Rreth 30 vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vendin tonë, forcat e shërbimit zjarrfikës ndodhen në terren, ndërsa luftojnë me flakët. Emergjencat Civile nisin evakuimet masive edhe të banorëve në 5 fshatra të tjerë të Gramshit, që janë përfshirë nga vatrat e zjarrit dhe rrezikojnë jetën e njerëzve, duke e çuar në total në 9 numrin e fshatrave ku janë kryer evakuime.
Një vatër zjarri ka shpërthyer pasditen e kësaj të marte edhe në fshatin Lekeël të Tepelenës, duke djegur hektarë me pyje dhe të mbjella nga fshatarët.
Zjarri po ashtu ka shkrumbuar edhe kishën ortodokse “Shën Ilia”, e shpallur monument kulture e kategorisë II, e ndërtuar rreth viteve 1800 nga Thanas Vaja, ish sekretari i Ali Pashë Tepelenës.
Po ashtu, raportohet se zjarri ka djegur edhe disa banesa, 3 stane dhe 3 viça. Për shkak të flakëve, kanë shpërthuar edhe dy bomba të mbetura në fshat, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Pamje nga Tepelena tregojnë situatën e rëndë ndërsa banorët bëjnë apel për ndihëm dhe shtimin e zjarrfikësve në zonë.