Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuri me vlerë maramendëse të noteres ‘seksi’ Sanja Telhallari. E njohur pë jetën e saj luksoze, noteres i janë bllokuar vilë, apartamente, dyqane dhe poste parkimi dhe makina.
Ndërkohë, që dyshohet se të ardhurat janë vënë nga aktivitete të krimit. Ka qenë prokurori i çështjes Ndini Tavani ai që ka bërë sekuestron e pasurive që kapin shifrën e 3 milionë eurove.
Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave pranë Policisë së Tiranës nisi hetim për Telhallarin pas një ngjarje të ndodhur në zonën e Astirit më 15 gusht 2023, në tentativën për vjedhjen e makinës së saj të luksit, “Mercedes Benz G Class”, teksa ajo ishte në një kafe. Nga aty nisën dyshimet që Telhallari nuk mund të justifikonte pasuritë marramendëse që kishte në pronësi.
“Në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar në Prokurorinë e Tiranës, me objekt gjurmimin e aseteve kriminale, të dyshuara të përfituara nga shtetasja S. T., 35 vjeçe, banuese në Tiranë, gjatë kryerjes së detyrës si notere, Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizoi operacionin “Nënshkrimi”. Në vijim të veprimeve procedurale, të kryera në kuadër të këtij procedimi, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për ekzekutimin e 18 pasurive të 35-vjeçares, me vlerë 3 milionë euro, konkretisht 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare”, thuhet në njoftim.
Nga hetimi në vijim rezultoi se gjatë 11 viteve të fundit, nga 2013-a deri në 2024-ën, Sanja Telhallari, ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e këtyre pasurive të paluajtshme, apartamente, dyqane, vende parkimi dhe vilën në kompleksin “Rolling Hills”.
Investimet e saj vijuan në makina të shtrenjta, të cilat nuk justifikoheshin nga të ardhurat ekonomike prej punës si noterë. Verifikimi çoi në mospërputhje të dukshme mes të ardhurave të ligjshme dhe shpenzimeve të kryera për këto investime. Prokuroria dyshon se një pjesë e parave të përdorura për e pasurive të saj, sot të sekuestruara, janë të ardhura të paligjshme të ish-bashkëshortit, Klodian Porja, i cili rezulton në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dënuar me 21 vjet burg për shfrytëzim prostitucioni.
“Nga verifikimet, u konstatua një mospërputhje e dukshme midis të ardhurave të ligjshme të deklaruara dhe shpenzimeve të kryera për këto investime. Dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi K.P., i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim”, tha Prokuroria.
Autoritetet dyshojnë se në pronësi të Sanja Telhallarit janë edhe disa prona të tjera në jug të vendit, me kontratë pronësi dhe jo certifikatë në emër të saj, të cilat po verifikohen dhe në vijim mund të ketë vendim sekuestro. Prokuroria thotë se sekuestrimi i këtyre pasurive bëhet me qëllim ruajtjen e tyre hetimit dhe të parandalojë transferimin apo përdorimin e tyre për të fshehur origjinën e paligjshme.
Telhallari, e cila rezulton të ketë ndryshuar edhe emrin vite me parë, duke e bërë nga Sonja në Sanja, shpesh shihej në rrjet duke reklamuar gjërat e saj luksoze. Të gjitha pasuritë dyshohet se janë blerë me para të gjeneruara nga aktiviteti i paligjshëm i familjes Telhallari, përfshirë paratë me fajde, lojërat e fatit dhe transaksionet e dyshimta.


