Zamira Voci
Kohët e fundit lajmet për shitje të gazetarëve tek bandat, implikim të tyre, lajme për interesa të njërit grup, apo tjetrit, pagesa nga njëra anë për të goditur anën tjetër; pra me pak fjalë shërbim në interes të krimit, janë shtuar ndjeshëm. Nëpër tavolina gazetarësh flitet me emra. Personalisht kurrë nuk jam marrë me kolegët. As kam shkruar kundër tyre, as kam komentuar, as kam përgojuar, e aq më pak akuzuar. Madje, edhe nëse ndonjë të përplaste prova, isha e prirur për të kundërtën, sepse besoj dhe e kam bindje që një profesionist i mirë nuk shitet. Rastet e gazetarëve që janë shitur deri tani, kanë gjetur shesh. Edhe pse gazetarët e shitur numërohen me gishtat e njërës dorë. Pronarët po! Ata shiten, sepse nuk u dalin llogaritë në fund të muajit për të paguar paga e taksa, për ujin/energjinë, për shtyshkronjat, spektaklet, e produksione që duan investime.
Mund të hajë diskutim, duhet apo nuk duhet të shitet një pronar mediash tek politika (ajo rrotullon gjithçka në këtë vend). Për mendimin tim jo dhe jo, por ja që ndodh. Ditët e fundit, me shumë vëmendje kam lexuar disa gazetarë, që më shumë se të tillë janë analistë/editorialistë, që i kanë hyrë drejtësisë dhe nuk po i lënë gjë pa thënë. Mero Baze vetëm dy ditë më parë shkruante në gazetën e tij, një koment, ku i referohej Ministrisë së Drejtësisë, por për mendimin tim kishte gabuar në rastin e përmendjes së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Unë nuk shoh ndonjë lidhje direkt mes këtyre institucioneve, të paktën në pretendimin e analistit Baze. Sepse, Mero Baze kishte bërë një gabim. Për t’i dalë në mbrojtje Erion Veliajt, arsyet përse i di vetëm ai, pavarësisht legjendave urbane se ka marrë prej tij leje ndërtimi për pallate e të tjera si këto, kishte ”implikuar” edhe KLGJ dhe ILD.
Që ta kuptojë Mero, Erion Veliaj është në burg. Me akuzat që ka ngritur SPAK, zor se del shpejt, por dhe nëse del, e vështirë të përfshihet në politikë dhe dyfish më e vështirë të ketë sërish mundësinë t’i japë leje ndërtimi Mero Bazes, apo ndonjë soji tjetër pronar mediash që dinë të qëllojnë, se kanë një gazetë, redaksi, portal, apo qoftë edhe televizion.
Jam e bindur, që Mero nuk e njeh ligjin. Sepse nuk ka mbaruar jurisprudencën, dhe për pasojë ka ngatërruar “kekun me byrekun” në këtë rast. Sepse as Këshilli i Lartë Gjyqësor, as Këshilli i Lartë i Prokurorisë, e aq më shumë Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ndryshojnë vendime gjykatash, apo kërkesë/pretenca të prokurorisë. Pra edhe nëse këto institucione do procedonin magjistratin/magjistratët, sipas dëshirës së Meros, vendimi i marrë për Lali Erin, apo çdo individ tjetër, nuk mund të ndryshohet nga KLP, KLGJ, apo ILD, por vetëm nga një gjykatë e një shkalle më të lartë. Kjo të bën të mendosh, se Mero po gjuan bosh, e thënë ndryshe me shënjestër të gabuar, sepse pretendon kompetenca që as KLGJ, as ILD dhe as KLP nuk i kanë, referuar ligjit dhe objektit të veprimtarisë së këtyre institucioneve.
Ndaj, sa është në kohë Mero duhet të ndërrojë kurs, se Lali Eri nuk ka çfarë i bën më. E mbylli kapitullin politik, ndonëse sipas mendimit tim, e mbylli shpejt dhe pa treguar të gjithë kapacitetin e tij. Pavarësisht, se kjo ndodhi për fajin e tij dhe të askujt tjetër.
Megjithatë, më shumë se Lali Eri, problemi qëndron tek sulmet e Meros dhe kolegëve të tij ndaj Drejtësisë, qoftë SPAK, KLGJ, ILD, gjyqtar, prokuror, apo çdo njeri që e ka lidhur jetën e tij profesionale me institucionet e Drejtësisë. Sepse, sipas Meros meqë KLGJ, KLP dhe ILD nuk kanë marrë masë disiplinore ndaj Ols Dados, patjetër i bën ato të mos jenë funksionalisht në rregull me ligjin, apo me zbatimin e tij. Në aq sa kam parë dhe ndjekur unë, këto institucione që përmend Mero funksionojnë. A kanë të meta në punën e tyre, mendoj se po, por jo për ato që thotë Mero Baze dhe shumë të ngjashëm të tij. Ndaj, për Mero Bazen, ka ardhur koha të ndryshojë kurs. Të mos merret me Lalin, por të hedhë sytë nga këta kandidatët e rinj që garojnë për të qenë në krye të Bashkisë së Tiranës. Sepse Lalin ka kush e mbron. Ka një duzinë me avokatë dhe nuk besoj, se bën punë Mero edhe nëse shkruan çdo ditë nga një shkrim, duke goditur KLGJ, KLP, ILD, apo çdo institucion tjetër drejtësie.
Sepse, Mero Baze dhe të ngjashmit e tij janë të tepërt, kur ka mjaftueshëm disa ish-funksionarë të drejtësisë, madje edhe të arrestuar për dhunë ndaj gruas, apo fëmijëve dhe ish-deputetë nën hetim, që për inate personale gjejnë hapësirë mediatike dhe shfrytëzojnë rastin që mllefin ta nxjerrin duke deklaruar për publikun shpifje nga më të ulëtat për ata që sot drejtojnë KLGJ, KLP, ILD. Dhe e fundit, nuk mendoj se pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, vlen ky lloj agresiviteti mediatik e politik, apo nga ish-funksionarë të drejtësisë. Përkundrazi, duhet motivim për të cilin të gjithë duhet të kontribuojmë dhe media ca më shumë.

