Ragip Gila 28-vjeçari që u arrestua si autori i masakrës me dy të vrarë dhe dy të plagosur, të regjistruar mëngjesin e kësaj të hëne në qytetin e Shkodrës. Ai nuk është një emër i panjohur për Policinë apo drejtësinë, pasi konsiderohej si anëtar i grupeve kriminale në kryeqendrën e veriut.
Ragip Gila rezulton se është arrestuar edhe më 6 dhjetor të vitit 2023, pasi në banesën ku jetonte iu gjetën sende që përdoreshin nga grupe kriminale për vepra të ndryshme në Shkodër si jelekë anti-plumb, maska, paruke, armë e municion dhe sasi të lëndëve narkotike.
Më konkretisht, në kuadër të operacionit “Imazhi fals”, në banesën e tij në lagjen “Partizani”, të riut iu gjetën:
• 7 jelekë antiplumb
• 2 palë doreza
• 3 maska
• 2 paruke (të përdorshme për kamuflim gjatë atentateve)
• një armë gjahu
• sasi municioni luftarak
• një sasi lënde narkotike e dyshuar si kanabis
Policia asokohe deklaroi se kjo bazë e armatimit përdorej për të ndihmuar grupe kriminale në përgatitje të ngjarjeve të rënda.
Droga në formë çokollate, kishte të njëjtat stampa në amballazh, si sasinë e drogës që Policia e Shkodrës kishte sekuestruar pak më parë këtij aksioni, brenda një fugoni në afërsi të një tuneli, ku u sekuestrua afro 100 kg drogë. 65.5 kg ishte marijuanë e prodhuar në formë çokollate e gatshme për treg dhe pjesa tjetër 31.5 kg kanabis në formë boçe.
Sipas Policisë në atë kohë, në krye të asaj veprimtarie kriminale qëndron vëllezërit Nazmi dhe Basri Malaj, teksa dyshohej se droga prodhohej në Fushë Krujës dhe më pas sillej në Shkodër për shpërndarje.
Por, edhe pse kishte gjithë këto të dhëna dhe dyshime, Ragip Gila u lirua nga burgu nga Gjykata e Shkodrës me vendim të gjyqtarit Albert Keraj, më 4 Mars të vitit 2025.
Më konkretisht, me vendim gjykate, Ragip Gila u dënua me 5 vite burgim, ku nga gjykimi i shkurtuar dënimi iu ul 1/3 në 3 vite e 4 muaj burgim. Gjithsesi, ai nuk e kreu pjesën e mbetur të dënimit, pasi Gjykata vendosi që dënimin me burg t”ia konvertonte në shërbim prove.
Vendimi i Gjykatës
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Ragip Jonuz Gila për kryerjen e veprës penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, parashikuar nga neni 283, paragrafi i parë i Kodit Penal.
- Në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
Në zbatim të nenit 406 të KPP, dënimi prej 5 vjetësh i ulet me 1/3, duke e dënuar përfundimisht me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim. - Në zbatim të nenit 59 të KP urdhërohet:
- pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim;
- vënia në provë e të pandehurit Ragip Jonuz Gila për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale;
- gjatë kësaj kohe prove, i pandehuri duhet të mbajë kontakte me Degën Territoriale të Shërbimit të Provës Shkodër.
- Në zbatim të nenit 30 pika 2 të KP, urdhërohet që i pandehuri Ragip Jonuz Gila të mos thyejë masën, të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë.
- Në referim të nenit 261/l/b dhe 389 të KPP, deklarohet shuarja e masës së sigurimit ndaj të pandehurit Ragip Jonuz Gila dhe urdhërohet lirimi i menjëhershëm i tij nga dhomat e paraburgimit, nëse nuk mbahet për ndonjë arsye tjetër.
- Një kopje e këtij vendimi, pasi të marrë formë të prerë, i dërgohet Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër dhe Degës së Shërbimit të Provës për kontroll dhe verifikim.
- Shpenzimet procedurale gjatë hetimeve dhe ato gjyqësore mbulohen nga shteti.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda 15 ditëve nga nesër pas shpalljes.