29.5 C
Tirana
Monday, September 8, 2025

Ish-numri 2 i AKSHI-it, Daniel Shima u kthye në shtëpi pas zhdukjes misterioze, mbetet enigmë mesazhi: Po më arrestojnë!

Ish-zëvendësdrejtori i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Daniel Shima, është kthyer pranë familjes gjatë natës, pas denoncimit nga të afërmit e tij si i zhdukur.

Familjarët kishin bërë kallëzim në Komisariatin nr. 1 të Tiranës, duke pohuar se kishin humbur kontakt me të rreth orës 13:30 të ditës së djeshme. Alarmin e shtoi fakti se Shima u kishte dërguar një mesazh të afërmve ku shkruhej: “Po më arrestojnë”, përpara se komunikimi të ndërpritej.

Në deklaratën e dhënë pas kthimit, Shima tha se kishte qenë në jug të vendit pas një konflikti me partneren e tij, por nuk dha shpjegime lidhur me mesazhin shqetësues që kishte tronditur familjarët.

Reagimi i policisë

Policia e Tiranës konfirmoi se kallëzimi ishte bërë nga nëna e 34-vjeçarit, ndërsa theksoi se shërbimet e saj kishin nisur verifikimet për sqarimin e rrethanave. Nuk u dhanë detaje për pistat e hetimit.

Karriera dhe përplasjet në AKSHI

Daniel Shima ka mbajtur për katër vite postin e zv.drejtorit të AKSHI-t, duke qenë numri dy i institucionit pas Mirlinda Karçanajt.

Më 19 mars 2024, pikërisht ditën kur Karçanaj u thirr për disa orë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ajo u kthye në zyrë dhe firmosi shkarkimin e tij.

Shima është pyetur më pas në SPAK për tenderat e AKSHI-t, ndërsa një vit më parë u raportua se kishte qenë nën mbrojtjen e Gardës së Republikës për shkak të një rreziku të konstatuar nga institucionet ligjzbatuese megjithëse kjo nuk u konfirmua kurrë zyrtarisht.

Çfarë i ndodhi Daniel Shimës?

Zhdukja e papritur, mesazhi misterioz dhe më pas rikthimi i shëndoshë në banesë, lënë hapur disa skenarë:

A ishte fjala thjesht për një konflikt personal dhe një largim i nxituar, siç pretendon vetë Shima?

Apo pas mesazhit të tij fshihen prapaskena që lidhen me të kaluarën në AKSHI dhe akuzat mbi tenderat shtetërorë?

Mos ndoshta kemi të bëjmë me një “alarm të rremë” që do të mbulojë diçka tjetër?

Për momentin, policia nuk ka dhënë një version zyrtar mbi shkaqet e zhdukjes së 34-vjeçarit dhe as nuk ka komentuar mbi mesazhin “po më arrestojnë”.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat