho.

