“Vetëpërmbajtja është detyrë e magjistratëve, thelbi i shtetit ligjor e i vlerave evropiane është mënyra sesi sillemi, edhe kur nuk biem dakord me vendimet e njëri-tjetrit”. Ky ishte mesazhi i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani, i cili mori pjesë në takimin e nivelit të lartë me institucione të drejtësisë mbi pavarësinë e llogaridhënien gjyqësore, organizuar nga projekti MATRA i qeverisë së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta për të lançuar projektin dy vjeçar “Forcimi i integritetit gjyqësor”, që zbatohet nga Qendra Holandeze e Trajnimit dhe Studimit për Gjyqësorin.
Në fjalën e tij Inspektori i Lartë i Drejtësisë tha se kur flitet për pavarësi, së pari duhet bërë dallimi mes pavarësisë së magjistratëve gjatë vendimmarrjes së tyre për çështje konkrete dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor në kuadër të organizimit dhe funksionimit të tij nga pikëpamja strukturore dhe sistemike. “Të dy këto koncepte janë thelbësore për një pushtet gjyqësor të pavarur. Pavarësia individuale e magjistratëve duhet të kuptohet si një vlerë personale dhe një parakusht për zhvillimin e një procesi gjyqësor ligjor dhe të drejtë. Në këtë rast pavarësia individuale duhet kuptuar si një e drejtë e magjistratëve, por edhe si një detyrim i tyre, për të marrë vendime në mënyrë objektive, të pavarur nga politika por jo vetëm nga politika, të pavarur për të gjithë dhe nga të gjithë, të lirë nga çdo ndërhyrje apo ndikim, dhe në përputhje me faktet si dhe me legjislacionin në fuqi.”
Inspektori i Lartë i Drejtësisë foli edhe për efektin e kritikave publike ndaj vendimmarrjeve gjyqësore. “Kur kritikat shkojnë përtej kufijve të vlerësimit ndryshe të një vendimmarrje gjyqësore, atëherë këto ndërhyrje nuk ndikojnë vetëm në mënyrën sesi magjistratët marrin vendime, por gjithashtu minojnë besimin publik tek institucionet e pushtetit gjyqësor. Dhe besoj se kjo është kostoja më e madhe që mundohet të balancojë parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve në një shoqëri demokratike, pikërisht për shkak të funksionit të pazëvendësueshëm që ka pushteti gjyqësor në një shoqëri të tillë.”
Por vërejti z. Metani, ndryshe nga pushtetet dhe institucionet e tjera, magjistratët dhe institucioneve të pavarura të drejtësisë kanë një lloj kufizimi, që vjen me detyrën e që është vetëpërmbajtja. “Vetëpërmbajtja nuk duhet ngatërruar me dobësinë. Pavarësisht deklaratave të aktorëve të ndryshëm publikë, magjistratët nuk duhet të harrojnë se reagimet publike nuk janë pjesë e funksionit të tyre. Por, vetëpërmbajtja po! Vetëpërmbajtja nuk është dobësi e asnjë lloj natyre, por respekt për lirinë e shprehjes në demokraci, është largësi kushtetuese nga natyra politike e pushteteve të tjera. Deontologjia politike nuk duhet të diktojë sjelljen e magjistratëve. Në këtë rast, besoj se thelbi i shtetit ligjor dhe i vlerave evropiane është pikërisht mënyra sesi sillemi, edhe kur nuk biem dakord me vendimet e njëri-tjetrit.”
Duke folur për standardet e përgjegjshmërisë, zoti Metani renditi masat që parashikon ligji si mekanizëm parandalues dhe mekanizmat shtesë për gjyqtarët e prokurorët, me qëllim garantimin e mëtejshëm të një sistemi gjyqësor profesional dhe me integritet, si dhe funksionin kontrollues të ILD-së. “Cilësia e një sistemi drejtësie nuk matet apo vlerësohet nga aftësia për të ndëshkuar apo sanksionuar magjistratët, por matet me mundësitë, mekanizmat dhe kapacitetin për t`i parandaluar sjelljet në kundërshtim me ligjin apo rregullat etike.”
Ndërsa si emërues të përbashkët të përpjekjeve të të gjitha institucioneve, Inspektori i Lartë i Drejtësisë evidentoi besimin e publikut tek gjyqësori. “Duke mos harruar në asnjë moment të ditës sonë të punës, kushtet në të cilat punojnë magjistratët, ngarkesën e madhe të çështjeve gjyqësore, numrin e pamjaftueshëm të magjistratëve në sistem, rritjen e përdoruesve të sistemit gjyqësor, pritshmëritë e drejta dhe të padrejta nga sistemi gjyqësor, përsëri mendoj se besimi i publikut tek gjyqësori është vlera më e çmuar e drejtësisë, por dhe mbrojtja më e mirë e tij. Kjo vlerë nuk fitohet me retorikë, por me veprim dhe sjellje konkrete. Sfida jonë, si institucione të sistemit të drejtësisë, është pikërisht gjetja e këtij ekuilibri të drejtë, ndërmjet sistemit të përgjegjshmërisë dhe atij të përgjegjësisë, i cili është njëkohësisht sfida më e madhe e çdo demokracie funksionale.”
Aktiviteti u përshëndet nga e Ngarkuara me Punë, Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri znj. Asli Cetinel dhe znj. Margreet Blaisse, Drejtore e Qendrës Holandeze të Trajnimit dhe Studimit për Gjyqësorin, që është zbatuese e projektit 2 vjeçar për trajnimin e gjyqtarëve e prokurorëve përmes Shkollës së Magjistraturës dhe inspektorëve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Gjyqtari Marc Fierstra, anëtar i Gjykatës së Lartë të Holandës dhe President i Shoqatës Holandeze për Gjyqësorin solli eksperiencën holandeze të drejtësisë mbi llogaridhënien dhe etikën në gjyqësor.
Për llogaridhënien, paanshmërinë dhe integritetin në gjyqësor nga perspektiva e institucioneve të tyre, referuan z. Ilir Rusi, Kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Mirela Bogdani, Kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Sokol Sadushi, Kryetar i Gjykatës së Lartë, z. Altin Dumani, drejtues i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Erjon Bani, Drejtues i Përkohshëm i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, z. Kosta Beluri nga Prokuroria e Përgjithshme, znj. Evgjeni Bashari, Drejtuese e ILDKPKI dhe z. Sokol Berberi, Përgjegjës i Formimit Fillestar, Shkolla e Magjistraturës.
Fjala e plotë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në aktivitetin e nivelit të lartë mbi llogaridhënien gjyqësore
Më lejoni së pari, të falenderoj të gjithë institucionet që marrin pjesë në këtë takim, për të diskutuar për një temë e cila na prek të gjithëve dhe na ngre dilema profesionale për gjetjen e raportit të duhur ndërmjet pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe llogaridhënies së tij. Në të njëjtën kohë, gjatë këtij reflektimi dua të shpreh edhe disa konsiderata jo vetëm mbi eksperiencën e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në këtë drejtim, por edhe qasjen që ky institucion ka pasur deri tani në gjetjen e një ekuilibri të drejtë ndërmjet këtyre dy parimeve të rëndësishme për shtetin e së drejtës dhe ekzistencën e një demokracie funksionale në vend.
Për të pasur një koncept të qartë mbi pavarësinë e pushtetit gjyqësor, së pari duhet bërë dallimi themelor që ekziston ndërmjet pavarësisë së magjistratëve mbi vendimmarrjen e tyre për çështje konkrete dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor në kuadër të organizimit dhe funksionimit të tij nga pikëpamja strukturore dhe sistemike. Të dy këto koncepte janë thelbësore për një pushtet gjyqësor të pavarur. Pavarësia individuale e magjistratëve duhet të kuptohet si një vlerë personale dhe një parakusht për zhvillimin e një procesi gjyqësor ligjor dhe të drejtë. Në këtë rast pavarësia individuale duhet kuptuar si një e drejtë e magjistratëve, por edhe si një detyrim i tyre, për të marrë vendime në mënyrë objektive, të pavarur nga politika por jo vetëm nga politika, të pavarur për të gjithë dhe nga të gjithë, të lirë nga çdo ndërhyrje apo ndikim, dhe në përputhje me faktet si dhe me legjislacionin në fuqi.
Nga ana tjetër, pavarësia strukturore dhe organizative ka një natyrë institucionale, e cila ka për qëllim që nëpërmjet mënyrës së organizimit dhe funksionimit të pushtetit gjyqësor, të sigurojë pavarësinë individuale të magjistratëve. Kjo mënyrë organizimi dhe funksionimi duhet të shërbejë si një barrierë mbrojtëse ndaj çdo lloj ndikimi në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor, apo ndërhyrjeve të padrejta në lidhje me vendimmarrje për procese gjyqësore të caktuara.
Në vendin tonë, pavarësia gjyqësore është vënë në provë. U bë një kohë e gjatë që magjistratët janë ekspozuar dhe përballur me sulme publike të drejtpërdrejta, intimidime apo ndikime të papërshtatshme. Nga të gjithë. U bë kohë që sistemi gjyqësor është nën një trysni, për mua antikushtetuese, për të ushtruar detyrën ose jo, në një formë të caktuar. Nga të gjithë. U bë kohë që fyerjet për magjistratët janë pjesë më e konsiderueshme e artikulimit kur vjen puna tek kritikat për pushtetin gjyqësor. Natyrisht, kjo i vë magjistratët në provë të vështirë. Por, testi i pavarësisë, nuk është vetëm retorikë.
Personalisht, bëj pjesë tek ata njerëz, që besojnë se liria për të folur për çështje të drejtësisë, qeverisjes dhe zyrtarëve publikë është bazamenti mbi të cilin ndërtohet zhvillimi politik e shoqëror i një vendi. Vendimet gjyqësore, pa diskutim që duhet të zbatohen, por nëse publiku nuk është i kënaqur me një vendim gjyqësor apo vendime të sistemit të drejtësisë, çdokush duhet të jetë i lirë ta thotë publikisht këtë, natyrisht edhe duke ndjekur rrugën që ligji parashikon për ankimimin e vendimeve që nuk pëlqehen. Nga ana tjetër, sado e vështirë është apo duken kritikat e sulmet mbi punën e institucioneve të drejtësisë, magjistratët janë të detyruar të marrin vendime, të jenë të përgatitur, që edhe do kritikohen për to e të mos ndikohen, sepse busull dhe mbrojtje kanë vetëm kushtetutën dhe ligjin.
Por, kur kritikat shkojnë përtej kufijve të vlerësimit ndryshe të një vendimmarrje gjyqësore, atëherë, këto ndërhyrje nuk ndikojnë vetëm në mënyrën sesi magjistratët marrin vendime, por gjithashtu minojnë besimin publik tek institucionet e pushtetit gjyqësor. Dhe besoj se kjo është kostoja më e madhe që mundohet të balancojë parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve në një shoqëri demokratike, pikërisht për shkak të funksionit të pazëvendësueshëm që ka pushteti gjyqësor në një shoqëri të tillë.
Ndryshe nga pushtetet apo institucionet e tjera, magjistratët dhe institucionet e pavarura të drejtësisë e kanë një lloj kufizimi, që vjen me detyrën për t’u treguar të përmbajtur, edhe kur sulmohen pa të drejtë. Mes zërave të fortë publikë, kjo i bën që të perceptohen si të dobët, por nuk është aspak ky rasti. Vetëpërmbajtja nuk duhet ngatërruar me dobësinë. Pavarësisht deklaratave të aktorëve të ndryshëm publikë, magjistratët nuk duhet të harrojnë se reagimet publike nuk janë pjesë e funksionit të tyre. Por, vetëpërmbajtja po! Vetëpërmbajtja nuk është dobësi e asnjë lloj natyre, por respekt për lirinë e shprehjes në demokraci, është largësi kushtetuese nga natyra politike e pushteteve të tjera. Deontologjia politike nuk duhet të diktojë sjelljen e magjistratëve. Në këtë rast, besoj se thelbi i shtetit ligjor dhe i vlerave evropiane është pikerisht mënyra sesi sillemi, edhe kur nuk biem dakord me vendimet e njëri-tjetrit.
Nga ana tjetër, në ditët e sotme togfjalëshi “Pavarësi gjyqësore” dhe përdorimi i këtij parimi të rëndësishëm kushtetues ka fituar një status të tillë simbolik, ku vetëm evokimi i tij mjafton për të mbyllur një diskutim apo një debat kushtetues mbi një çështje shumë të rëndësishme si: “Prania, apo ekzistenca e një pavarësie të tepërt dhe të pakontrolluar të pushtetit gjyqësor nga njëra anë dhe mungesa e një sistemi llogaridhënës të drejtë dhe efektiv nga ana tjetër”, mund të sjellë pasoja të rënda për shoqërinë e një vendi, si dhe vetë sistemin e të drejtës që një shoqëri ka zgjedhur të veprojë. Gjetja e balancës së duhur mes pavarësisë dhe llogaridhënies, jo vetëm nuk përbën rrezik për pavarësinë gjyqësore, por në një shtet të së drejtës, është e vërtetë se nuk mund të ketë demokraci nëse pushteti gjyqësor nuk është i pavarur nga pushtet e tjera, por gjithashtu nuk mund të ketë drejtësi nëse pushteti gjyqësor nuk jep llogari. Ky është qëllimi i shtetit të së drejtës: “Ndërtimi i një pushteti gjyqësor të fortë, të pavarur dhe të përgjegjshëm.”
Në këtë rast, çështja themelore që shtrohet për diskutim është identifikimi i mekanizmave dhe standardeve më të mira ligjore mbi mënyrën se si organizohet dhe si funksionon sistemi llogaridhënës i pushtetit gjyqësor. Sistemi llogaridhënës është baza dhe një gur i rëndësishëm themeli për ndërtimin e një pushteti gjyqësor të drejtë, efektiv dhe të besueshëm, nga ana e publikut. Megjithatë, ky është një proces i gjatë dhe dinamik, i cili kërkon një ndërthurje të mekanizmave dhe standardeve të qarta ligjore me karakter parandalues përgjegjshmërie, si dhe në raste të veçanta dhe të jashtëzakonshme edhe përgjegjësie apo ndëshkimi.
Këtu do të doja të beja një panoramë apo shpjegim se si është i ndërtuar sistemi llogaridhënës. Ky sistem përbëhet nga dy shtylla apo dy ndarje: nga standardet e përgjegjshmërisë dhe nga standardet e përgjegjësisë.
Kur flasim për standardet e përgjegjshmërisë, kemi parasysh një mekanizëm parandalues nëpërmjet aplikimit të masave të tilla, si:
- Rekrutimin apo përzgjedhjen e magjistratëve mbi bazë të meritave, si dhe kualifikimin profesional të tyre;
- Pavarësinë substanciale, pavarësinë strukturore dhe financiare;
- Imunitetin dhe integritetin fizik;
- Ushtrimin e një kontrolli nga ana e gjykatave më larta në bazë të parimeve të pavarësisë së brendshme të magjistratëve, si dhe ushtrimi i një kontrolli jo formal ndërmjet jurisprudencës ndërkombëtare apo doktrinës juridike;
- Krijimin e një sistemi mbi vlerësimin etik dhe profesional të punës së
Në të njëjtën kohë, me qëllim garantimin e mëtejshëm të një sistemi gjyqësor profesional dhe me integritet aplikohen edhe disa mekanizma shtesë si:
- Magjistratët në faza të ndryshme të karrierës së tyre si rekrutimi, emërimi, apo ngritja në detyrë i nënshtrohen kontrollit të pasurisë dhe figurës;
- Magjistratët e të gjitha niveleve janë subjekte të deklarimit periodik të pasurisë, të detyrimeve financiare dhe konfliktit të interesave;
- Për magjistratët të cilët ushtrojnë funksione pranë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka një nivel me të lartë kontrolli ku krahas kontrollit periodik të pasurisë dhe figurës, ushtrohet kontroll edhe të telekomunikimeve vetjake apo familjarëve të tyre;
- Magjistratët gëzojnë vetëm një imunitet funksional, ndaj proceseve penale dhe proceseve civile të cilat lidhen drejtpërdrejt me ushtrimin e funksioneve të tyre. Megjithatë ky imunitet nuk ka karakter absolut.
Në rast se këto mjete nuk rezultojnë efektive, atëherë në raste përjashtimore, si dhe në varësi të rrethanave të caktuara aplikohen masat apo mjetet të cilat kanë të bëjnë me “sistemin e përgjegjësisë” së magjistratëve dhe që lidhen me përgjegjësinë penale, civile apo disiplinore të tyre. Në mbështetje të parashikimeve të legjislacionit shqiptar.
- Magjistrati mund të ndiqet penalisht, sipas dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Konkretisht, Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK), e cila heton veprat penale në fushën e korrupsionit, ka pasur në disa raste objekt të hetimit të saj magjistratë.
- Magjistrati nuk ka përgjegjësi civile për shkak të ushtrimit të funksionit, përveç rastit kur ka treguar të paktën pakujdesi të rëndë.
- Magjistratët e të gjitha niveleve, anëtarët e këshillave, Prokurori i Përgjithshëm si dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese mbajnë përgjegjësi disiplinore në rast se gjatë ushtrimit të detyrës apo jashtë saj ndërmarrin veprime të cilat përbëjnë shkelje disiplinore sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Në analizë të këtyre parashikimeve ligjore, qartazi përgjegjshmëria e magjistratëve është niveli më i lartë i llogaridhënies së tyre të brendshme, pra nga brenda sistemit. Kjo nënkupton se përgjegjshmëria nuk është vetëm një çështje morale individuale, por edhe një detyrim institucional. Ky është një proces dinamik, i cili kërkon mekanizma parandalues, zhvillim të vazhdueshëm profesional, si dhe një kulturë institucionale të mbështetur në rregulla të forta etike dhe vetëpërmbajtjeje. Përgjegjshmëria e një magjistrati nuk përfundon në momentin e rekrutimit të tij, por ajo vazhdon në mënyrë të pandërprerë gjatë gjithë karrierës së magjistratit përmes trajnimit dhe zhvillimit profesional të vazhdueshëm, garancive të pavarësisë strukturore dhe financiare, si dhe sistemit të vlerësimit etik dhe profesional periodik, i cili nuk ka vetëm karakter formal, por shërben si një mekanizëm reflektimi mbi cilësinë, efikasitetin dhe integritetin e punës së magjistratit.
Në këtë kuadër, nëse sistemi i përgjegjshmërisë funksionon në mënyrë të plotë, të drejtë dhe efektive, atëherë pushteti gjyqësor do të organizohet dhe do të funksionojë mbi baza të qëndrueshme profesionalizimi, legjitimiteti dhe të integritetit. Në rast të kundërt, nëse ky sistem nuk funksionon, aplikimi i sistemit të përgjegjësisë së magjistratëve (sanksionues) mund të jetë një mekanizëm dhe reagim i vonuar duke mos luajtur një rol parandalues, por vetëm ndëshkues, si dhe duke sjellë si pasojë jo vetëm cenimin e besimit të publikut në pushtetin gjyqësor, por edhe legjitimitetin apo autoritetin e këtij pushteti.
Prandaj, është thelbësore të theksohet se cilësia e një sistemi drejtësie nuk matet apo vlerësohet nga aftësia për të ndëshkuar apo sanksionuar magjistratët, por matet me mundësitë, mekanizmat dhe kapacitetin për t`i parandaluar sjelljet në kundërshtim me ligjin apo rregullat etike. Në të njëjtën kohë, të gjithë ne duhet të mbajmë në konsideratë faktin se një sërë çështjesh mund të kërkojnë një adresim të qartë dhe zgjidhje të kujdesshme, në aspekt sistemik dhe nuk mund të adresohen vetëm nga ana e Zyrës së ILD-së, për sa pretendohet vazhdimisht, mbi rolin dhe funksionet e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Kjo kërkon një qasje gjithëpërfshirëse dhe të kujdesshme, që shtrihet nga proceset e para të rekrutimit të ndershëm dhe mbi baza meritokracie të magjistratëve nga ana e Shkollës së Magjistraturës; te trajtimi, karriera dhe zhvillimi i vazhdueshëm profesional i tyre; apo vlerësimi etik dhe profesional periodik nga ana e Këshillave. Në rast se këto mjete nuk rezultojnë efektive, atëherë në raste përjashtimore, në varësi të rrethanave të caktuara, si dhe vetëm në kuadër të një procesi të rregullt ligjor mund aplikohen masat, të cilat kanë të bëjnë me sistemin e përgjegjësisë së magjistratëve dhe që lidhen me përgjegjësinë penale, civile apo disiplinore të tyre.
Këtu është radha e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, i cili në këto 5 vite është angazhuar të ruajë pavarësinë e tij institucionale, duke qenë një kontribuues i rëndësishëm në garantimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Për të mos u shndërruar në një mjet presioni ndaj magjistratëve dhe pushtetit gjyqësor, ILD po përpiqet të zbatojë standardet më të larta të procesit të rregullt ligjor, të sigurojë transparencë në procedurat e zhvilluara nga ana e tij, si dhe të dëshmojë integritet në çdo vendimmarrje, pasi procedimi disiplinor një magjistrati nuk është thjesht një masë individuale, por një test dhe tregues i pavarësisë së të gjithë sistemit gjyqësor. Çdo proces disiplinor ndaj një magjistrati është një provë jo vetëm për magjistratin, por për të gjithë sistemin e drejtësisë, sepse lidhet me krijimin e forcimin e besimit publik në sistemin e drejtësisë. Çdo procedim disiplinor i zhvilluar në mënyrë të drejtë, transparente dhe të paanshme është një mesazh i qartë për shoqërinë, se askush nuk është mbi ligjin, madje as vetë magjistratët, të cilët e kanë për detyrë ta interpretojnë dhe zbatojnë atë.
Të nderuar Kolegë!
Duke mos harruar në asnjë moment të ditës sonë të punës, kushtet në të cilat punojnë magjistratët, ngarkesën e madhe të çështjeve gjyqësore, numrin e pamjaftueshëm të magjistratëve në sistem, rritjen e përdoruesve të sistemit gjyqësor, pritshmëritë e drejta dhe të padrejta nga sistemi gjyqësor, përsëri mendoj se besimi i publikut tek gjyqësori është vlera më e çmuar e drejtësisë, por dhe mbrojtja më e mirë e tij. Kjo vlerë nuk fitohet me retorikë, por me veprim dhe sjellje konkrete. Sfida jonë, si institucione të sistemit të drejtësisë, është pikërisht gjetja e këtij ekuilibri të drejtë, ndërmjet sistemit të përgjegjshmërisë dhe atij të përgjegjësisë, i cili është njëkohësisht sfida më e madhe e çdo demokracie funksionale.
Në këto kohë, përgjegjësia jonë më e lartë, është të ndërtojmë një sistem drejtësie që është i pavarur, por që nuk i shërben vetvetes, por i shërben qytetarit. Për rrjedhojë, misioni i të gjithë organeve tona është i qartë, të ndërtojmë një gjyqësor të pavarur, por jo të pakontrollueshëm. Të ndërtojmë një sistem disiplinor që nuk ndëshkon për të ndërhyrë në pavarësinë e pushtetit gjyqësor, por për të edukuar magjistratët, si dhe nëpërmjet akteve tona, veprimtarisë sonë, pavarësisë por dhe funksionalitetit tonë, nëpërmjet shembujve të punës sonë, të ndërtojmë një kulturë integriteti profesional dhe moral të magjistratëve, ku drejtësia nuk shihet si pushtet i magjistratit, por si një e drejtë e qytetarit.
Ju faleminderit!

