9.5 C
Tirana
Wednesday, February 4, 2026

Gjykata Tiranës lë në burg autorin e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, xhaxhain dhe rojen e sigurisë

Sikurse pritej, Gjykata e Tiranës ka vendosur arrest në burg për Elvis Shkambin, 30 vjeç, i akuzuar si autori i vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, gjatë një seance gjyqësore.

Masa e njëjtë është caktuar edhe për xhaxhain e tij, Gjon Shkambin, dhe për punonjësin e sigurisë së Gjykatës së Apelit, Banush Koxhaj.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura nga gjyqtarja Marinela Osmani.

Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur si pasojë e tronditjes psikike të autorit për shkak të një kalvari të gjatë të çështjeve për pronësinë, të cilat nuk ishin zgjidhur sipas tij.

Avokati i autorit, Kujtim Ibra, deklaroi se arma e përdorur nuk kishte leje, por Elvis Shkambi pretendon se kishte armë pasi kishte punuar si punonjës sigurie në disa institucione.

“Ka vuajtur shumë nga çështjet civile dhe borxhet e shumta. Arma nuk kishte leje, por ai ka punuar në disa institucione sigurie. Ai ka kërkuar falje për dy të plagosurit dhe për gjyqtarin. Ky është një rast i pazakontë dhe duhet të shërbejë si alarm për sistemin e drejtësisë,” tha avokati i tij për mediat.

Elvis Shkambi përballet me tre akuza:

Vrasje e funksionarëve publikë;

Vrasje në rrethana cilësuese kundër palëve të përfshira kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë;

Mbajtje pa leje dhe prodhim armësh, armësh shpërthyese dhe municionesh.

Sa i përket Gjon Shkambit, prokuroria dyshon se ai ka pasur dijeni për planin e nipit të tij dhe mund të ketë rol nxitës në tentativën për të vrarë babë e bir që jetojnë në pronën e pretenduar në Shkodër. Hetimet mbështeten në deklaratat kërcënuese që Gjon Shkambi ka bërë më parë në media dhe në kallëzime të paraqitura nga familjarë të tij.

Ndërkohë, Banush Koxhaj, punonjës i sigurisë, akuzohet për shpërdorim detyre, pasi nuk ka reaguar kur detektorët sinjalizuan praninë e metaleve, nuk ka kryer kontroll fizik dhe nuk i ka regjistruar të dhënat në protokoll siç kërkohet nga procedurat e gjykatës.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat