Merr fund arratia e shtetasit Fatjon Bruçi (alias Fatjon Bruci), Xhonatan Deliu dhe Enri Elezi, të akuzuar për kryerjen e një sërë veprash penale. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Identikiti”, i realizuar nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, vihen në pranga shtetasit Fatjon Bruçi (alias Fatjon Bruci), Xh.D dhe E.E.
I dyshuari, identifikuar si Fatjon Bruçi, akuzohet për tentativë grabitjeje me armë ndaj një argjendarie në lagjen “Vasil Shanto” të Shkodrës, ngjarje e ndodhur më 29 gusht 2025. Ai ishte i armatosur dhe i maskuar me skafandër motomjeti.
Në momentin e ndalimit në zonën e “5 Majit”, në Tiranë, ai udhëtonte me një automjet tip “Audi” në shoqërinë e dy personave të tjerë. Gjatë kontrollit, iu gjet një sasi lënde narkotike e llojit Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua si provë materiale.
Kontrolli në banesën e marrë me qira nga i dyshuari në Tiranë zbuloi një arsenal të rrezikshëm dhe mjete të dyshimta: një armë zjarri pistoletë, dy maska silikoni, municion luftarak, pajisje për grirjen e lëndës narkotike, si dhe 550 dollarë amerikanë fals. U sekuestruan gjithashtu dy automjete, një celular dhe një shumë parash në lekë.
Gjykata e Shkodrës kishte caktuar më herët masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vjedhja me armë, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Dy të rinj të tjerë, Xh. D., 21 vjeç, dhe E. E., 19 vjeç, që ndodheshin në automjet me autorin në momentin e kapjes, janë arrestuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Njoftimi i policisë
Në kuadër të operacionit “Identikiti”, shërbimet e DFPO-së, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër, dhe të Komisariatit të Policisë nr 4, Tiranë, bazuar në informacionet e marra, kapën në lagjen “5 Maji”, Tiranë, duke lëvizur me një automjet tip “Audi”, dhe vunë në pranga shtetasit F. B. alias F. B., 29 vjeç, Xh. D., 21 vjeç dhe E. E., 19 vjeç.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi F. B. alias F. B. u vu në pranga sepse Gjykata e Shkodrës më datë 30.09.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me armë”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas është autor i tentativës për të vjedhur në një argjendari, në lagjen “Vasil Shanto”, ku hyri më datë 29.08.2025, i armatosur dhe i maskuar me skafandër motomjeti.
Gjatë kontrollit fizik në momentin e arrestimit, atij iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa.
Më tej, gjatë kontrollit në banesën që kishte marrë me qira, në Tiranë, u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, 2 maska, municion luftarak, 3 pajisje për grirjen e lëndës narkotike, 550 dollarë (kartëmonedha false), shumë lekësh dhe aksesorë, të cilat u sekuestruan së bashku me 2 automjete dhe me 1 celular.
Ndërkaq, në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. D. dhe E. E., për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi ishin pasagjerë në automjetin e të kërkuarit, në momentin e ndalimit.


