Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka reaguar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja gjatë një seance gjyqësore të mbajtur ditën e sotme në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, nga Elvis Shkambi.
“Inspektori i Lartë i Drejtësisë shpreh tronditjen e thellë nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe plagosja e dy qytetarëve nga të shtënat me armë. Inspektori i Lartë i Drejtësisë shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, kolegëve dhe miqve të gjyqtarit Astrit Kalaja. Uroj shërim të shpejtë për të plagosurit e këtij akti kaq të rëndë. Tragjedia e sotme, që i mori jetën një magjistrati prek të gjithë trupën gjyqësore, sistemin e drejtësisë, shtetin e së drejtës dhe çdo institucion publik. Siguria duhet të jetë prioritet absolut për të gjithë. Në institucionet e sistemit të drejtësisë dhe çdo instancë shtetërore ligjzbatuese duhet të angazhohemi pa humbur kohë në garantimin e paprekshmërisë së çdo përfaqësuesi të drejtësisë, që ushtron detyrën në emër të ligjit. Duke shprehur solidaritetin me trupën gjyqësore, inkurajoj çdo gjyqtar e çdo prokuror, që përtej ngjarjes së rëndë, të vazhdojë detyrën duke zbatuar ligjin” thuhet në deklaratë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar pas vrasjes tragjike të gjyqtarit Astrit Kalaja ditën e sotme (6 tetor) në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, nga Elvis Shkambi.
KLGJ thekson se ky akt i rëndë cënon themelet e shtetit të së drejtës, sigurinë e institucioneve të drejtësisë dhe besimin e publikut te gjykatat. Ndër të tjera, KLGJ shprehet se cenimi i integritetit fizik të gjyqtarëve përbën sulm të drejtpërdrejtë, jo vetëm ndaj magjistratëve por edhe ndaj shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike, si dhe interesit dhe besimit të publikut.
“Me dhimbje të thellë Këshilli i Lartë Gjyqësor mësoi për ngjarjen kriminale të vrasjes, në sallën e gjyqit, dhe në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja, Gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Ky akt i rëndë cënon themelet e shtetit të së drejtës, sigurinë e institucioneve të drejtësisë dhe besimin e publikut te gjykatat. Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon me forcë aktin kriminal të vrasjes së kolegut tonë, si edhe thekson se çdo akt që sulmon, apo cenon integritetin e gjykatave, dëmton gjithçka që ndërtojmë me punë dhe përkushtim. Këshilli thekson se respektimi i pavarësisë dhe sigurisë së magjistratëve është gur themeli i shtetit të së drejtës, përmes të cilit garantohet mbrojtja e të drejtave të gjyqtarëve dhe interesi publik” thuhet në deklaratën e KLGJ.
Gjykata Kushtetuese shprehu tronditjen e thellë për aktin kriminal të pasdites së sotme, që i mori jetën në krye të detyrës gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja, duke i përcjellë edhe ngushëllime familjes së magjistratit.
Kushtetuesja kërkon masa të menjëhershme, duke u shprehur të vendosur në misionin e tyre për drejtësi ndaj qytetarëve.
“Ky akt i rëndë përbën një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm për individin, por edhe për vetë parimet e drejtësisë dhe shtetin e së drejtës. Gjykata Kushtetuese vlerëson se mbrojtja e së drejtës së jetës, sigurisë fizike dhe institucionale te gjyqtarëve, qytetarëve që kërkojnë drejtësi ne këto gjykata dhe e publikut të zakonshëm është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit, që kërkon veprim të menjëhershëm, të vendosur dhe të qëndrueshëm”, theksohet mes të tjerash ën deklaratën e lëshuar sot.
Gjykata e Apelit në Tiranë, ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit të kësaj gjykata ditën e sotme, nga Elvis Shkambi
Gjykata e Apelit i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse për rritjen e menjëhershme të sigurisë në ambientet gjyqësore, duke garantuar mbrojtjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, palëve dhe çdo qytetari që hyn në sallat e drejtësisë.
“Siguria është parakusht i pandashëm për ushtrimin e pavarur dhe të paanshëm të detyrës gjyqësore. Kërkojmë që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa të menjëhershme për rritjen e nivelit të sigurisë dhe për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen”, thuhet në reagimin zyrtar.
Apeli po ashtu thekson se është tejet e rëndësishme që të ndalet përdorimi i gjuhës së urrejtjes, denigrimit dhe kërcënimit ndaj gjyqtarëve dhe sistemit të drejtësisë.
“Asnjë shprehje armiqësie, asnjë fjalë që nxit dhunë apo paragjykim ndaj personave që përmbushin detyrën e tyre nuk duhet të tolerohet. Gjuha e urrejtjes nuk është shprehje lirie, por një mjet që ushqen intolerancën dhe dëmton besimin e qytetarëve te drejtësia. Është detyrë e çdo institucioni, politikani, media e çdo përfaqësuesi publik dhe qytetari të ruajë gjuhën e respektit dhe të dialogut”, thekson Gjykata e Apelit.
Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë shprehu tronditjen e thellë për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, dhe përcolli ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe kolegët e tij.
Gjykata kërkon veprime të menjëhershme dhe të qëndrueshme nga shteti për garantimin e sigurisë fizike dhe institucionale të gjyqtarëve, duke theksuar se mbrojtja e tyre është mbrojtje e drejtësisë dhe besimit të publikut në shtetin ligjor.
“Kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në të cilën funksionojnë shumë prej gjykatave shqiptare. Në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar në ushtrimin e detyrës së tij, jo vetëm nga pikëpamja fizike e infrastrukturore, por edhe përmes një klime publike të respektit dhe përmbajtjes në gjuhën që përdoret ndaj figurës së tij. Çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në shtetin ligjor” thuhet në njoftim.
Prokuroria e Posaçme ka dënuar ngjarjen e rëndë të vrasjes së gjykatësit Astrit Kalaja dhe plagosje e dy qytetarëve të tjerë në sallën e gjyqit ditën e sotme, në Gjykatën e Apelit.
SPAK ka shprehur ngushëllimet për familjen e gjyqtarit të vrarë, teksa e konsideron aktin e rëndë si një nevojë emergjente për të rritur sigurinë nëpër gjykata.
“Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e drejtësisë si edhe për një reagim të shpejtë institucional, për të ndaluar përsëritjen e akteve të ngjashme”, thekson SPAK.
Gjykata e Posaçme në një komunikatë për shtyp ka reaguar duke shprehur dhimbje të thellë dhe indinjatë për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja.
“Trupa gjyqësore e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpreh me dhimbje dhe indinjatë të thellë reagimin ndaj ngjarjes tragjike të ndodhur sot, ku humbi jetën në mënyrë të dhunshme gjyqtari i Gjykatës së Apelit, z. Astrit Kalaja. Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin tonë me familjen, të afërmit dhe kolegët e gjyqtarit Kalaja. Humbja e një përfaqësuesi të drejtësisë në mënyrë të tillë është një goditje e rëndë për të gjithë sistemin gjyqësor dhe për shoqërinë shqiptare në tërësi. Ngjarja e sotme është një alarm për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin magjistratët në Republikën e Shqipërisë” thuhet në deklaratë.

