Saranda tronditet nga një shpërthim me tritol, si pasojë e ngjarjes së ndodhur më 17 korrik, kur në lagjen nr. 3 të Sarandës, mbetën të plagosur Gëzim Hajdaraj, 33 vjeç dhe Ernest Lama, 25 vjeç.
Automjeti rezulton në pronësi të shtetasit Klaus Jace 31 vjeç, person i shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e datës 17.07.2025, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas.
Organet ligjzbatuese konfirmuan se rreth orës 23:50 të mbrëmjes së të hënës dyshohet se ka shpërthyer një sasi eksplozivi që ishte vendosur në makinën në pronësi të Klaus Jaçajt. I riu është shpallur në kërkim së bashku me dy të tjerë, pasi dyshohet se kanë përkrahur autorin e plagosjes së dyfishtë të 17 korrikut ndodhur po në lagjen 3.
“Më datë 21.07.2025, rreth orës 23:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Automjeti rezulton në pronësi të shtetasit K. J., 31 vjeç, person i shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e datës 17.07.2025, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor” thuhet në njoftimin e policisë.
Për plagosjen e 17 korrikut, policia ka shpallur në kërkim Erjon Canaj, Artan Murtaj, Klaus Jaçaj dhe Ramadan Zoto. Ky i fundit dyshohet se ka qenë personi që ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy shtetasve, Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj, duke i plagosur rëndë të dy.
Ramadan Zoto alias Dane është cilësuar si një person me rrezikshmëri të lartë si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi.