Që prej së hënës, Shqipëria është nën “pushtetin” e një moti të keq, që ka shkaktuar probleme në pothuajse të gjithë territorin e vendit, duke bllokuar rrugë e banesa, apo edhe rrëshqitje dherash në rrugë nacionale dhe jo vetëm. Paralajmërimi i Institutit të Gjeoshkencës nuk i gjeti të papërgatitur strukturat e Emergjencave Civile, sepse Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile nuk lë asgjë në dorë të rastësisë. Masat për situata të tilla janë marrë prej kohësh dhe ndaj strukturat janë aty, për të përballuar situata të vështira që shkaktohen prej motit të keq.
Nuk ka asnjë rast, kur djemtë e vajzat e Agjencisë Kombëtaret ë Mbrojtjes Civile të jenë dorëzuar, të mos jenë me një plan të qartë, apo të mos kenë detajuar situatat që prekin vendin për shkak të motit, jo vetëm me reshje, por edhe temperatura të larta. Sepse, menaxhimi nga Drejtori i Përgjithshëm i kësaj agjencie Haki Çako, i kënë dhënë rezultatet në të gjithë stinët me probleme, e aq më tepër, kur dihet që Shqipëria konsiderohet një vend me risk të lartë.
Parashikimet për vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje dherash në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër nuk ishin thjesht të tilla, por shkaktuan probleme, madje shumë edhe në zona urbane. Rrezik i shtuar për përmbytje është edhe nga lumenjtë Drinos dhe Bistricë, ndërsa intensiteti i lartë i reshjeve gjatë ditëve në vijim do të rrisë prurjet në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm si Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Vjosa.
Por, të gjitha këto nuk do të bëjnë dëmet e dikurshme, sepse, Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile është aty ku duhet, në detyrë. Dhe detyra nuk është thjesht të jesh prezent, por të kesh bërë më të mirë n për të përballuar situata të tilla. Në fakt, unë shkruesi i këtyre radhëve e di mirë se çfarë ka bërë dhe arritur Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. E njoh mirë angazhimin e tyre, ua njoh vullnetin dhe në shumë raste më ka ndodhur të jem me ta për arsye nga të më ndryshmet, por më së shumti për shkak të një pasioni që kam për operacionet humanitare dhe vullnetarizmi brenda meje. Sepse, për mua vullnetarizmi nuk është pasion, por profesion. Ndaj, gjithmonë admiroj djemtë dhe vajzat e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, sepse ata janë në “luftë”, jo me armë, por më shumë se kaq me motin që të bllokon dhe tregon pabesi.
Por, asgjë nuk është lënë, kur të nisë moti i keq, apo të ndërhyhet kur situata të mos jetë më nën kontroll. Përkundrazi, njësitë e kësaj agjencie që prej muajit shtator, kur moti nuk është në fazën e “egërsisë” janë përgatitur për dimrin dhe pasojat që mund të shkaktojnë reshjet e mëdha të shiut apo borës. Ndërtimi i kapaciteteve është kyç për fuqizimin e institucioneve, përmirësimin e aftësive, sistemeve dhe burimeve, me qëllim kontributin efektiv në arritjen e objektivit të përbashkët.
Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile ka ndërmarrë hapa konkretë për krijimin e një Sistemi Mbarëkombëtar të Paralajmërimit të Hershëm Shumë Rreziqesh, duke mundësuar përgjigje të koordinuara dhe në kohë ndaj përmbytjeve, rrëshqitjeve të tokës, valëve të të nxehtit dhe rreziqeve të tjera të lidhura me klimën.
E deklaruar qartë, që prej momentit të miratimit të Planit Kombëtar të Mbrojtjes Civile, por edhe anëtarësimin në organizma ndërkombëtarë, mbrojtja civile dhe menaxhimi i emergjencave/fatkeqësive fokusohet në fazat kryesore, të cilat normalisht jepen në formën e një cikli, në varësi të shtetit dhe institucionit përkatës. AKMC ka analizuar disa modele, të cilat kanë baza, struktura dhe synime të ngjashme. Cikli i mbrojtjes civile që është përdorur për Shqipërinë, përfshin praktikat dhe standardet më të mira ndërkombëtare dhe garanton se çdo fazë plotëson kërkesat e nevojshme për institucionet, organizatat e ndryshme dhe publikun në Shqipëri.
Rreziku është një element që mund të shkaktojë dëm dhe risku është një matës i mundësisë dhe shkallës së këtij dëmi; hulumtimet dhe ngjarjet e mundshme të ardhshme inkurajojnë këtë qasje dykahëshe në mbrojtjen civile. Qasja e të gjitha rreziqeve është një kuadër gjithëpërfshirës i gatishmërisë ndaj emergjencave që merr në konsideratë të gjithë fushën e emergjencave apo fatkeqësive gjatë planifikimit të kapaciteteve për përgjigje dhe përpjekjeve për lehtësim. Kjo nënkupton se jeni të përgatitur për të gjitha rreziqet apo se mund të përshtateni sipas rastit. Kjo jo vetëm nënkupton, por edhe ka mundësuar ngritjen e strukturave të planifikuara paraprakisht dhe të testuara, duke filluar nga niveli qendror AKMC, e deri në atë vendor, të cilat mund të menaxhojnë risqe të ndryshme dhe emergjenca të njëkohshme. Pak kohë më parë, Raporti teknik i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Zvogëlimin e Riskut të Fatkeqësive (UNDRR) për përcaktimin dhe klasifikimin e rrezikut rekomandonte angazhim aktiv me politikëbërësit dhe shkencëtarët në proceset e vlerësimit kombëtar të riskut të bazuar në prova, në zvogëlimin e riskut të fatkeqësive, si dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të mbështetur në informacionin për riskun, duke detyruar Shqipërinë në këtë mënyrë të ecte me hapat e duhur.

