Nga Zamira Voci
Kryefjala e muajve të verës ishin emergjencat civile në të gjithë vendin. Zjarret gjithandej, me dhe pa dashje, me dhe pa qëllim. Por, një “ushtri” e tërë me nëpunës të Emergjencave Civile ishte në vendin dhe kohën e duhur. Djemtë dhe vajzat e strukturës që drejton Haki Çako, nën cilësinë e kreut të Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, e dinë mirë se çfarë bëjnë në përditshmërinë e tyre. Ata janë gjithnjë në punë, ndonëse vëmendje marrin vetëm kur ne të zakonshmit e kësaj bote jemi në situatë rreziku (zjarr, përmbytje, tërmete…e të tjera). Për ta, stinët e vitit janë njëlloj, sepse, sapo kalon vera me prapësitë e saj, vjeshta troket dhe mund të sjellë prapësi të tjera, duke na vështirësuar ne jetën, por vë në provë emergjencat civile, që deri më tani kanë treguar se dinë t’ja dalin.
Përpilimi i planeve të punës nuk është thjesht një akt burokratik, që shpeshherë administrata publike ta imponon, por është një punë, mbi të cilën bazohet fort e ardhmja e emergjencave civile. Vjeshta, ndonëse disi më e zbutur, të jep pak kohë për zemërimin e dimrit. Ndaj, djemtë dhe vajzat e asaj strukture, ndër më profesionalet, përfshirë edhe shërbimin zjarrfikës, po bëhen gati për “luftën e dimrit”. Nëse të tjerët janë në gjumin e thellë, ata zgjohen si “pendë të lehta”, sa herë qielli vrenjtet, apo buçet, sa herë era tekanjoze rreket të prishë rutinën.
Ngjarjet e viteve të fundit kanë treguar shumëllojshmërinë dhe intensitetin e krizave dhe rreziqeve natyrore dhe të shkaktuara nga njeriu në Shqipëri. Viti 2019 ishte një vit kyç për vendin, sepse ishte viti i dy tërmeteve të fuqishëm; 21 shtator 2019 dhe 26 nëntor 2019, ku bilanci dihet nga të gjithë. Tragjik!
Por, nëse ka një gjë të mirë në aspektin ligjor është krijimi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) për të shërbyer si autoritet koordinues për përpjekjet në nivel kombëtar me qëllim krijimin e një sistemi më të qëndrueshëm dhe efikas të menaxhimit të emergjencave. Territori i Shqipërisë me pak më shumë se 28 mijë kilometra katror sipërfaqe është rrezikuar shpesh herë nga fatkeqësi të ndryshme natyrore dhe jo vetëm.
Në fjalorin shqip, hero quhet ai person që ka kryer një vepër të lartë trimërie e vetëmohimi në luftë a në punë për popullin dhe për atdheun e vet, ai që është shquar për trimëri të lartë dhe për guxim të pashoq për të mirën e popullit e të atdheut kundër pushtuesve të huaj dhe tradhtarëve vendës, ai që ka dhënë edhe jetën duke kryer vepra të tilla. Shqipëria nuk është një terren lufte, ndaj hero është ai që mishëron vetitë dhe tiparet pozitive më kryesore të një epoke, ai që shpreh cilësitë pozitive më thelbësore të mjedisit ku është rritur dhe ku ka zhvilluar e zhvillon veprimtarinë e vet; ai që shquhet shumë në një punë a në një veprimtari të caktuar dhe bëhet shembull frymëzimi e nxitjeje për të tjerët.
Ndaj, më shumë se kushdo tjetër, ata djemtë që verës menduan për ne dhe aspak për veten, apo familjet e tyre, sot janë më shumë se heronjtë e librave. Ata janë heronjtë e vërtetë, prej të cilëve të gjithë duhet të marrim një mësim, por mbi të gjitha, duhet të bindemi, ti nderojmë. Sepse, ata e meritojnë! Sot nuk është dita për të folur për parashikime, për mangësi, për nevoja, për riskun e lartë të vendit tonë. Sot, unë jam e bindur, se ata, ashtu si deri tani nuk do na lënë në baltë. Do ja dalin, sepse, për që në pranverë u duhet të jenë në gatishmëri të plotë për tre stinët që vijnë pas. Ndaj sot, më shumë se shpërblimi financar, tejet i merituar, ata duhet të nderohen si heronj të heshtur të së sotmes, të nesërmes, e mbi të gjitha të së ardhmes!

