Ish-Kryebashkiaku për disa, apo Kryebashkiaku i pezulluar i Tiranës, për disa të tjerë Erion Veliaj ka mbërritur nga paraburgimi i Durrësit në Gjykatën Kushtetuese. Veliaj doli me pranga nga furgoni i Drejtorisë së Burgjeve, për të hyrë në sallën e Gjykatës Kushtetuese, ku do të ankimojë shkarkimin e tij nga detyra si kryebashkiak i Tiranës. Mbrojtja e Erion Veliajt argumentoi se veprimet e Këshillit Bashkiak nuk bazoheshin në ligj, por ishin të motivuara politikisht. Sipas avokatit, neni 62, pika c, i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të përdoret për shkarkimin e një kryebashkiaku, pasi neni 115 i Kushtetutës parashikon se qeveria mund të marrë vendim vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës ose ligjeve.
Po ashtu, mbrojtja përmendi gjithashtu kërkesën e këshilltarit Endri Shabani drejtuar këshillit Bashkiak për shkarkimin vetëm pak ditë pas arrestimit të Veliajt në muajin shkurt. Po ashtu edhe kërkesën pas tre muajsh mosparaqitjeje në detyrë të veliajt, të bërë nga këshilltarët e PD-së në Bashki. Këto kërkesa, thotë mbrojtja, nuk u morën parasysh, por në ditën kur u votua propozimi i këshilltarëve socialistë, u votuan edhe këto dy kërkesa të mëparshme.
Erion Veliaj tha në Kushtetuese se në rastin e tij nuk po ndiqet i njëjti standard si me raste të tjera, duke sjellë si analogji kryetarin e bashkisë së Tropojës.
Më tej, Veliaj tha se beteja që ai po bën është për të gjithë pasardhësit e tij teksa shtoi: “Po sikur nesër t’ja bëjnë Ogertës, Florit, apo Arlindit, një masë sigurie. Pra kaosi që kemi tani nuk është asgjë me kaosin nëse kjo do kthehet një standard me kryetarët e bashkive. Kështu që kjo është një betejë edhe për ata që do vijnë pas meje kurdo qoftë ajo ditë”.
Erion Veliaj tha se u ndje shumë i fyer nga bashkëpunëtorët e tij socialistë që kërkuan shkarkimin e tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës me pretendimin se nuk ka qenë për më shumë se 3 muaj prezent në detyrë.
Veliaj u shpreh se “goditja më e rëndë më erdhi nga të mitë”, duke iu referuar bashkëpunëtorëve të tij në bashki që sipas tij, nuk e mbrojtën dhe nuk e dëgjuan.
Veliaj nuk i ka kursyer thumbat ndaj ish-kolegëve teksa u shpreh se “lutem çdo natë për ta dhe them Zot fali se nuk dinë ç’kanë bërë me atë vendim”.
“Kur beson që ke dhënë gjithçka për këtë mandate të qytetarëve, vjen arsyeja për të cilën të largojnë nga detyra. Dhe citoj ‘mosprezenca në detyrë për më shumë se tre muaj’. Nuk kishin se sit ë më fyenin më rëndë sesa kaq. Ka qenë fyerja më e rëndë e jetës time publike dhe këtë e thotë dikush që ka dëgjuar fyerje dhe legjenda urbane pa fund. Por kjo është fyerja më e rëndë sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, nga njerëz që më njohin më mirë se çdokush tjetër. Dhe që nuk denjuan as të më ftonin, as të më njoftonin dhe as të më dëgjonin. Zoti i faltë. Lutem çdo natë për ta dhe them Zot fali se nuk dinë ç’kanë bërë me atë vendim. Ata kanë qenë prezentë të rrëmbimit tim nga burgu. Djalin tim unë e kam takuar më shumë në burg sesa në liri”, tha mes të tjerash Veliaj.
Gjykata Kushtetuese nuk pranon kërkesën e Presidencës për moskompetencë
Gjykata Kushtetuese nuk pranoi kërkesën e Presidencës për të shpallur moskompetencën lidhur me dekretin e Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve vendore për Tiranën, pas shkarkimit të Erion Veliajt nga posti i kryetarit të Bashkisë nga ana e Këshillit të Ministrave.
Gjykata argumentoi se dekreti për zgjedhjet nuk mund të shqyrtohet nga Kushtetuesja. Trupa gjykuese e Kushtetueses tha se dekreti do të trajtohet në themel të çështjes dhe për të do të vendoset në fund si për çdo element tjetër të padisë.
“Çështja e juridiksionit të Gjykatës për shqyrtimin e dekretit të presidentit është e lidhur me themelin e mosmarrëveshjes, kërkesa juaj nuk pranoi në këtë fazë të shqyrtimit, por do trajtohet si pjesë e themelit të çështjes”, tha Holta Zaçaj.

