29.5 C
Tirana
Monday, September 8, 2025

Kryeministri Rama dhe prokurorja Elsa Gjeli, e kthjenë pakënaqësinë ndaj njëri-tjetrit në debat publik! Kush ka të drejtë?

Pas kritikave të Edi Ramës, prokurorja Elsa Gjeli i është drejtuar me një shkresë KLP-së, duke i shprehur shqetësim për situatën e krijuar në Theth. Gjeli kërkon nga KLP reagim publik “ndaj presionit publik, fyerjes dhe diskreditimit  të figurës së Magjistratit dhe mbrojtjes së pavarësisë së Magjistratëve nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama”. Ajo shprehet se është e gatshme të përgjigjet para çdo institucioni në lidhje me akuzat ndaj saj.

Pas njohjes me letrën e prokurores, Rama ka reaguar gjatë fjalës së tij në takimin me kryetarët e bashkive për performancën e pushtetit vendor në funksion të vizionit Shqipëria 2030 në BE. Rama ka vijuar me akuzat ndaj prokurores Gjeli duke u shprehur se ajo ka refuzuar të shohë veprën penale. Kërkesën e saj në KLP Rama e konsideron si një ese filozofike mbi pafajësinë e ndërtimit pa leje.

“Siç është bërë e ditur publikisht në një rast flagrance spektakolare ku një fshat i tërë turistik është ndërtuar në mes të Thethit, prokuroria ose më saktë një prokurore me mbiemrin Gjeli ka vendosur të mos fillojë hetimet. Pra ka refuzuar të shohë për çfarë bëhet fjalë dhe ka bërë një ese filozofike mbi pafajësinë e ndërtimit pa leje. Ndërkohë që ndërtimi pa leje në Shqipëri është vepër penale”, tha Rama.

Letra e prokurores

Në përputhje me kompetencat tuaja, lutem nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që: Të analizojë sjelljen e Kryeministrit në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve; Të shqyrtojë mundësinë e një deklarate zyrtare në mbrojtje të trupës së Prokurorëve nga sulme të papranueshme politike, duke theksuar se në lidhje me rastin tim individual jam e gatshme të hetohem para të gjithë organeve të drejtësisë;

Të ndërmarrë hapa institucionalë për të garantuar sigurinë dhe integritetin profesional të Magjistratëve që ndihen të persekutuar për shkak të vendimeve të tyre të pavarura. Deklaroj se jam e gatshme të paraqes çdo dokument shtesë dhe të dëshmoj personalisht për ndikimin që këto deklarata kanë pasur në mjedisin tim profesional dhe emocional.

Nuk dua të ndalem në shumë ngjarje që kam hetuar apo aktualisht jam duke hetuar, pasi nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë objektiv i punës sime lancimi i ngjarjeve, por qëllimi është lufta kundër kriminalitetit dhe mbrojtja ndaj interesit publik në çdo moment, sipas betimit të bërë para Kushtetutës dhe që jam betuar që do t’a mbroj solemnisht në çdo moment.

Nëse një Prokuror, i cili është duke hetuar aktualisht dhe duke konkluduar se do të merren në përgjegjësi penale disa punonjës të IMT Malësi e Madhe për ndërtim të paligjshëm, në të kundërt ka kryer shkelje në drejtim të vendimmarrjes së tij të atakuar nga opinioni publik për rastin në fjalë, do të ju lutesha dhe do ju kërkoja që të ndërmerrnin masat përkatëse ato institucione që ligjërisht kanë detyrimin të verifikojnë vendimmarrjen time, duke theksuar se jam e gatshme të përballem me çdo pasojë të mundshme, pasi kam bindjen e plotë që vendimmarrja ime mund dhe duhet të vlerësohet vetëm nga organet e përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligji, por jo nga institucione jashtë pushtetit gjyqësor. Lejimi i faktit të kundërt do të cenonte rëndë parime themelore kushtetuese”, shprehet në letër Gjeli.

Manja i kërkoi ILD, hetim për veprimtarinë e prokurores

Një ditë më parë, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, pas kërkesës së kryeministrit, iu drejtua me një shkresë ILD-së për nisjen e ecurisë disiplinore ndaj prokurores. Në ankesë, ministri theksonte se prokurorja u bazua tek një ligj që nuk ishte në fuqi dhe e shkeli ligjin aktual, duke mos i filluar hetimet për kabinat e vendosura në Theth. Sipas ministrit, ‘prokurorja cenoi ushtrimin e hetimit ndaj kallëzimit që bëri policia e Shkodrës’ .

Rama denoncoi më 7 korrik rastin e ndërtimit pa leje dhe vendosjes së kabinave të pushimit në Theth. Prokuroria e Shkodrës reagoi menjëherë duke arsyetuar se “vendimi ishte bazuar në ligj, pasi strukturat janë referuar nga policia si kontejnerë të përkohshëm pa themele, të vendosura jo mbi bazamente betoni por në rrasa guri të prera”.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat