Pjesëmarrës të Akademisë së Integrimit Evropian dhe Negociatave (AIEN) zhvilluan një vizitë studimore në ambientet e ILD-së, që parashikonte një bashkëbisedim me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë z. Artur Metani, në kuadër të modulit “Shteti i së drejtës” dhe një vizitë në ambientet e ILD-së.
Pjesëmarrësit e kësaj akademie, të angazhuar në administratën publike, institucione jo publike, organizata të shoqërisë civile, juristë e profesionistë të fushave të tjera, u njohën nga z. Metani me rolin dhe funksionet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, proceset e punës dhe sfidat e institucionit, si forcimin e shtetit të së drejtës, ashtu edhe rritjen e besimit të publikut tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë në veçanti dhe sistemi i drejtësisë në përgjithësi.
Takimi vijoi si një bashkëbisedim i hapur mbi sfidat e sistemit të drejtësisë dhe rolin specifik të ILD-së në adresimin e tyre. Inspektori i Lartë i Drejtësisë e vuri theksin tek rëndësia që institucioni i jep respektimit të pavarësisë së magjistratëve dhe balancës me llogaridhënien e tyre, krahas edukimit ligjor, përmes aktiviteteve e takimeve me grupe të ndryshme shoqërore.
Në fund të bashkëbisedimit, pjesëmarrësit e Akademisë së Integrimit Evropian dhe Negociatave zhvilluan një tur në ambientet e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, tek njësitë e Inspektorëve e ndihmës inspektorëve, kabineti dhe administrata e institucionit.

