Kleana Xhuveli, kandidate në listën e mbyllur të koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, njoftoi se do të ushtrojë mandatin e deputetes, i cili iu akordua ditën e sotme nga kreu i KQZ Ilirjan Celibashi i cili shqyrtoi dokumentacionin.
“Duke qenë se lëvizja jonë ka në themel garën me lista të hapura, zotohem se do ta përfaqësoj me dinjitet mandatin. Në ditën që beteja ligjore do ta rikthejë mandatin tek i zoti, tek njeriu më i votuar i lëvizjes tonë, Adriatik Lapaj, unë do të jem aty për të garantuar vijimësinë e këtij procesi,” deklaroi Kleana Xhuveli.
Por, KQZ rrëzoi kërkesën e Lapajt që të ishte ai ligjvënësi, me argumentin se dorëheqja nga kandidimi ishte jashtë ligjit. Sipas Celibashit, kandidatët e listës së mbyllur nga momenti kur ishte prodhuar fleta e votimit, e kishin humbur të drejtën për t’u dorëhequr nga kandidimi si deputetë.
Por, Celibashi theksoi se pavarësisht se lista e mbyllur më herët ka thënë se nuk e dua mandatin, cilido prej tyre që ka ndërruar mendje mund ta kërkojë mandatin deri në momentin kur KQZ të bënte shpërndarjen. Kështu, dy ishin kandidatët që kishin ndërruar mendje, Kleana Xhuvani, kushërira e Lapajt, dhe Zeqir Kordhoni, daja i Endri Shabanit. Mandati shkoi për 27-vjeçaren Xhuvani, duke qenë se renditej e katërta në listë, kundrejt Kordhonit që është i nënti.
“Nuk ka dorëheqje nga kandidimi pasi listat janë miratuar. Kjo është e qartë në Kod dhe është kështu për çdo lloj shkaku apo motivi. Në këtë fazë, për sa kohë ne nuk kemi vendosur të shpërndajmë mandatet, ose për të shpallur kandidatët fitues të listës së mbyllur është në të drejtën e çdo kandidati për të hequr dorë nga marrja e mandatit. Në momentin që KQZ ka vendosur për shpalljen e mandateve, kandidati që tërhiqet nga marrja e mandatit do duhej ta bëjë para Kuvendit. Çdo njëri prej kandidatit të listës së mbyllur të këtij koalicioni ka të drejtë për tu tërhequr nga e drejta e tyre për të marrë mandatin dhe këtë pohim mund ta bëjë në formë dhe përmbajtje aq herë sa ai e çmon dhe sa kohë KQZ nuk ka vendim për shpërndarjen e mandateve. Pra, vetëm këtë të drejtë mund të ushtrojnë ata që janë në listën shumeemërore, s’ka tërheqje nga kandidmi. Në rastin konkret. Klena xhuveli ka pohuar se dëshiron të marrë mandatin, nëse ky do të jetë rasti, e ka bërë edhe Zerqir Kordhoni, por duke qenë se Klena është renditur në listën e mbyllur të këtij koalicioni më sipër, vlerësoj që i takon asaj e drejta për të marrë mandatin e deputetit të këtij koalicioni përsa kohë ajo e ka interesin për këtë”, tha Celibashi.
