Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 25 vite burg për Blendi Tetën, për vrasjen e ish-efektivit të Policisë, Santiago Malko. Referuar hetimeve Blendi Teta dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e Santiago Malkos më 27 gusht të 2019.
Blendi Teta, u arrestua në vitin 2019 për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës në lidhje me vrasjen e ish-policit Santiago Malko.
Vendimi u shpall sot nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Tereza Merkaj (kryesuese), Valdete Hoxha dhe Edlira Petri.
Çështja ishte rikthyer për rishqyrtim nga Gjykata e Lartë, e cila kishte prishur vendimin e mëparshëm të Apelit të Posaçëm të datës 14 qershor 2022, duke kërkuar gjykim me një trup tjetër gjykues.
Pas shqyrtimit të ankimit të paraqitur nga i pandehuri Blendi Teta, Apeli vendosi të konfirmojë vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, nr. 05, datë 26 janar 2022, duke e lënë të pandryshuar masën e dënimit.
Njoftimi i gjykates:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Tereza Merkaj (kryesuese), Valdete Hoxha (anëtare) dhe Edlira Petri (anëtare), sot më datë 04.12.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 21.07.2025 regjistrimi.
Kjo çështje është regjistruar pas prishjes nga Gjykata e Lartë të vendimit nr. 32, datë 14.06.2022 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimit për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues – disponuar mbi ankimin e paraqitur nga i pandehuri/ankues B.T., ndaj vendimit nr. 05, datë 26.01.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 05, datë 26.01.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Shpenzimet e gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurit.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall në Tiranë, sot më datë 04.12.2025.

