Nuk gjen qetësi qyteti bregdetar i Sarandës, një 58-vjeçar mbeti viktimë e një atentati të mirëorganizuar mbrëmjen e së shtunës, pasi mjeti i tij u hodh në erë më tritol. Isuf Jaçaj ishte brenda në makinë humbi jetën menjëherë si pasojë shpërthimit.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:50 të 4 tetorit në lagjen numër 3, në të njëjtën lagje ku të birit të Isuf Jaçajt, Klaus Jaçajt vetëm 3 muaj më parë i hodhën në erë mjetin me tritol. Shpërthimi tronditi qytetin bregdetar, ndërsa Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e saj.
Pamjet, ku dallohen dëmet e mëdha që janë shkaktuar në makinë nga shpërthimi i fuqishëm, ndërsa është dëmtuar edhe një tjetër mjet aty pranë, si edhe disa biznese. Një grup hetimor po punon për të identifikuar dhe kapur autorët, ndërsa do të sekuestrohen edhe kamerat e sigurisë në zonë, të cilat mund të çojnë në zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.
Vrasja e 58-vjecarit dyshohet të jetë për motivet e hakmarrjes. Pasi i biri i tij, Klaus Jaçaj, 31 vjeç, është përfshirë në një ngjarje kriminale më 17 korrik në qytetin e Sarandës dhe aktualisht ndodhet në burg. Vetë 58-vjeçari merrej me turizëm duke transportuar me skaf pushues drejt plazheve dhe duke bërë guida turistike.
“Sot, rreth orës 22:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet tip Toyota, në pronësi të shtetasit I. J. Ky shtetas dyshohet se është edhe personi që ndodhej brenda në automjet i cili si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën”, tha Policia e Sarandës.
58-vjeçari merrej me turizëm! Transportonte pushues me skafe
8-vjeçari Isuf Jaçaj i cili u vra mbrëmjen e së shtunës në qytetin bregdetar të Sarandës, mësohet se merrej me turizëm. Ai transportonte pushues me skafe, ndërsa një vit më parë ishte pjesë e një proteste që pronarët e mjeteve ujore kishte organizuar para Bashkisë së Sarandës. Vetëm 3 muaj më parë, 58-vjeçarit kishin tentuar t’i vrasin të birin, i cili ishte përfshirë në një plagosje me armë.

Histotiku
Më 17 korrik, në qytetin e Sarandës dy të rinj ranë pre e një atentati me armë zjarri me autor Ramadan Zoto allias Canaj, 43 vjeç, pas një konflikti për një tokë në bregdet. Zoto qëlloi me armë dy të rinjtë nga Kamza, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lamën. Ishte Klaus Jaçaj, që e ndihmoi Zoton të largohej nga vendi i ngjarjes, bashkë me të vëllanë Erjon Canaj, 36 vjeç. Klaus Jaçaj u arrestua vetëm 1 javë pas ngjarjes, ndërsa vetë Ramadon Zoto u kap nga policia më datë 22 gusht në qytetin e Korçës.
Por vetëm 2 ditë para arrestimit, Klaus Jaçajt iu dha mesazh duke iu hedhur makina me tritol. Makina ndodhej e parkuar po në lagjen numër 3, ku sot i vranë babanë, por 31-vjeçari nuk ishte në makinë. Shpërthimi me tritol i 22 korrikut në mjetin e Jaçajt mbeti një ngjarje e pazbardhur, ndërsa sot u hakmorën duke i vrarë babanë.

