Chelsea ka mposhtur 3-0 PSG-në dhe ka fituar Kupën e Botës për Klube, kompeticion i zhvilluar për herë të parë në këtë format. Goli i parë i finales u shënua në minutën e 22-të.
Malo Gusto pasi i merr topin në krah Nuno Mendes shkon drejt portës, provon të shënojë vetë në tentativën e parë, nuk ia del, në të dytën, pason për Cole Palmer, i cili dërgon topin në rrjetën e Donnarumma-s.
Në minutën e 29-të, ishte sërish Cole Palmer që dërgoi topin në rrjetë pas një aksioni të shpejtë të londinezëve, që u finalizua në mënyrën e duhur.
Në minutën e 42-të, ishte radha e blerjes së fundit, Joao Pedro, i cili mposht me shumë klas Donnarumma-n, pas asistit të Cole Palmer.
Një pjesë e parë e shkëlqyer për sulmuesin anglez, dy gola dhe një asist, ndërsa Chelsea e mbylli në avantazh 3-0.
Pavarësisht disa ndryshimeve që bëri në formacion Luis Enrique, pjesa e dytë nuk solli ndonjë ndryshim për francezët.
Londinezët administruan në mënyrë perfekte rezultatin e pjesës së parë, ndërsa parazienët ishin të pafuqishëm për të ndryshuar fatin e ndeshjes.