23.5 C
Tirana
Sunday, August 3, 2025

Metani: ILD është i monitorueshëm nga Shoqëria Civile pavarësisht nëse biem apo jo dakord me gjetjet e tyre

Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC), që kanë në fokus të veprimtarisë së tyre drejtësinë dhe të drejtat e njeriut zhvilluan një takim pune me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë Artur Metani, në të cilin diskutuan raportin e veprimtarisë së institucionit për vitin 2024 dhe krahasimi dinamik të punës në 5 vite funksionim

Në takim morën pjesë OSHC, me të cilat ILD ka marrëveshje bashkëpunimi dhe organizata të tjera, konkretisht z. Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike (ISP), znj. Aranita Brahaj nga  Instituti Shqiptar i Shkencës/Open Data Albania,  z. Arjan Dyrmishi nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes,  znj. Rovena Sulstarova nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), z. Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare, znj. Emilia Llambro nga Qendra për Zhvillim dhe Integrim Europian (CEDI) dhe znj. Teisa Kurti nga Qendra Altri. Gjithashtu ishin ftuar edhe partnerë ndërkombëtarë më të cilët ILD bashkëpunon prej vitesh, nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, OPDAT, Prezenca e OSBE, Ambasada e Mbretërisë së Holandës dhe misioni EU4 Justice, që mbështeti këtë aktivitet.

Për një komunikim të hapur dhe shterues me OSHC-të dhe partnerët ndërkombëtarë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Metani shoqërohej nga trupa e Inspektorëve të ILD-së. Në fjalën hyrëse, duke i falënderuar për prezencën, z. Metani u shpreh se: “Këtë lloj komunikimi me organizatat e shoqërisë civile e konsideroj si tejet të rëndësishëm, pasi ju konsideroj aktorë të jashtëm me peshë për shkak se jo vetëm përmes takimeve tona, por edhe përmes aktiviteteve e projekteve tuaja, jeni njohës të mirë të mënyrës sesi funksionon Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Pra, pritshmëria jonë është për mendim të kualifikuar dhe këtë mund ta realizojmë së bashku, duke marrë sqarimet tona për çdo aspekt të punës së ILD-së që ju intereson.”

Zoti Metani bëri një paraqitje grafike të dinamikës së punës së ILD-së gjatë vitit 2024, duke u ndalur tek funksionet kryesore të institucionit, lidhur me administrimin e trajtimin e ankesave, hetimin e procedimin disiplinor dhe inspektimet. Më tej Inspektori i Lartë i Drejtësisë paraqiti ecurinë e veprimtarisë së ILD-së ndër vite, me të dhëna konkrete, që prej nisjes së funksionimit, në vitin 2020 dhe synimet për rritjen e efikasitetit të punës, në funksion të transparencës e forcimit të besimit të publikut tek ILD dhe institucionet e drejtësisë.

Zoti Metani iu përgjigj interesimit të pjesëmarrësve për aspekte të punës ndër vite të ILD-së, por edhe për zhvillime jashtë institucionit mbi rolin dhe pritshmëritë publike. Duke vlerësuar si shumë të çmuara kontributet e sugjerimet që u përcollën në takim nga Organizatat e Shoqërisë Civile, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerësoi si të nevojshme edhe raportet monitoruese që bëhen për ILD-në, së fundmi nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

“Raportet e monitorimit të Shoqërisë Civile ndaj ILD-së janë tregues se ky institucion është i monitorueshëm, pavarësisht nëse biem apo jo dakord me gjetjet e përcjella, sepse në fund të fundit kështu funksionon demokracia. E rëndësishme është që puna e një institucioni monitorohet, analizohet e vlerësohet dhe ky është një mekanizëm demokratik për t’u ushqyer e vlerësuar” tha Metani.

Në mbyllje të takimit pjesëmarrësit bashkëndanë qëndrimin se kontaktet profesionale i shërbejnë të kuptuarit të dinamikave të punës, jo vetëm të institucionit, por edhe të nevojave e prioriteteve për t’u përcaktuar e zbatuar.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat