Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, gjatë raportimit vjetor në seancën plenare në Kuvend shprehu kundërshtinë e tij ndaj propozimeve për ashpërsimin e Kodit të ri Penal, duke theksuar se legjislacioni aktual është mjaftueshëm i rreptë dhe në përputhje me standardet evropiane.
Sipas tij, shtimi i dënimeve dhe kriminalizimi i masave administrative nuk janë qasje efektive për një shoqëri demokratike. Ai nënvizoi se përpara se të mendohet për burgun, duhet të forcohen mekanizmat parandalues dhe socialë.
Çela shtoi se çdo tendencë për të rritur ndëshkimet tregon një drejtim të kundërt me parimet e humanizmit, të cilat qëndrojnë në themel të Bashkimit Evropian dhe duhet të udhëheqin edhe reformimin e sistemit penal shqiptar.
“Në momentin që shkojmë drejt ashpërsimit të dënimeve, po largohemi nga parimet e humanizmit. Humanizmi është thelbi i qasjes që duhet të ketë kodi penal. Shtimi i ndëshkimeve dhe kriminalizimi i veprimeve administrative nuk i bëjnë mirë shoqërisë – përkundrazi, e përkeqësojnë,” theksoi Kryeprokurori i Përgjithshëm.
Kryeprokurori Olsian Çela në përgjigje të pyetjeve të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Pyetjes në lidhje me arrestimin e avokatit Ulian Barjami, ai tha se masa e arrestit me burg e kërkuar nga prokurori ishte ekstreme dhe e pajustifikueshme.
“Përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta lidh me atë që e përmenda në Komisionin e Ligjeve. Kemi sot probleme me realizimin e funksioneve nga prokurorët, sidomos atyre të rinj. Është e papranueshme që nga salla e gjyqit të kalojmë në ndalim. Ne i kemi kërkuar prokurorëve që masa e arrestit të jetë masa e fundit ekstreme, në çdo rast vlerësimi duhet të bëhet shumë i kujdesshëm sesi do i aplikojmë veprat penale. Rasti në fjalë nuk duhej të ndodhte dhe pse mund të ketë hapësirë… masa e arrestit në burg është ekstreme dhe e pajustifikueshme”, tha ai.

