Naun Shundi, aktori dhe regjisori i njohur shqiptar, ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e rëndë.
Prej disa javësh, Shundi ishte nën kujdesin e mjekëve, ndërsa një ditë më parë bashkëshortja e tij kishte bërë të ditur se gjendja e tij shëndetësore kishte marrë një kthesë jo të favorshme, duke i bërë thirrje miqve dhe dashamirësve që të mos kontribuonin më financiarisht.
Shundi ka kaluar mbi 46 vite në Teatrin Kombëtar shqiptar dhe është konsideruar një nga figurat kryesore të skenës shqiptare. Ai ka interpretuar mbi 100 role në teatër dhe rreth 20 role në film, duke kontribuar në pasurimin e dramaturgjisë shqiptare dhe duke u bërë mentor për shumë artistë të rinj.
Edukimi dhe Trajnimet
Diplomohet nga Shkolla e Lartë e Kulturës në drejtimin skenik, 1977.
Mbaron studimet në Institutin e Lartë të Arteve, Fakulteti i Artit Skenik, në Tiranë, si aktor, 1983.
Pas specializohet në regji në Teatrin Kombëtar të Bukureshtit dhe pranë Akademisë së Teatrit dhe Filmit në Bukuresht, 1995.
Naun Shundi ka ndjekur një karrierë të shumëfishtë:
Aktor | Regjisor | Scenarist | TV-prodhues | Dramaturg | Mësues skene.
Punoi për dekada në Teatrin Kombëtar, aty ku formoi identitetin e tij artistik.
Ka interpretuar, shkruar, regjizuar dhe mësuar drejtimin dhe interpretimin në skenë për breza artistësh.
Projekti i Teatrit Privat: “Zonja e Bujtinës”.
Pas shembjes së Teatrit Kombëtar, ai së bashku me bashkëshorten, krijuan një teatër dhome në oborrin e shtëpisë së tyre në zonën e Ish-Kinostudios në Tiranë, emërtuar “Zonja e Bujtinës”.
Kjo hapësirë mikpritëse përshtatet për libra, koncerte, ekspozita dhe natyrisht shfaqje teatrale të ngushta në audiencë.
Më vonë, në këtë teatër u vuri në skenë edhe monokomedinë “Babi” – një vepër e shkruar dhe interpretuar nga vetë Shundi; ku me humor dhe dramë trajton temën e familjes dhe vlerësimit të prindërve.
Ka kontribuar në mbarë karrierën e tij për promovimin e teatrove dhe veprave shqipe, duke theksuar rëndësinë e “të folurit shqip” në skenë.
Ka qenë zë i fuqishëm kundër komercializimit të teatrit dhe mbrojtës i teatrit si art, jo si biznes.
Vetëm pak ditë më parë, Teatri Zonja e Bujtinës, i themeluar nga Naun Shundi dhe bashkëshortja e tij, Raimonda Shundi, shënoi 3-vjetorin e krijimit. Përmes nëj videomesazhi për të gjithë artdashësit, regjisori u ndal te rëndësia e teatrit e veçanërisht e krijimeve shqiptare. Vazhdimisht, artisti ka theksuar rëndësinë e ‘të folurit shqip’ në skenat e teatrit në vendin tonë.
“Teatri po i largohet teatrit dhe po afrohet më tepër drejt biznesit, drejt komercialitetit. Është e vërtetë që teatri pa fonde, pa para, nuk bëhet, por ama të jetë qëllimi kryesor i teatrit… ta orientosh drejt parasë, do ta vdesësh! Nuk do të jetë më teatër, do të jetë një shitore që shet mallra pa vlerë. Ju lutem, të heqim dorë nga kjo mani, të përpiqemi të bëjmë teatër sikurse spektatori e meriton. Bëj thirrje që çdokush të luftojë ta mbajë gjallë teatrin dhe ta çojë para. Është një krijesë mijëravjeçare dhe është në turpin tonë, nëse ne e detyrojmë të vdesë”.
Ndërkohë, shfaqja e fundit që vetë Shundi shkroi dhe vuri në skenë ishte monodrama “Njeriu i Pyllit”. Monokomedia tragjike shtron probleme dhe pikëpyetje jo vetëm për njeriun dhe shoqërinë njerëzore në përgjithësi, por edhe për çdo gjallesë tjetër. Në të trajtohen probleme të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërmjet të gjitha llojeve, problemeve të luftës njerëzore, probleme të jetës dhe të vdekjes. E në fakt, “Njeriu i Pyllit”, dukej se ishte vetë Shundi, që personazhin e krijuar prej tij e solli në skenë me shumë mjeshtëri.