Deputeti aktual i PS-së, por që nuk mori mandat në zgjedhjet e 11 majit, Plarent Ndreca është paraqitur në SPAK, në cilësinë e personit që ka dijeni për një dosje penale.
Pas daljes nga SPAK, Ndreca u kujdes të ishte i qetë duke deklaruar se ishte për një hetim në cilësinë e personit që ka dijeni.
“Jam për një hetim. Në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e çështjes. Për të cilën nuk flas dot për shkak se është nën hetim ende”, tha Ndreca për mediat pas daljes nga SPAK.
Kujtojmë që deputeti Ndreca përballet në GJKKO me SPAK, pasi është marrë i pandehur për abuzim me tenderat, gjatë kohës që ka qenë Sekretar i përgjithshëm të Ministrinë e Brendshme, pasi në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë kanë favorizuar Gjon Radovanin si përfitues i tenderit për rikonstruksionin e 4 komisariateve.
Referuar hetimeve të SPAK, deputeti Ndreca dhe zyrtarët e Ministrisë e kanë privilegjuar Radovanin në të gjitha fazat e procedures së prokurimit dhe në përfundim e kanë shpallur fitues dhe lidhur kontratë me me bashkmin e Operatorëve ekonomikë, Derbi-E shpk,ndërkohë që nuk përmbushte kriteret ligjore.
Kallëzimi për të është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku ky institucion ka konstatuar se procesi kishte patur shkelje të procedurave, dyshohet se fituesi ka qenë i paracaktuar, si dhe ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit.
Bëhet fjalë për rikonstruksionet e komisariateve të Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë. Hetimi për këtë çështje avancoi pas provave materiale të marra në ceularin e sekuestruar biznesmenit Gjon Radovani, i cili ka mbajtur postin si ish-zëvendës ministër pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban në Shqipëri. Është pikërisht kompania e tij, “A.P.E”, ajo që fiton tenderat për rikonstruksionin e godinave të Komisariateve.