Saranda ka zënë vendin kryesor përsa i përket kronikës në këtë sezon turistik, sikur mos mjaftonin ngjarrjet e fundit kriminale një sherr i dhunshëm ka ndodhur mbrëmjen e të enjtes duke gdhirë mëngjesi i të premtes në shëtitoren e qytetit, duke krijuar panik mes qytetarëve dhe turistëve të shumtë që ndodheshin aty.
Sipas kalimtarëve dhe videove që qarkullojnë në rrjetet sociale shihen disa të rinj duke u përleshur mes tyre me sende të forta si shkopinj dhe baleta druri. Skena të dhunës ndodhën në mes të shetitores, pranë kalimtarëve që u gjendën të trembur përballë situatës së papritur dhe kaotike.
Zënka mes dy grupeve duket se ka degjeneruar shpejt në dhunë fizike, ndërsa nuk dihet ende shkaku apo nëse ka pasur të lënduar. Ngjarja ka ngjallur shqetësim për sigurinë publike, sidomos në një qytet turistik si Saranda, ku çdo incident i tillë ndikon drejtpërdrejt në imazhin e zonës gjatë sezonit veror.
Autoritetet lokale ende nuk kanë reaguar mbi këtë ngjarje.
Më poshtë ngjarjet e muajit korrik që e bënë Sarandën të kapi 'prime'
sa i përket kronikës së zezë
Më konkretisht, më 8 Korrik, në kuadër të operacionit “Impact” u arrestua në Ksamil shtetasi kosovar Sh. M., 31 vjeç, banues në Gjilan. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Range Rover” që drejtonte ky shtetas, uniformat blu gjetën të fshehur në çantën e tij të dorës, 1 armë zjarri pistoletë tip “Beretta”, me një krehër me fishekë.
Më 11 Korrik, Policia ndaloi rastësisht në rrugën “Butrinti” një automjet luksoz tip “Porsche Panamera”, brenda të cilit ndodheshin tre të rinj nga Kamza, një prej tyre i shpallur në kërkim. Më konkretisht shtetasit Endrit Doku (27 vjeç), Ervis Cukali (27 vjeç) dhe Imer Gega (21 vjeç). Endrit Doku ishte i armatosur me pistoletë, ku u hodh në det për t’i shpëtuar arrestimit bashkë me çantën ku kishte armën, por nuk ia doli dot, pasi u kap nga policia kufitare me skaf.
Ndërkohë Ervis Cukali, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, rezultonte në kërkim për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”, teksa u arrestua edhe për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ai ishte arrestua më 28 shtator të vitit 2023, së bashku me Albi Mecinin dhe Arafat Manërkollin, pasi u kapën me një sasi prej 21 kg eksploziv dhe dyshohet se do të kryenin në atentat në Fier.
Më 19 Korrik, në Ksamil Albert Pashaj, pronari i “Euro Hotel” në Ksamil u dhunua me sende të forta (hunj) nga Agim Taraj (pronar i “Sunset Beach Bar”), Silvjan Sulku dhe Aldo Zeqiraj. Ngjarja ndodhi sërish në sy të qindra pushuesve, teksa pamjet me rrjedhjen e gjakut në fytyrë bënë xhiron e rrjetit.
Më 20 Korrik, në Sarandë u regjistruan të shtëna me armë zjarri në lagjen numër 4, në rrugën “Mitat Hoxha”. Ngjarja ndodhi sërish në sytë e qindra pushuesve, duke vënë në rrezik dhe jetën e tyre. Gjatë konflikti, i plagosur mbeti ish-efektivi i Policisë, Adil Veli, 56 vjeç, i cili sipas autoriteve është goditur me tytën e armës së zjarrit pistoletë.
me 21 Korrik shënjestër e sulmit ishte automjetit në pronësi të shtetasit Klaus Jaçaj 31 vjeç, të cilin e “hodhën në erë” me eksploziv. Jaçaj ishte shpallur në kërkim nga Policia vetëm 4 ditë më parë, pasi dyshohet si i përfshirë në përplasjen mes dy grupeve më 17 Korrik në lagjen numër 4 të Sarandës, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy të rinjtë nga Kamza, Gëzim Hajdaraj 33 vjeç dhe Ernest Lama 24 vjeç.
Klaus Jaçaj akuzohet për përkrahje të autorëve të krimit, pasi dyshohet se ka ndihmuar dy vëllezërit Ramadan Zoto, i njohur edhe si Ramadan Canaj, 43 vjeç, si edhe Erjon Canaj, 36 vjeç, të cilët qëlluan 2 të rinjtë pas sherrit për pronën në bregdet.