Partia Demokratike ka depozituar sot në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi deklaroi se Presidenti Bagaj nuk mund të jetë më Kreu i Shtetit shqiptar, pasi ka kryer 7 shkelje të rënda. Një nga shkeljet më të rëndë sipas tij është dekreti antikushtetues i zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës.
Denonciomi i plote i Gazment Bardhit
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kam dorëzuar sot në protokollin e Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës Bajram Begaj për shkelje të rënda, e në mënyrë të vazhdueshme, të Kushtetutës së Shqipërisë. Kërkesa është e argumentuar gjërësisht në një material prej 80 faqesh, të mbështetura mbi 21 prova shkresore prej 224 faqesh, të cilat dëshmojnë se ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e procedurës që kemi inciuar, por po ashtu jemi të bindur se Bajram Begaj nuk mund të vazhdojë të jetë de iuro Kryetar i Shtetit dhe Përfaqësues i Unitetit të Popullit, funksione të cilat de facto i ka humbur prej shumë kohësh tashmë.
Pas një analize shteruese të provave, fakteve, Kushtetutës së Shqipërisë, legjislacionit të brendshëm dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese nga ekspertët ligjorë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kemi arritur në konkluzionin se Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka konsumuar 7 shkelje të rënda të Kushtetutës dhe Ligjit, të cilat përbëjnë shkaqe të mjaftueshme për shkarkimin e tij nga detyra, në kuptim të nenit 90, pika 2, të Kushtetutës, që parashikon shprehimisht se “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës ose për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit…”.
Konkretisht shkeljet e rënda dhe të përsëritura të Kushtetutës së Shqipërisë nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj janë si vijon:
Shkelja nr. 1 – Dekretimi antikushtetues i zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë
Në kundërshtim me nenet 4, 7, 13, 86, 92/gj, 94, 115, 124 dhe 131 të Kushtetutës dekretoi zgjedhje të pjesëshme vendore në Bashkinë Tiranë, pa u krijuar nga pikëpamja kushtetuese vakanca, duke ndërhyrë në mënyrë brutale në autonominë e pushtetit vendor, të drejtat themelore të njëriut, kompetencat e organeve të tjera kushtetuese dhe duke tentuar të zhvesh Gjykatën Kuhtetutese nga kompetenca që i njeh shprehimisht Kushtetuta.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:
- Ka ushtruar një kompetencë kushtetuese që nuk kishte lindur ende dhe që kishte pengesë kushtetuese për ta ushtruar në atë moment;
- Ka synuar të ngushtojë kompetencat e Gjykatës Kushtetuese dhe rolin e saj në rastet e shkarkimit të një të zgjedhuri vendor;
- Ka futur në ngërc kushtetues zgjedhjet e pjesëshme për Bashkinë e Tiranës, si dhe ka minuar legjitimitetin e tyre duke shkaktuar konfuzion tek zgjedhësit;
- Ka marrë kompetencat e sistemit gjyqësor, duke përcktuar juridiksionin për të kundërshtuar një vendim të Këshillit të Ministrave;
- Ka shfaqur mungesë paanësie, integriteti dhe pavarësie, duke u nënhtrur ndaj autoritetit të Kryeministrit dhe duke lejuar përqëndrimin e të gjitha pushteteve në një dorë të vetme, gjë që cenon rendin kushtetues për shkak të prishjes së ekulibrit të “kontrollit dhe balancave mes pushteteve”;
- Ka cenuar garancitë kushtetuese të një funksionari kushtetues që gëzon si i zgjedhur vendor;
- Ka ndërhyrë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në autonominë kushtetuese të qeverisjes vendore;
- Ka uzurpuar kompetencat e Gjykatës Kushtetuese për të caktuar juridiksionin e shqyrtimit të pajtueshmërisë së VKM me Kushtetutën.
Shkelja nr. 2 – Ndërprerja antikushtetuese e mandatit të gjyqtarit kushtetues
Në kundërshtim me nenet 4, 7, 124, 125, 127, 129 dhe 179 të Kushtetutës ka ndërhyrë në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar ndërprerjen antikushtetuese të mandatëve të anëtarëve të kësaj Gjykate dhe duke krijuar pasiguri juridike në ushtrimin e detyrës nga ana e tyre, si forma kyce e cenimit të pavarësisë së gjyqtarit kushtetues.
Presidenti Bajram Begaj ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:
- Ka ushtruar parakohe kompetencën e tij, pa i lindur ende e drejta;
- Ka ndërhyrë në mënyrë të dhunëshme dhe brutale në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese;
- Ka investuar Gjykatën Kushtetuese në tejkalim të kompetencave të tij, duke i uzurpuar përgjegjësinë/kompetencën ekskluzive Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese;
- Ka injoruar fuqinë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese;
- Ka vënë në pikëpyetje kohëzgjatjen e të gjitha mandateve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke cënuar në mënyrë brutale pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe duke krijuar gjendje pasigurie të qëndrimit në detyrë për të gjithë trupën e anëtarëve të Gjykatës;
- Ka uzurpuar kompetencat e Kuvendit duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese të shprehet për mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që janë emërtesë e Kuvendit.
Shkelja nr. 3 – Dekretimi antikushtetues i ligjit për komisionet hetimore
Në kundërshtim me nenet 77, 86 dhe 132 të Kushtetutës, duke injoruar të drejtën kushtetuese të deputetëve të opozitës për kontroll parlamentar, dhe duke injoruar fuqinë detyruese të disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se u informua paraprakisht dhe ishte në dijeni të një krize të thellë në Kuvendin e Shqipërisë, dekretoi shpalljen e një ligji antikushtetues që ndryshonte ligjin ekzistues të Komisioneve Hetimore, duke mos përmbushur rolin e tij si përfaqësues i unitetin kombëtar dhe për të moderuar konfliktin politik në vend.
Presidenti Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kuhtetutës, për shkak se:
- Ka cënuar neutralitetin politik dhe paanësinë gjatë ushtrimit të funksionit të tij;
- Ka ndërmarrë veprime aktive për të ngushtuar kompetencat kushtetuese të opozitës në ushtrimin e përgjegjësisë së saj për kontroll parlamentar efektiv;
- Ka injoruar fuqinë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese;
- Nuk ka përmbushur rolin dhe përgjegjësinë e tij kushtetuese si faktor ekulibrues dhe moderator i konflikteve politike.
Shkelja nr. 4 – Dekretimi antikushtetues i ministres virtuale “Diella”
Në kundërshtim me nenet 7, 45, 92, 93, 94, 95, 96, 98, 99, 102 dhe 103 të Kushtetutës, ka dekretuar emërimin e Kryeministrit, njëkohësisht duke përcaktuar edhe ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale Diella, duke i shërbyer në këtë mënyrë në kundërshtim me rolin dhe përgjegjësisë së tij kushtetuese qëllimeve propagandistike të Kryeministrit Edi Rama dhe duke rrënuar seriozitetin e institucioneve kushtetuese publike.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se Dekretet e tij:
(i) Cënojnë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, pasi Presidenti krijon një strukturë të re ministrore (ministrin virtual të inteligjencës artificiale), dhe i cakton Kryeministrit përgjegjësi të reja (për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual);
(ii) Cënojnë organin kushtetues të ministrit, pasi Presidenti krijon një “ministër virtual”, i cili nuk përmbush cilësitë kushtetuese të emërimit si ministër, procedurat e emërimit dhe betimit të tij, si dhe ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive;
(iii) Shkelin në mënyrë flagrante nenet 7, 45, 92, 93, 94, 95, 96, 98, 99, 102 dhe 103 të Kushtetutës së Shqipërisë, që lidhen me kompetencat e Presidentit të Republikës, kompetencat e Kryeministrit/Këshillit të Ministrave, cilësitë e ministrit, procedurën e emërimit dhe betimit të tij, ushtrimin e kompetencave ministrore.
Reagon Begaj
Publiku është njohur sot me një nismë të Partisë Demokratike për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës.
Presidenti i Republikës nuk komenton nismat politike të asnjerës palë, sepse një gjë e tillë nuk përputhet me neutralitetin e funksionit të lartë kushtetuese. Ai ka zgjedhur të ushtrojë mandatin presidencial, i pa ndikuar në asnjë rrethanë nga sulmet për interesa politike, apo nga fabrikimi i të pavërtetave për konsum publik.
Presidenti i Republikës respekton të gjitha institucionet e tjera kushtetuese, edhe kur ato marrin pozicione të kundërta me pozicionet që mban Presidenti i Republikës në ushtrim të detyrës së tij kushtetuese.
Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës nga detyra është instrument kushtetues i Parlamentit. Parlamenti është i lirë dhe sovran ta ushtrojë sa herë që e gjykon të përligjur.
Presidenti i Republikës ndjehet i obliguar t’i përgjigjet parlamentit me gjithë seriozitetin dhe ndershmërinë që imponon kjo procedurë.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka promovuar sot nismën e tij duke publikuar pretendime rreth fakteve që nuk janë të vërteta.
Presidenti i Republikës pret që Parlamenti të hetojë rreth tyre me profesionalizëm dhe transparencë të plotë. Kjo nuk duhet bërë si obligim ndaj postit të lartë të Kreut të Shtetit por si detyrim ndaj të vërtetës dhe interesit të publikut.

