17.5 C
Tirana
Saturday, December 13, 2025

Klani mafioz shqiptar, 1 milion euro për të vrarë prokurorin belg

Nga Mark Eeckhaut, STANDAARD

Prokurori i Brukselit, Julien Moinil, ka jetuar që nga korriku nën mbrojtje të përhershme, pasi policia federale kishte marrë informacion se po planifikohej një komplot për ta vrarë. Kërcënimet u vlerësuan si shumë serioze dhe konkrete, dhe u hap një hetim gjyqësor. Hetuesit kryen të martën tetëmbëdhjetë kontrolle banesash, kryesisht në Bruksel, por edhe në Leuven. Tetë persona u arrestuan dhe u morën në pyetje.

“Të dyshuarit kryesorë rezultojnë të kenë një të kaluar kriminale në trafikun e organizuar të drogës. Dyshohet se ata janë aktivë brenda mjedisit kriminal shqiptar”, thotë prokuroria federale.

Sipas informacionit tonë, të tetë personat janë pjesë e klanit V., një familje trafikantësh droge me prejardhje shqiptare që jetojnë prej kohësh në Bruksel.

Klani V. e ka një arsye pse donte t’i bënte keq prokurorit të Brukselit. Moinil i nxori ata para gjykatës në vitin 2020 – kur ai punonte ende në prokurorinë federale kundër krimit të rëndë të organizuar – dhe gjykata i dënoi. Në gazetën e Brukselit ‘La Dernière Heure’, e cila e ndoqi procesin në gjykatën e apelit, ata u përshkruan si “Daltonët shqiptarë”.

Klanit V. i atribuohet kontrabanda e kokainës drejt Britanisë së Madhe përmes hapësirave të fshehta në makina, duke nisur nga vendi ynë. Në këtë mënyrë ata dyshohet se kanë kaluar disa qindra kilogramë kokainë përmes kanalit La Manche, në më shumë se dyzet transportime. Përveç kësaj, ata fshihnin kokainë edhe në frigoriferë të mëdhenj dhe e shpërndanin drogën në të gjithë Evropën. Kokainën e sillnin me veliera nga Amerika e Jugut.

Kreu i bandës, Arjan V., u dënua në korrik 2020 nga gjykata e apelit me pesëmbëdhjetë vjet burg, por edhe pjesa tjetër e familjes u dënua rëndë. Asnjë nga të pandehurit nuk dha deklarata gjatë hetimit. Njëri prej tyre ka thënë, sipas ‘La Dernière Heure’: ‘Më mirë shkoj në burg sesa të përfundoj në varreza’.

Moinil njihej që në kohën kur ishte prokuror në prokurorinë federale si një luftëtar i pamëshirshëm kundër krimit. Si prokuror në procesin kundër Klanit V., Moinil ka kërkuar dënime më të rënda në apel. Disa të pandehur në të vërtetë morën dënime më të ashpra. Hetuesit besojnë se komploti kundër Moinil është përgatitur të paktën pjesërisht nga brenda burgut ku janë të mbyllur disa prej figurave kryesore të klanit.

Të martën në mbrëmje nuk dihej ende se sa nga tetë të dyshuarit e arrestuar do të mbaheshin në paraburgim. Po ashtu nuk ishte ende e qartë se në çfarë mase marrjet në pyetje kishin arritur ta forconin çështjen e komplotit për vrasjen e Moinil.

Sipas prokurores federale Ann Fransen, hetimi tregon se policët dhe magjistratët “që luftojnë çdo ditë pa ndërprerje kundër krimit të organizuar”, duhet të mbrohen më mirë. “Ministrja e Drejtësisë (Annelies Verlinden) ka krijuar për këtë një grup pune, edhe me kërkesë të Prokurorisë, në të cilin marrin pjesë edhe magjistratë të prokurorisë federale. Ky grup po përgatit punë legjislative.”

Moinil mori detyrën në janar si prokuror i Mbretit dhe ka deklaruar se misioni i tij është lufta ndaj krimit të organizuar në Bruksel.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat