Në bashkëpunim me autoritetet finlandeze, Prokuroria e Posaçme ka goditur një rrjet kriminal që merrej me trafik ndërkombëtar droge dhe që drejtohej nga shqiptarë. Janë sekuestruar 170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë dhe 100 kg kanabis. 9 të arrestuar në Shqipëri 2 në kërkim. 54 persona të proceduar dhe shumica të dënuar në Finlandë.
Bëhet fjalë për të paktën 4 grupe kriminale me drejtues shqiptarë, që karakteristikë të veçantë kishin bashkëpunimin mes tyre për trafikun e drogës, kryesisht asaj sintetike.
Operacioni i zhvilluar mëngjesin e së martës, 3 qershor, ka çuar në pranga 9 persona në territorin shqiptar, ndërsa 2 të tjerë janë ende në kërkim. Ndërkohë, në Finlandë 55 persona, anëtarë të këtij grupi rezultojnë të dënuar, 10 prej tyre shqiptarë, pjesa tjetër finlandezë, polakë, rumunë, aziatikë e afrikanë. Në total, gjatë këtij hetimi është sekuestruar rreth 300 kg drogë, konkretisht 170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë dhe 100 kg kanabis.
Gjatë operacionit për vënien në pranga të trafikantëve nga forcat e policisë dhe agjentët e BKH janë sekuestruar 8 automjete, telefona celularë dhe shumë dokumente me vlerë për hetimin, dokumente në gjuhën finlandeze me të dhëna të rëndësishme për aktivitetin kriminal të personave dhe lëvizjen e parave. Pikërisht për paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal paralelisht ka nisur një hetim pasuror për të 11 personat.
Si funksiononte grupi?
Detajet për aktivitetin kriminal të këtij rrjeti u dhanë një konferencë të përbashkët mes SPAK dhe me autoriteteve finlandeze. Dy prokurorët që kanë drejtuar hetimin në Shqipëri, Arben Kraja dhe Alfred Shehu zbuluan se kemi të bëjmë në total me 4 grupe kriminale, të drejtuara nga shqiptarë. ‘Kokat’ kryesisht vepronin nga Shqipëria dhe rezultojnë me precedentë penalë të mëparshëm në Finlandë dhe pas kthimit në Shqipëri kanë vijuar veprimtarinë kriminale. Dy prej drejtuesve janë me orgjinë nga Vlora, ndërsa 2 të tjerët nga Berati e Kuçova, por me banim në Tiranë.
“Ky bashkëpunim është dëshmi e qartë se krimi shqiptar ka shtrirë aktivitetin e tij edhe vendet nordike përfshirë Finlandën”, tha kreu i SPAK, Altin Dumani, ndërsa theksoi se “organizatorët apo krijuesit e grupit preferonin të rrinin në Shqipëri dhe nga këtu organizonin aktivitetin kriminal.”
4 grupet ishin të ndara kështu: 2 prej tyre organizonin trafik nga Shqipëria drejt Spanjës, Holandës dhe Finlandës. Më pas atje kishin rrjetin e shpërndarjes së drigës. Grupi tjetër, i drejtuar po nga shqiptarë, vepronte vetëm në territorin e Finalndës me sigurimin e lëndëve narkotike, blerjen dhe shitjen po në këtë shtet. Ndërsa, grupi tjetër kishte si detyrë të tij dhe qëllim organizmin e trafikut të marjuanës nga Spanja në drejtim të Finlandës përmes shërbimit postar.
Për të organizuar aktivitetin e tyre kriminal, anëtarët e grupit përdornin kryesisht tre aplikacione, Telegram, Signal dhe WhatsApp. Drejtuesit shqiptarë kujdeseshin që të paguanin për anëtarët e grupit çdo shpenzim. Rrjetit të shpërndarësve të drogës që i kishin dërguar në Finlandë, u paguan çdo shpenzim, edhe qëndrimet nëpër banesa.
Prokurori Alfred Shehu ka dhënë detaje se si funksiononte grupi kriminal i trafikut të drogës i goditur në bashkëpunim me autoritetet finlandeze. Bëhet fjalë për 4 grupe kriminale të drejtuara nga shqiptarë, të cilët kanë bashkëpunuar ngushtë mes tyre për organizimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në Shqipëria, Spanja e Holanda drejt Finlandës. Dy nga drejtuesit e grupit janë me origjinë nha Vlora, 2 të tjerë Kuçova dhe Berati, por janë të vendosur me banim në Tiranë.
“Karakteristikë e këtyre grupeve ka qenë bashkëpunimi i tyre me njëri-tjetrin. Grupe të veçanta bashkëpunonin me njëri-tjetrin për realizimin e qëllimeve të tyre kriminale. 2 nga grupet organizonin trafik nga Shqipëria drejt Spanjës, Holandës dhe Finlandës. Më pas atje kishin rrjetin e shpërndarjes. Një grup tjetër kriminal i drejtuar po nga shtetas shqiptar vepronte vetëm në Finlandë me sigurimin e lëndëve narkotike, blerjen dhe shitjen në Finlandë, Një grup tjetër i drejtuar nga shqiptarë, kishte si detyrë të tij dhe qëllim organizmin e trafikut të marjuanës nga Spanja në drejtim të Finlandës përmes shërbimit postar. Krerët e grupeve një pjesë kanë qenë më parë të ndjekur penalisht në Finalndë, dhe nuk kanë qenë të evidentuar në Shqipëri. Pas kthimit në Shqipëri, kanë drejtuar aktivitetin nga Shqipëria ose shtete të tjera të BE. Kjo ka qenë edhe një nga rezultatet e hetimit të përbashkët, nga informacionet e përfituara në kohë reale i transmetoheshin autoriteteve finlandeze. Dy nga krerët e grupeve kriminale janë me origjinë nga Vlora. Pjesa tjetër e përqendruar në Kuçovë dhe Berat. Një pjesë e këtyre, janë të vendosur me banim në Tiranë”, tha Shehu.
Zyrtari finlandez tregoi edhe si kryhej transporti i lëndëve narkotike. “Njëra nga rrugët ka qenë transportimi nga Holanda në Finlandë duke përdorur kamion, një kamion me targa polake dhe një shofer polak. Konsumimi i amfetaminës është i lartë në Finlandë, duke qenë se vendi i origjinës është Holanda, kështu që ka sens ky lloj trafikimi nga Holanda. Kanabisi dërgohej nga Spanja në Finlandë. Nga 55 persona të dënuar në Finalndë, 10 janë me shtetësi shqiptare. Kemi edhe shtetas finlandezë dhe polakë të dënuar, ka shumë shtetas rumunë të përfshirë, aziatikë, dhe shtetas afrikanë” tha ai.
Ndërsa Altin Dumani u shpreh se: “Aktiviteti shtrihet në vite. E dyta organizatorët apo krijuesit e grupit preferonin të rrinin në Shqipëri dhe nga këtu organizonin aktivitetin kriminal. Sot gjykata ka lëshuar 11 masa sigurimi, të gjithë janë shtetas shqiptar, 10 ishin në Shqipëri, një jo. janë 54 persona të proceduar, shumica prej tyre të dënuar në Finlandë. Në Finlandë janë edhe shtetas finlandez, jo vetëm shqiptarë. Edhe shtetësi të tjera. Ajo që ne si SPAK na ka bërë përshtypje është se në hetimet tona është hera e parë që shikojmë grupe kriminale që kanë në fokus edhe droga sintetike. Deri tani kemi parë se kryesisht grupet shqiptare janë pas kokainës, heroinës apo marihuanës e kanabisit. Sasitë janë të mëdha. Kemi kapur edhe ekstazi. Të gjithë e dimë rrezikun që paraqet për shëndetin e konsumatorit këto drogëra sintetike. Ky grup kriminal kishte një rrjet të tyre në Finlandë dhe në mënyrë periodike herë pas herë dërgonin nga Shqipëria përfaqësues të tyre që shkonin në bazat e përcaktuara dhe fillonin shitjen e lëndës narkotike”.