Institucione të drejtësisë nga rajoni u bënë bashkë në Tiranë në datat 25 dhe 26 shtator 2025 për konferencën “Shërbimet e inspektimit të drejtësisë dhe sfidat e integrimit”, për të shkëmbyer përvoja, për të trajtuar sfida që lidhen me integritetin gjyqësor dhe për të diskutuar mbi rolin e tyre në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Konferenca u realizua si një bashkëpunim mes Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Prezencës së OSBE-së në Tiranë, si dhe misioneve të OSBE-së në Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Sarajevë dhe Shkup.
Në dy ditët e kësaj konference, diskutimet do fokusohen mbi tre tema të mëdha: parimet dhe funksionimi i shërbimeve të inspektimit, roli i tyre në mbrojtjen e standardeve demokratike dhe promovimin e integritetit, si dhe kontributi i këtyre institucioneve në kontekstin e procesit të integrimit në BE.
Në nisje të punimeve, konferenca u përshëndet nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor Ilir Rusi dhe Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prourorisë Mirela Bogdani.

Fjala e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë z. Artur Metani
Mirëmëngjes të gjithëve dhe mirë se erdhët në Tiranë!
Dobro doshli u Tiranu!
Dobre-doj-dovte vo Tirana!
Welcome to Tirana!
Ndihem shumë i privilegjuar, që hap punimet e kësaj konference dy ditore rajonale me kolegë të drejtësisë nga Beogradi, Podgorica, Prishtina, Sarajeva, Shkupi dhe Tirana.
Ishte një ëndërr e hershme një organizim i tillë, prej gati dy vitesh, që e kam ndarë me kolegë të ndryshëm në sistem dhe partnerë ndërkombëtarë. Që prej shkëmbimit të vizitave në Podgoricë e Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup, gati 2 vite përpara, lindi natyrshëm ndjesia për t’u takuar me homologë të rajonit, për t’u njohur me përvojat e njëri–tjetrit dhe për të shkëmbyer pikëpamjet tona për vizionin e standardeve profesionale që duhet të ofrojnë shërbimet tona të inspektimit. Natyrisht, kjo kërkonte një angazhim të madh dhe në fakt rezultoi i tillë, edhe nga pikëpamja koordinuese e organizative. Prandaj dua të shpreh mirënjohjen e veçantë për ambasadorin e OSBE në Shqipëri, z. Michel Tarran, që iu përgjigj pozitivisht kësaj ideje dhe që bashkë me ambasadorët e misioneve të OSBE-së në Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Sarajevë e Shkup, mundësuan ardhjen në Tiranë të delegacioneve nga secili vend i rajonit tonë.
Ju faleminderit të gjithëve!
Teksa shoh këtë tryezë e këtë pjesëmarrje ndihem edhe më i bindur, se një organizim kaq ambicioz, ka vlerë për të gjithë ne dhe se do të jetë fillimi i një bashkëpunimi të frytshëm institucional dypalësh e shumëpalësh.
Ky takim është konceptuar si një takim profesionistësh, që ndajnë përvoja, trajtojnë sfida e pse jo edhe shqetësime dhe diskutojnë rolin e tyre në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Që në ngjizje të kësaj ideje, e kisha të qartë se institucionet tona kanë dallime funksionale e institucionale, sa i takon hetimit disiplinor e inspektimit të gjyqtarëve e prokurorëve. Por besoj, ndajmë të njëjtin qëndrim, se pavarësisht dallimeve, ç’ka na bashkon është interesi për miradministrimin e drejtësisë, për integritetin, pavarësinë, llogaridhënien e gjyqtarëve e prokurorëve, pra një sistem efiçent të drejtësisë, që ka besimin e publikut. Dhe institucione, si këto që ne përfaqësojmë, kanë rol kryesor në këtë proces.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë në Tiranë është një institucion i ri, i ngritur vetëm 5 vite e gjysmë më parë, si organ kushtetues i pavarur, që ka për detyrë funksionale verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore, fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë e Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë. Përpara vitit 2016, procesi disiplinor ka qenë i ndarë në 3 institucione, tek Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Ministri i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm. Por me reformën në drejtësi të vitit 2016, u krijua një arkitekturë e re dhe kontrolli disiplinor, si për gjyqtarët ashtu edhe për prokurorët i ka kaluar një institucioni të vetëm e të pavarur, që është Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Në sesionin pasardhës do keni një paraqitje më të detajuar të funksioneve dhe rolit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Forcimi i shtetit të së drejtës, si një gur themeli në një shoqëri demokratike, por edhe si një dimension i rëndësishëm prezantues i secilit vend, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian janë një prioritet i përbashkët i secilit.
Sot të gjitha vendet duhet të shtojnë përpjekjet për forcimin e kësaj pavarësie, por nga ana tjetër edhe rritjen e efikasitetit dhe përgjegjshmërisë së organeve të sistemit të drejtësisë. Sepse të dyja nuk mund të ecin, përveçse bashkë. Sa më i përgjegjshëm një magjistrat, aq më i garantuar është qytetari për të drejtat e veta. Sa më i pavarur magjistrati, aq më demokratikisht ecën shoqëria. Por, edhe standardet e një sistemi funksional llogaridhënës të magjistratëve, e bëjnë drejtësinë më eficente.
E në këtë kuadër, gjetja e balancës midis interesit publik për administrimin e drejtësisë nga një anë dhe pavarësisë së magjistratëve nga ana tjetër, mbetet një sfidë permanente sepse pavarësia e magjistratëve dhe përgjegjshmëria e tyre, janë vlera dinamike. Zhvillimet shoqërore sjellin padyshim edhe transformime shoqërore dhe ekonomike dhe raporti pavarësi/përgjegjshmëri mbetet përherë sfidë profesionale dhe institucionale.
Me këtë mendim, shpresoj që të gjithë ne të gjejmë rrugën e duhur për të vendosur një komunikim profesional e institucional dhe bashkëpunuar, duke identifikuar mundësitë e shkëmbimit me njëri-tjetrin.
Të nderuar kolegë,
Drejtësia ka kontributin e vet në jetën dhe cilësinë e çdo shoqërie. Krijimi apo konsolidimi i shtetit të së drejtës nuk është një proces i lehtë. Në çdo vend, ky është një proces dinamik dhe në evoluim të vazhdueshëm për gjetjen e mekanizmave të duhur, të cilat sigurojnë respektimin e një sërë standardesh apo vlerash për një sistem drejtësie efikas, të përgjegjshëm dhe të pavarur.
Siç e ceka më sipër, në vitin 2016, Shqipëria kreu një reformë të thellë ligjore dhe institucionale në sistemin e drejtësisë, një ndërmarrje madhore, që synoi përshtatjen me stadin e zhvillimit të shoqërisë, duke e vënë theksin tek pavarësia e magjistratëve dhe angazhimi i përbashkët për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve, rritjen e besimit tek institucionet e drejtësisë. Sfida e zhvillimit dhe e zbatimit të kësaj reforme është përgjegjësi së pari e aktorëve të drejtësisë e më tej edhe e institucioneve e pushteteve të tjera dhe padyshim shoqërisë. Zbatimi i kësaj reforme nuk është i lehtë, por as i pamundur dhe rezultatet e saj janë një indikator i rëndësishëm për vendin tonë në negociatat me Bashkimin Evropian.
Në këtë kuadër, një konferencë si e sotmja në Tiranë, me homologë të sistemit nga i gjithë rajoni, mbi përvojat tona, por edhe sfidat e integrimit nga perspektiva e institucioneve tona, mendoj se diskutimet që do zhvillojmë në këto dy ditë me njëri- tjetrin, do shërbejnë si një kontribut real edhe për vizionin dhe punën e përditshme të institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në Tiranë, për të përshtatur me punën e përditshme çdo praktikë të mirë që vjen nga shërbimet homologe.
Respektimi i të drejtave të njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës përbëjnë një aset kryesor për Bashkimin Evropian, e për pasojë edhe për secilin nga ne, vendet aspirante. Në këndvështrimin tim, kjo nuk duhet të reflektohet thjesht si detyrë e kryer në raportet e përvitshme të progresit të vendeve tona, e së fundmi prej dy vitesh edhe në raportin e Komisionit Evropian për shtetin e së drejtës, por kjo dinamikë duhet parë si kontribut i secilit prej nesh, së pari për shoqëritë e vendeve tona.
Prandaj e konsideroj si shumë të rëndësishëm këtë aktivitet së bashku, sepse do kemi mundësi të ndajmë përvojën e perspektivën e secilit, të diskutojmë modelet më të mira të njëri-tjetrit, si dhe pse jo, të bashkërendojmë metodat e kontrollit dhe të vlerësimit të institucioneve të drejtësisë në përputhje me vlerat tona të përbashkëta evropiane, pavarësisht dallimeve tona politike, ligjore apo sociale.
Shpresoj që ky organizim për herë të parë në Tiranë, jo vetëm t’i arrijë këto qëllime, por edhe të jetë pikënisja e një tradite të mirë bashkëpunimi mes nesh, e cila të vijojë më tej.
Duke falënderuar edhe një herë secilin për praninë tuaj në Tiranë dhe për vëmendjen, ju uroj të gjithëve suksese dhe punime të mbara konferencës!

