Nga Zamira Voci
Që prej së premtes, ajo që ndodhi në një seancë gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit
është kthyer në kryefjalë e medias dhe padyshim e njerëzve që merren me Drejtësinë.
Një kufi i hollë, e cila kërkon njohuri të mira gjuhësore, e ndau kërcënimin e avokatit
ndaj prokurorit, dhe po aq vijë krejt e hollë e etikës ndau prokurorin dhe gjyqtarin e rastit
në fjalë. Avokati Ulian Bajrami kaloi disa orë në qeli, ku më pas doli, dhe arrestimi u
konsiderua i paligjshëm, madje pa shkuar në gjykatë për vlerësim të masës së sigurisë,
sikurse duhet të ndodhë proceduarialisht. Kjo është pak a shumë fabula e asaj që
ndodhi të premten, e vijon të jetë pjesë e diskutimeve, madje, duke shkuar deri tek
reforma në Drejtësi, cilësia e saj?! Çfarë ka prodhuar?! Pra, më shumë të mira, apo
defekte!
Gjithsesi, ajo që vlen të diskutohet më shumë lidhet me interesin. Kjo ngjarje nxori në
dritë disa fakte. Një prej të cilave lidhet me momentin kur avokatë, ish-deputetë, ish-
ministra, ish-prokurorë, apo ish-gjykatës shfrytëzuan pikërisht këtë për hedhur vrer mbi
drejtësisë. Avokatët u bënë njësh për të mbrojtur një koleg. Ish-deputetët buzagaz për
të sulmuar insitucionet e Drejtësisë, ato, që për ta kanë nisur edhe procedime penale,
sepse kanë abuzuar me detyrën. Ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë u shprehën edhe më të
lumtur me kritikat ndaj sistemit, sepse inatin e shkarkimit të tyre ia faturojnë reformës,
atë për të cilën një Amerikë e tërë ka investuar dhe Bashkimi Evropian ka paguar nga
taksat e qytetarëve të Evropës mbi 200 milionë euro, e ndarë në disa faza. Madje BE ka
shkuar edhe më tej, duke e thënë shkoqur se Reforma në Drejtësi nuk ka kthim pas,
sepse për ta është e papranueshme hedhja në erë e miliona eurove taksa nga
taksapaguesit.
Ndërkohë, prej shumë kohësh, mbrëmjet televizive janë hapësira për persona që në
shumicë (për fat të keq) ose nuk kanë njohuri si funksionojnë ILD, KLGj apo KLP, ose
“shyqyr që erdhi rasti” të shohin interesat e tyre e të sulmojnë nga të gjithë krahët. Për
të qenë më konkretë. Psh, Dhoma Kombëtare e Avokatëve, ndoshta mund të mbronte
një koleg, duke qenë më e ftohtë në qëndrimin e saj për bojkotin 5 ditor. Sepse, as për
vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, avokatët nuk ishin kaq radikalë në qëndrimin e tyre. Së
dyti ka shumë zëra që e lidhin vendimin e kreut të Dhomës Kombëtare të Avokatëve me
procesin që ishte caktuar ndaj Erjon Veliajt, ish-kryebashkiakut të Tiranës që mbrohet
pikërisht nga kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Së treti, akuzat e kryetarit të
dhomës së avokatëve ndaj KLGJ, ILD, apo KLP nuk janë konsideruar nga
konsumatorët e rrjeteve sociale, si parime, por interes personal i tij. E nëse shkojmë
edhe më përtej, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë Maksim Haxhiaj flet për
procedura, si duhet të kryhen, shpejtësia e ILD, apo KLP për masa të menjëhershme në këtë rast dhe jo vetëm, por që në fakt ngjan pak keq. Fiks si shprehja frazeologjike “mos
bëj si bëj unë, por bëj si them unë”.
Sepse, zoti Haxhiaj bën deklarata dhe firmos letra në emër të një bordi pa mandat,
sepse bordit i ka mbaruar mandati 4 vjeçar në vitin 2021, referuar faqes zyrtare të
internetit të Dhomës Kombëtare të Avokatëve dhe nuk dihet nëse është zgjedhur apo jo
ndonjë bord tjetër. Pra logjikisht, çdo deklaratë, apo shkresë e Haxhiajt në emër të
bordit është e pavlefshme, për aq kohë sa vetë bordit i ka mbarur mandati.
Ndaj interesi personal nuk duhet të jetë asnjëherë arsye për të nisur një sulm të paqenë
ndaj atyre që po punojnë për Drejtësinë. Interesi personal nuk duhet të shërbejë për
deklarata të paqëna në media, duke shfrytëzuar rastin e një avokati, që as e kish
menduar, se do kishte kaq shumë përkrahje, e thënë ndryshe qëndrim sindikalist. Në
fakt, bojkoti nuk ishte për Ulianin, por për interesat e disa njerëzve që e kanë ndarë
mendjen të jenë ogur i keq për drejtësinë e re, qofshin këta në krye të Dhomës
Kombëtare të Avokatisë, apo ish-deputetë, ish-gjyqtarë e ish-prokurorë. Sepse, nëse do
ishte për Ulianin, pas daljes së tij nga burgu, do ishte thyer bojkoti, se në fund të fundit
qëllimi u arrit. Uliani doli nga burgu. Kjo do të bënte që avokatët të shkonin në seancat
gjyqësore të klientëve të tyre, kuptohet nëse ndonjë “kleçkë juridike” me bojkot masiv
nuk do çonte “ujë në mullirin” e ndonjë të pandehuri “peshë e rëndë”.
Drejtësia me të gjitha problemet e saj është në rrugë të mbarë dhe nuk mund ta minojnë
ata që për interesa krejt personale akuzojnë pafund, duke menduar se nga gjithë akuzat
për KLGJ, ILD, apo KLP, diçka do mbetet. Por, të gjithë e dinë se ILD, KLGJ, apo KLP
nuk kanë çuar dhe nuk mendoj se do të çojnë ndonjëherë “ujë në mullirin” e avokatëve,
që interesin personal, e ngatërrojnë qëllimisht me atë institucional.

