22.5 C
Tirana
Monday, September 8, 2025

SPAK jep detaje nga takimet e Dumanit në SHBA, tema e bisedimeve goditja e organizatave ndërkombëtare kriminale

Shuhen dilemat dhe hamendësimet mbi vizitën e kreut të SPAK Altin Dumani në SHBA. Përmes një njoftimi për mediat Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) njoftoi në lidhje me vizitën dhe takimet e drejtuesit të këtij institucioni Altin Dumani në Washington D.C, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 2 dhe 3 shtator.

Referuar informacionit publik, gjatë takimeve me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI) me kreun e SPAK është diskutuar mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes SPAK dhe agjencive ligjzbatuese amerikane për të goditur organizatat ndërkombëtare kriminale, për të ndaluar trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave.

Në njoftim thuhet se Dumani ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe theksoi rëndësinë e këtij partneriteti strategjik.

“Me ftesë të Agjencisë Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA), Drejtuesi i SPAK, z.Altin Dumani mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Zbatimin e Ligjit për Narkotikët, e cila u zhvillua në Nashville të Tennessee më 26-28 Gusht. Konferenca e titulluar, “Uniteti global për një të ardhme më të sigurt: Forcimi i aleancave kundër krimit transnacional” , u përshëndet nga Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, znj. Pamela J. Bondi”  thuhet në njoftimin e SPAK.

Më tej thuhet se kreu i SPAK, Altin Dumani ka patur takime edhe me drejtues të agjencive të rëndësishme të zbatimit të ligjit të vendeve pjesëmarrëse në konference, me të cilët ka diskutuar mundësinë e krijimit të urave të komunikimit si edhe forcimin e marrëdhënieve ekzistuese, për të luftuar trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat